Disa foto të sapopublikuara tregojnë sesi Jeff Bezos, njeriu më i pasur në botë, dhe prezantuesja Lauren Sanchez dukeshin kaq të dashuruar, edhe pse Bezos nuk e kishte shpallur akoma divorcin. Fotot janë bërë më 30 tetor të vitit të shkuar në një restorant në Los Angeles.
Një burim tha se çifti po darkonte në restorantin italian Capo, shoqëruar me një tjetër çift. Burimi shtoi se ata dukeshin shumë të dashuruar.
Bezos, 54 vjeç dhe Sanchez, 49 vjeç, kanë mohuar raportimet se kanë qenë në një lidhje duke tradhtuar partnerët e tyre. Megjithatë mediat thonë se njeriu më i pasur në botë e bëri të ditur lajmin e divorcit pasi mësoi se mediat do i publikonin aferën.
Tashmë Bezos duhet të ndajë pasurinë prej 140 miliardë dollarë me të shoqen, Mackenzie, me të cilën janë njohur kur kompania Amazon sapo kishte nisur rrugën.
Shumica e pasurisë së Bezos vjen nga 16 përqind e aksioneve në kompaninë Amazon, që tani ka një vlerë në treg prej 777 miliard dollarë.
E shoqja është shkrimtare, fituese e një çmimi të njohur në vitin 2006. Ajo ka qenë një nga punonjëset e para të kompanisë Amazon kur u themelua, duke u marrë me llogaritë e saj.
Ndarja e pasurisë mes tyre do jetë një proces i komplikuar për çiftin e diplomuar në universitetin Princeton.
Jeff është një nga rastet e rralla në botë kur arriti të bëhej vetë miliarder nga asgjëja. Ai lindi në vitin 1964 nga një nënë 16-vjeçare. Kur ishte 17 muajsh, mamaja u divorcua dhe punonte shitëse në një dyqan. Kur ishte tre vjeç, mamaja u martua me Miguel Bezos dhe aty vogëlushi mori mbiemrin që mban edhe tani.
Me të shoqen u martua në vitin 1993. Të dy së bashku kanë në pronësi toka më shumë se kushdo tjetër në SHBA. Ta mendosh që në vitin 1999, të dy jetonin në një banesë 1 plus 1 me qira.