Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi seancën dëgjimore për prokuroren e Prokurorisë së Apelit të Tiranës, Fatjona Memçaj.
Kjo e fundit kërkoi rikonfirmim në detyrë.
Trupi gjykues përbëhet nga Alma Faskaj, Roland Ilia dhe Firdes Shuli. Relatori Roland Ilia tha për vlerësimin e pasurisë së prokurores, se deklarimi i ILDKPI është i saktë. Nuk ka kryer deklarim të rremë dhe nuk ka konflikt interesi.
Memçaj ka deklaruar në ILDKPI një apartament banimi 96 m me vlerë 27.800 dollarë, makinëdhe llogari bankare.
Edhe DSIK, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, e cilëson figurë të përshtatshme.
Ndërkaq, trupa gjykuese bëri të ditur se do të japë vendimin më 3 maj për prokuroren.
Prokurorja Fatjona Memçaj ka qenë subjekt i deklarimit të pasurisë prej vitit 2003, kur mbante postin e prokurores së rrethit në Tiranë. Në vitin 2007, Memçaj ka punuar si drejtoreshë e Koordinimit Ligjor në Presidencë, detyrë të cilën e ka mbajtur deri në fund të vitit 2012. Më pas, Memçaj është emëruar drejtore kabineti në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prej vitit 2013 mban pozicionin e prokurores së Apelit në Tiranë.
Paralelisht me punën në Prokurori, Memçaj është përfshirë edhe në mësimdhënie. Në vitin 2016 ajo ka qenë edhe eksperte e programit të trajnimit vazhdues në Shkollën e Magjistraturës.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë që prokurorja Fatjona Memçaj zotëronte në vitin 2003 një pasuri familjare të llogaritur në 3.3 milionë lekësh. Në fund të vitit 2016, pasuria e saj kap vlerën e 6.1 milionë lekëve ose 1.8 herë më e lartë.
Të ardhurat kryesore familjare të zonjës Memçaj përbëhen në 93 për qind nga paga e saj dhe e bashkëshortit, 2.1 për qind nga mësimdhënia dhe 4.5 për qind të ardhura të tjera, të cilat kapin në total vlerën e 27.4 milionë lekëve.
Asetet ndahen në pasuri të paluajtshme në vlerën e 3 milionë lekëve, llogari bankare në vlerën e 1.2 milionë lekëve dhe kursime në cash në vlerën e 1.4 milionë lekëve.
Në rastin e zonjës Memçaj iu nënshtruan kontrollit aritmetik-logjik 13 deklarata pasurie dhe asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme.