Editorial

Një video që tregon shumë, Veliu duhet të ikë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:54 - 29/05/20 |
Mapo.al

Dhunimi i një djali 15 vjeçar në kodrat e Liqenit të Tiranës, teksa lëvizte me biçikletë, u bë sot lajmi i ditës, edhe pse ngjarja ka ndodhur me 15 maj. Reagimi ka qënë i fortë atë ditë, por sot, u rikthye në vemendje, pasi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë u pyet në Komisionin e Sigurisë, për këtë çështje e shumë të tjera, edhe për forcën ushtarake të ushtruar ndaj artistëve dhe qytetarëve në mbrojtje të Teatrit. Ka qënë deputeti Alban Zeneli që e ka pyetur Veliun, i cili, në një përpjekje për t’u mbrojtur, ka konsumuar një tjetër skandal sot, ndoshta edhe më të rëndë.


Për të justifikuar dhunën e Policisë ndaj 15 vjeçarit, ai ka treguar para komisionit parlamentar një video, ku shfaqet majaja e adoleshentit që kryen një demonstrim me pistoletë. Drejtori i Përjgithshëm i Policisë justifikon kështu dhunën ndaj një të mituri, për shkak se ai nuk edukohet si duhet dhe se, sipas tij, e ëma, ka një sjellje jo shembullore.


Pra një qendrim fodull, anadollak, mesjetar, pasi sipas këtij ideologu të madh, z.Ardi Veliu, një i mitur duhet të mbajë përgjegjësi për çfarë bëjnë prindërit e tij. Po, edhe kjo shkoi bosh.


Pak më vonë, Zaida Çobo, e ëma e 15 vjeçarit, foli për mediat e indinjuar, dhe u shpreh se video që ka përdorur kryepolici, është pjesë e një filmi, marrë gjatë xhirimeve, që është shpërndarë në rrjetet sociale 2 vite më parë.


Ky kryepolic që rrëmon në profilet dhe rrjetet sociale të njerëzve, që e shpall me krenari se ka zbuluar se sa keq është edukuar një 15 vjeçar, e që sipas tij e ka pas hak një dru të mirë nga një grup i uniformave blu, i kapur gafil nga ky abuzim dhe nga kjo sjellje aspak prej shtetari, u shpreh paskëtaj, se media ja paska nxjerrë jashtë kontesktit atë që ai paska dashur të trasmetojë. Mesazhi i tij i madh social, qenka deformuar.

Ky tip, i pështirë tashmë dhe i neveritur në publik, jo vetëm nuk reflekton për dhunën e ushtruar ndaj një 15 vjeçari që po udhëton me biçikletë kodrave të liqenit, por gjen akoma më shumë guxim të fajësojë të ëmën për keqedukim, nisur nga një sekuencë filmi ku ajo paska marrë pjesë si aktore.

Policia jonë, dhe atdheu ynë, ka duruar shumë zyrtarë halldupë, arrogantë, aspak të zgjuar, dhe abuzues me pushtetin, që mendojnë se mund t’i shkelin njerëzit me këmbë sapo të marrin një ofiq. Por në vitin 2020, nuk kemi pse të durojmë një të tillë kryepolic, që edhe kur gërmon në jetën personale të njerëzve për të gjetur motiv, për të justifikuar dhunën shtazarake ndaj një adoleshenti, ja fut kot dhe bën një vrimë në ujë.

Nëse ka ngelur sado pak sedër dhe moral publik, ky Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, vetëm me këtë që ka bërë sot, duhet menjëherë të ikë nga kjo përgjegjësi e lartë publike që gëzon, pasi nuk ofron asnjë garanci se mund ta ushtrojë detyrën në respekt të ligjit, në mbrojtje të qytetarëve dhe të drejtave të tyre.

 


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas