fbpx

Kryesore

Një ‘Unazë të re’ për gishtat e korruptuar të Rilindjes





               Publikuar në : 22:05 - 11/11/19 |
Gentian Gaba

Gentian Gaba


‘Shtëpitë e ndërtuara pa leje nuk do të prishen edhe sikur Enver Hoxha të ngjallet’, – deklaronte në vitin 2013 kandidati për kryeministër i Partisë Socialiste, Edi Rama. Pak vite më vonë, mohoi veten. Premtimi u shkel dhe vendi nga i cili kumbonte fjala e Ramës, është destinacioni i një proteste të përditshme, e cila zgjat prej më shumë se një viti.



Astiri është sot sheshi i një beteje. Të tillë ka edhe pamjen. Pasi u shkulën ndriçues dhe pemë, ngjason me një zonë të bombarduar. Madje ky ‘bombardim’ ka prodhuar disa viktima, të cilat i kanë rrëmbyer makinat në terrin në të cilin është lënë rruga.


Qytetarët që janë vendosur në mbrojtje të pronave të tyre, me kërkesën për një kompensim të drejtë dhe me vlerën e tregut, presin nga momenti në moment mësymjen e forcave të policisë. Asnjë rëndësi nuk ka për mazhorancën dinjiteti njerëzor, shkelja e rëndë e të drejtave të njeriut apo veprimi në mospërputhje me të drejtën ndërkombëtare kur bëhet fjalë për dëbimin me forcë nga banesat. As fakti që kryeneçësia kryeministrore mund të kushtojë shumëfish më shumë në gjykatën e Strasburgut.

Ajo që është e rëndësishme për Rilindjen është mbyllja e një vatre rezistence, shuarja e një proteste që gjeneron një sëmbim të përditshëm. Sepse nuk bëhet fjalë vetëm për rezistencën e atyre qindra banorëve të kërcënuar nga arbitrariteti i qeverisë, të cilët ende nuk po shkundin apatinë e shoqërisë shqiptare, por sepse dalja e tyre e përditshme, mediatizimi i protestës, sjell në kujtesën e çdo qytetari skandalin e turpshëm të Unazës së re.

Një grabitje e mbetur në tentativë që ekspozon makutërinë e Rilindjes dhe kreativitetin e anëtarëve të saj për të zhdukur paratë e taksapaguesve shqiptarë. Me projekte infrastrukturore me çmime marramendëse, si 20 milionë euro për një kilometër rrugë, dhe guximi për të falsifikuar firmën e sekretarit të shtetit të Delaware; por jo vetëm kaq.

Kompania “DH Albania”, që fitoi tenderin me një bashkim operatorësh për ‘Lotin 1” të Unazës së Re, dhe që më pas u pezullua për falsifikim dokumentacioni, rezultonte fituese edhe e një tenderi me vlerë mbi 11 milionë euro nga Operatori i Sistemit të Transmetimit. Duke na dëshmuar se nuk ka pse të çuditemi kur raporti i Bankës Botërore thekson se korrupsioni, në Shqipërinë e ‘rilindur’, është më keq se në kohën kur të gjitha fajet i kishte Saliu. Madje korrupsioni në kohën e Rilindjes është më i lartë se mesatarja e rajonit dhe dy herë më e madhe se mesatarja botërore. Një çmim aspak i lavdishëm për vendin, që kjo mazhorancë na dhuron në momentin kur është krejt e vetme në drejtimin e gjësë publike. Kur ‘timoni’ dhe ‘tepsia’ shtrëngohet nga thonjtë e pisët me bojë të kryeministrit, pa asnjë aleat mbi të cilin të shkarkojë përgjegjësitë për paligjshmërinë dhe pandershmërinë që gëlon në vend, skandali i Astirit është një tjetër ‘unazë’ turpi për gishtat e korruptuar të Rilindjes.

Prandaj protesta e përnatshme, e cila shfaqet në media me jelekët e portokallinjtë të Unazës, që u kursyen arkave të shtetit miliona euro, përbën një rrezik për një grupim që ashpërsoi ligjin për tubimet vetëm prej makthit ndaj së vërtetës. Pak rëndësi ka që Rama dhe shokët e partisë, shumë kohë përpara banorëve të ‘Astirit’, kanë bllokuar rrugë dhe kanë djegur goma për ‘kutitë’ e tyre; edhe më pak rëndësi ka që përballja midis policëve dhe banorëve mund të prodhojë gjakderdhje; hipokrizia duket një kafshatë e ëmbël përballë terrorit të kujtesës së përditshme që ngjizin burrat, gratë dhe fëmijët në atë rrugë të mallkuar. E rëndësishme, për kryeministrin, është që protesta të thyhet, rezistenca të ndëshkohet dhe skandali të harrohet. E rëndësishme, për kryeministrin, është që të ketë ende një kurban për t’ua blatuar zotave të pushtetit.


Etiketa: , ,

Pas