Çështja e personave të pagjetur duhet trajtuar me kujdes maksimal, në mënyrë që të mos lëndohen të mbijetuarit dhe mbarë shoqëria. Nganjëherë shpëtimi i vetëm për t’i shmangur gabimet është njohja e mirë e gjuhës shqipe.
Një ndër problemet më të mëdha të politikanëve të Kosovës (dhe jo vetëm të politikanëve) është raporti i tyre armiqësor me gjuhën shqipe. Ata nuk bëjnë gabime rastësore, ata në të shumtën e rasteve nuk janë në gjendje ta formulojnë një fjali që tingëllon kuptueshëm dhe logjikshëm.
Ta shkruajnë një fjali të tillë e kanë edhe më vështirë. Aftësitë shprehëse të përfaqësuesve të popullit (me ndonjë përjashtim) janë të mjerueshme. Po të dëgjohen këto fjalime me sy mbyllur, lehtë mund të besohet se kemi të bëjmë me një kafehane të rrëmujshme, ku mes tymit të qofteve dhe gogësimave jehon llomotitja mbi intrigat e lagjes.
Të gjitha këto janë parë e dëgjuar, fatkeqësisht, nga foltorja e Kuvendit, përfshirë edhe sharjet më vulgare, kërcënimet me dhunë fizike, madje edhe përdorimi i dhunës fizike, fatmirësisht pa pasoja të rënda deri më sot.
Dikur opinioni qeshte kur një deputet nga foltorja e Kuvendit thoshte: “kokrodilli” në vend të “krokodili”. Gabimet e tilla edhe mund të falen. Por çka s’mund të falet është gjuha krejtësisht e pavend e deputetëve kur flasin apo trajtojnë tema të ndjeshme, siç është çështja e personave të zhdukur.
Javën që shkoi, një deputete e LDK-së u dëgjua t’i thotë deputetes Saranda Bogujevci: “Po viktimizohesh”! Për të thënë diçka të tillë, duhet të kesh raport krejtësisht të çrregullt me gjuhën shqipe, me historinë më të re të Kosovës, me faktet e pamohueshme mbi masakrën kundër familjes Bogujevci në Podujevë, duhet të kesh raport të zhdrejtë ndaj dëshmive të prezantuara (edhe nga vetë Saranda Bogujevci), pastaj – nëse kjo deputetja e LDK-së do të ishte e interesuar – janë dhjetëra shkrime të mediave ndërkombëtare për Saranda Bogujevcin si viktimë e terrorit shtetëror serb.
Kjo deputete (pra, kjo e LDK-së) do të duhej të dilte me një sqarim publik, i cili përfshin edhe një kërkimfalje të sinqertë. Dhe këtë është mirë ta bëjë edhe zëvendëskryeministri me karrierë të shkurtër në LDK, i cili me paraqitjet e tij të shpeshta dhe të pamenduara publike ka filluar të ngjallë neveri të madhe në opinion.
Para se t’i akuzojë rivalët politikë se po ia keqpërdorin deklaratën, më mirë do të ishte të mendonte për përdorimin e kujdesshëm të gjuhës kur flet për një plagë aq të madhe, siç janë njerëzit për fatin e të cilëve nuk duhet ende asgjë edhe 20 vjet pas luftës. Me guximin e saj për të dëshmuar mbi krimet serbe, deputetja Saranda Bogujevci do të mbetet në histori më gjatë se emrat e jo pak politikanëve që sot lodrojnë në skenën politike të Kosovës.
Disa gjëra janë të paprekshme, e paprekshme duhet të jetë kujtesa mbi krimet e llahtarshme të Beogradit në Kosovë. Një mënyrë për t’i kujtuar këto krime dhe respektuar viktimat është – mësimi i gjuhës shqipe. Kush e zotëron gjuhën, gabon më pak. Çështja e të pagjeturve, viktimave, të mbijetuarve nga terrori shtetëror serb nuk do të duhej të ishte pjesë e fushatave të partive për poenë politikë e për hallakatje emocionale të militantëve.
Viktimat duhet të respektohen pa dallim. Kjo vlen për të gjithë, përfshirë edhe politikanët – pa marrë parasysh a janë në pushtet apo në opozitë! Mos e gënjeni opinionin se kur të vijë një qeveri tjetër në pushtet, do të bëjë gjëra të paimagjinueshme për t’i gjetur personat që konsiderohen të zhdukur.
Qeveritë e deritanishme kanë bërë pak. A ka qenë e mundur të bëjnë më shumë? Puna është e ndërlikuar. Një ish-zëvendëskryeministër, i cili ka marrë pjesë në takime me palën serbe lidhur me ndriçimin e fatit të viktimave të pagjetura, para disa vitesh kështu ma pati shpjeguar situatën: “Ne shkojmë dhe flasim me palën serbe. Ata na thonë: na tregoni ku gjenden serbët e zhdukur dhe lirisht kërkoni ku të doni në Serbi vendndodhjen e viktimave shqiptare.
Kjo tingëllon ndoshta cinike, kur shohim se Serbia bën politikë me viktimat shqiptare. Por kjo nuk duhet të na befasojë. Në biseda ata po na e zënë bishtin me derë në mënyrë shumë efektive me insistimin që të sqarohet edhe çështja e të zhdukurve serbë. Këtu ne s’po kemi përgjigje”.
Çështja e të zhdukurve duhet të trajtohet si çështje humanitare dhe jo si “punë shkëmbimi tregtar”, veç ideja si e tillë është makabre. Por në bisedat mes “Prishtinës dhe Beogradit” ka ndodhur pikërisht kjo. Marrëveshjet janë lavdëruar si “historike”, por në thelb shumë probleme kanë mbetur të pazgjidhura apo janë shtyrë për t’u zgjidhur ndoshta më vonë.
Për shkak të mungesës së strategjisë nga pala kosovare dhe gatishmërisë për të folur pa kushte për çdo temë, Serbisë i është hapur terreni që para bashkësisë ndërkombëtare të prezantohet si “palë konflikti”, jo si agresor, siç ka qenë.