fbpx

Aktualitet

Një ‘Unazë të re’ edhe për Vetëvendosjen





               Publikuar në : 22:09 - 13/11/19 |
Gentian Gaba

Gentian Gaba


Agu i së martës erdhi me pamjet e mësymjes së forcave të policisë në zonën e Astirit. Pamjet ngjasonin me ato të një zone lufte. Videot e para fillojnë të qarkullojnë nëpër rrjete sociale falë televizionit ‘FaxNews’ dhe transmetimit të drejtpërdrejtë të realizuar nga faqja e ‘Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit’.



Regjisori Robert Budina, i cili ndodhej aty për t’u solidarizuar me banorët e Astirit, u kthye në një reporter lufte. Regjistrimi zgjat 3 minuta dhe 17 sekonda dhe është përmbledhja më e frikshme e situatës në të cilën ndodhet vendi ynë. Dhjetëra qytetarë, të mbyllur në një lokal, më së shumti gra dhe zonja të moshuara, nën sulmin ballor të forcave të ndërhyrjes së shpejtë. Ajo hapësirë, e veshur me plastikë të tejdukshme, përtej së cilës shquhen spikamat e zeza të policëve që afrohen duke hedhur spraj me piper dhe gaz lotsjellës në drejtim të turmës së pambrojtur, ngjasonte me një thertore.


Një thertore nga e cila sokëllimat e frikës, gërshetoheshin me rënkimet e atyre që po humbnin ndjenjat për shkak të lëndës kimike të përdorur me mujshari nga forcat e rendit. Një kujë që mbeti e pangushëlluar, sepse në llogaritë e urdhëruesve të sulmit hesapet për lotin e parë, duheshin mbyllur atë të martë. Me çdo çmim. Pra, edhe me përdorim arbitrar të forcës, me arrogancën brutale, me abuzimin e pushtetit dhe shkeljen e dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të njohura ndërkombëtarisht të qytetarëve që protestonin kundër një projekti korruptiv.

Dhjetëra u shoqëruan nga policia, midis tyre edhe pedagogu ErvinGoci, dhe dhjetëra të tjerë u shoqëruan në spital për pasojë të dëmeve të marra. Një pështjellim që e traumatizoi edhe më shumë jetën e atij komuniteti, i cili, nën rrethimin e kordonëve policore, ndiqte nën shiun e dendur fadromat që shkatërronin banesat e tyre, për t’i hapur rrugë rrugës të florinjtë, e cila nuk u mbajt peng nga banorët, por nga afera korruptive e pandëshkuar e kompanisë fantazmë ‘DH Albania’.

Ndonëse kjo ishte vetëm faza e parë e përballjes, u prishën 33 ndërtesa nga 250 të parashikuara, ajo prodhoi disa dinamika dhe, nga gatishmëria për t’i shfrytëzuar ato politikisht, mund të deduktohet se urdhëruesit e sulmit kishin qëllime shumë të qarta.

Ngarkesa emocionale e ngjarjes, bëri që të zhdukej nga horizontet mediatike jo vetëm zgjedhja antikushtetuese e dy gjykatëseve të reja të Gjykatës Kushtetuese, por edhe shpallja në kërkim e atij që tashmë është ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, për të cilin Rama thoshte ‘është si unë’.

Një individ që tregon se simbioza, midis kreut të Rilindjes dhe elementëve me rekorde kriminale, nuk është rastësore, por një element karakterizues i mënyrës sesi Rama, edhe pse pa rival në 30 qershor, e sheh politikën dhe përfaqësimin në institucionet e vendit. Dhe në pamundësi për të arrestuar produktin e politikës së tij, pa asnjë vullnet për të marrë përgjegjësi për listën e gjatë të ‘kajmakëve’ që e ndjek pas, helmoi një komunitet që prej një viti jeton në makth dhe arrestoi një pedagog dhe disa banorë që gjetën kurajën për t’i qëndruar përballë korrupsionit dhe arrogancës.

E ndërsa orët kalonin nga mësymja në Lotin e parë të Unazës, në media dhe në rrjetet sociale u nxit sporti kombëtar i opozitës ndaj opozitës. Kjo e fundit ishte e destinuar ta pësonte të martën. Në një mënyrë apo në tjetrën, prozhektorët do të drejtoheshin kundër saj, pasi e kishin të ndaluar të fokusoheshin te dhuna, gazi lotsjellës si në Siri, apo te megakorrupsioni i qeverisë. Nëse edhe një deputet i vetëm do të rrokte një gurë atë mëngjes, opozita do të ‘ekzekutohej’ publikisht.

Do të shpallej e dhunshme dhe antieuropiane. Nuk rëndon asfare që ka qëndruar në krah të banorëve, që u ka garantuar se në momentin e parë që do të jetë një mazhorancë qeverisëse do të respektojë ligjin dhe do t’i dëmshpërblejë, pavarësisht nëse i kanë apo jo të legalizuara, pasi të drejtën e strehimit nuk e garanton Basha por është e sanksionuar në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Qasja tinëzare, me të cilën opozita konsiderohet si një kundërpeshë e forcave RENEA, dhe ngarkohet me mëkate që në fakt janë të mazhorancës, është produkti i makinerisë së propagandës qeveritare, e cila ka forcën të përmbysë të vërtetën dhe të deformojë perceptimin. Një investim afatgjatë i Ramës, që në kësi rastesh vjel produktin që i nevojitet. Dhe, si për magji, kur të gjithë zërat ngrihen në tonalitetin e kërkuar nga dirigjenti i intrigës, duket sikur vendin e qeveris Lulzim Basha, dhe në timonin e fadromës është një militant i punësuar rishtazi nga radhët e opozitës. Por kjo nuk mjaftonte ditën e djeshme. Duhej zgjeruar fusha e luftës, duke ndërtuar diçka të re mbi perceptimin negativ që u mboll në opinionin publik me shënjestrimin e opozitës.

Këtu futet në lojë selia lokale e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila shpërndau një deklaratë për ngjarjet e atij mëngjesi. Oportunizimi i mazhorancës e shtyu të bëhej pjesë e një gërnje politike me VV. Jo sepse i sëmbon qëndrimi i një lëvizjeje që në Shqipëri është motake, por sepse antagonizimi i saj, me deklarata të kryeministrit, Bashkisë së Tiranës dhe ndikuesve mediatikë, që në mbrëmjen televizive u përpoqën të orientojnë opinionin publik sipas porosive, kërkon ta faktorizojë atë.

Sepse, pasi u sendërgjua perceptimi surreal mbi përgjegjësit e opozitës, (A thua se shtëpitë po i prish Basha dhe jo Rama?!), ‘Unaza e re’ iu ofrua në tavolinë Vetëvendosjes, duke i dhënë mundësi për të bërë opozitë, me qëllim defaktorizimin, në sytë e opinionit publik, e kundërshtarit real. Ndonëse mund të tingëllojë si një skenar i marrë nga ‘HouseofCards’, pa paragjykuar deklaratën dhe qëllimet e VV-së, e marta tregoi edhe njëherë se përdorimi i çdo mjeti, nga intriga, te propaganda, për të vijuar me përdorimin e forcës, që mund të degjeneronte në një vëllavrasje midis policisë dhe qytetarëve, e bën Ramën një pushtetar të gatshëm të sakrifikojë çdo gjë, përveç pushtetit të tij.


Etiketa: , , , , , ,

Pas