fbpx

Mapo Letrare

Një prozë interesante dhe e veçantë





               Publikuar në : 17:11 - 30/11/19 |
Ernest Marku

(Rreth romaneve të shkrimtarit Ndue Gaspri)


Ernest Marku



Ndue Gaspri është një autor që ka shpërthyer vonë, por që ka sjellë freski në letërsinë shqipe. Romani i tij i parë “Jerina në dashuri të pamëkat”, ka në qendër femrën dinjitoze dhe plot personalitet, që kërkon të realizohet si femër e si një njeri i emancipuar; edhe pse, kudo dhe kurdoherë do të përballet me rrethana të pakëndshme e me njerëz të indoktrinuar e të pacivilizuar, që ia vështirësojnë rrugëtimin.


Në fakt jeta e saj është një dramë, por drama më e madhe qëndron tek fakti se kjo dramë nuk duhej të luhej, pasi elementet iniciues të saj janë të tejkaluar e të kapërcyer me kohë nga bota përendimore.

Fatkeqësia e saj dhe e shumë femrave si ajo, buron nga fakti se janë pjesë e kësaj shoqërie; deri dje të indoktrinuar, kurse sot shfaqet e pacivilizuar dhe e papregaditur për tu përballur me pergjegjësitë e për të shijuar të mirat e lirisë.

Te romani tjetër “Eva në jetën e Kelit”, autori bën autopsinë e sistemit diktatorial, duke përcaktuar thelbin e kalbur mbi të cilin ishte ndërtuar ai sistem. Personazhet përfaqësues të diktaturës, janë edhe më të paskrupullt e të pamëshirshëm se në librin e parë; për të arritur kulmin në dy romanet e tjera:

“Lulet e Kainit” dhe “Kohë me djallin”. Te këto dy romane, e keqja merr përmasa biblike, po ashtu siç ideologjia e diktaturës tenton të kthehet në një “fe” të re, por që që është e dështuar që në nisje, pasi i mungon tërësisht dimensioni moral; pafytyrësia, intriga e lufta për pushtet janë mbizotëruese në një botë të izoluar e të pashpresë. Gaspri nuk ndërron stil, veçse bëhet më narrativ; me sa duket i shkarkuar nga ngarkesat ideologjike, zhytet në një rrëfim të historive të pafundme të së keqes.

“Udhëtim i mundimshëm me vdekjen” është një roman disi më ndryshe, autori lëviz në kohë e në hapësirë, duke eksploruar territore, shekuj dhe përsonazhe, jo dhe aq të njohur prej tij. Figura e Pjetër Zarishit, klerikut e poetit të mirënjohur nga Blinishti, që kalon një periudhë të mirë të jetës së tij në Abacinë e thellë malore të Mirditës; vendoset përballë figures së Markut endacak, që ka vetëm një ëndërr: te rindërtojë kullën e vjetër të fisit të tij, e nëpërmjet kullës së re të rigjallërojë jetën e dikurshme.

Të njëjtën nostalgji përtë shkuarën dhe për kulturën perëndimore, gjejmë edhe te “Hani i Marshallit” ; roman i cili shkon edhe më tej, duke e mistifikuar këtë të shkuar të ndritur të Zadrimës, deri në kufinjtë e surealizmit. Violina venedikese, përthyhet përballë harbutërisë e shurdhërisë së ushtarit turk dhe sërish nuk mund të presim “përjetime” të mira për përsonazhet e Gasprit.

Me dy romanet “Qyteti pa orë” dhe “Njerëz të tepërt”, autori kthehet sërish te temat e nxehta të shekullit të njëzet. Tragjizmi dhe realizmi I thekur i romaneve të para, ia lë vendin ironisë e sarkazmës së hollë që kalon deri në shpoti. Gaspri, duket sikur ecën me ritmin e “ndërtimit të socializmit” në Shqipëri, pasi vertet, në vitet e fundit të ekzistencës së saj, diktatura nis të bëhet qesharake.

Që nga zbori me ato stërvitjet e kota e pa ide, deri te aksionet e të djelave për të mos u lënë kohë të lirë njerëzve, si dhe deri tek një qytet i cili edhe është qytet edhe nuk është qytet; nëse do të pranojmë se ishte, atëherë ai do të ishte një qytet pa orë, që në fakt do të thotë që ai nuk ishte qytet. Rebusi i kësaj qyteze që vuan mungesën e identitetit të vet, kaperthyer me fatin dhe fatet e individëve, të dënuar për të qenë të paindividualitet; herë zbërthehet e herë vishet sërish me mister.

Romani i fundit, siç e tregon edhe vetë titulli “Fmini e humun”, është një rikthim në kujtesë, për të kërkuar kufinjtë e humbur të fëmijërisë. Realizmi tragjik dhe ai sarkastik, ia lënë vendin një lloji tjetër realizmi, sa nostalgjik aq edhe magjik.

Gasprin e ngacmon ideja për të rikthyer formën që kishte fusha e Zadrimës para shoqërizimit të tokës dhe, ngaqë nuk e bën dot një gjë të tillë në jetën reale, e bën me letërsi. I gjithë romani është përpjekje e dëshpëruar e përsonazhit kryesor, që është padyshim autori-fëmijë; për të lidhur nyjen e këputur të historisë e të traditës, për të rikthyer hiriearkinë e vlerave të vërteta, me besimin tek e mira dhe te pasuria e vënë me djersë; në kontrast me realitetin e trishtë tragji-komik, që na serviri diktatura.

Gjuha e personazheve në këtë roman, si për të dashur t’u bashkohet gjërave të harruara apo të fjetura, për të cilat kemi jo vetëm mallë, por edhe nevojë; gjallon në një gegnishte të rafinuar, që tenton të krijojë standart, por pa humbur lidhjen me habitatin ku mbretëron.

Nëse flasim për letërsi të angazhuar, kjo e Gasprit është padyshim e tillë; në të gjitha kuptimet dhe në çdo aspekt të kësaj krijimtarie. Ky autor beson fort se ka fuqi për të ndikuar, siç beson se nuk duhet të humbasim kujtesën historike, ruajtjes së së cilës, beson se i shërben me romanet e tij.


Etiketa: , ,

Pas