Jezusi tha se njeriu nuk jeton vetëm me bukë.
Megjithatë, kur ka mungesë të ushqimeve bazë, kjo i bën njerëzit edhe më të zemëruar. Herën e fundit që bota pësoi një tronditje të çmimeve të ushqimit, siç po paraqitet kriza e sotme, nxiti pranverën arabe, një valë kryengritjesh që rrëzoi katër presidentë dhe çoi në luftëra të tmerrshme civile në Siri dhe Libi.
Fatkeqësisht pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putin ka tronditur sërish tregjet botërore të grurit dhe ato energjetike. Kështu trazirat janë të pashmangshme edhe këtë vit.
Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve është forma më e rëndë e inflacionit. Nëse çmimet e mobiljeve, makinave, ose telefonave “smart” rriten, njerëzit mund të shtyjnë blerjen e tyre të planifikuar, ose mund të heqin dorë prej saj.
Por ata nuk mund të ndalojnë së ngrëni. Po kështu, kostot e transportit ndikojnë te çdo mall tjetër fizik dhe shumica e njerëzve nuk mund të shkojnë më lehtësisht, si deri tani, as për të kryer punët e përditshme. Pra, kur ushqimi dhe karburantet rriten më shumë, standardet e jetesës priren të bien papritur. Dhimbja është më e fortë për banorët e qyteteve, sidomos në vendet e varfra, përfshirë edhe Shqipërinë, të cilët shpenzojnë një pjesë të madhe të të ardhurave të tyre për bukën, ushqimin bazë, energjinë dhe transportin.
Ndryshe nga popullsia rurale, ata nuk mund të shtojnë të korrat e tyre – por mund të përfshihen prej dëshpërimit në trazira. Ka qenë i tillë paralajmërimi i “The Economist”, duke dhënë edhe rastet e para të trazirave dhe protestave që kanë shpërthyer, në vendi si Sri Lanka.
Sakaq, në Shqipëri ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar nisjen e një vale protestash. Edhe pse ishte e diel, sot ai foli sërish për nevojën e protestës së 7 korrikut. Berisha më herët, kur vendosi të rikthehej në skenën aktive politike, përmendi disa herë nevojën e një “revolucioni paqësor” për të marrë pushtetin.
Fillimisht, ndonëse u shpall “non-grata” nga SHBA, atij iu desh të organizonte protesta të dhunshme edhe në selinë e partisë të cilën drejtoi për 13 vite, me qëllim që të rikthehej sërish në krye të opozitës. Ndonëse jo ligjërisht, Berisha beson se është “de fakto” kryetar i opozitës, ndërsa paralelisht me protestat që pritet të organizojë, “The Economist” thotë se shumë politikanë kryesisht në vendet e varfra po përpiqen të shfrytëzojnë krizën ekonomike, për të përmbushur qëllimet e tyre politike, duke mos përjashtuar edhe trazirat.