Seanca e sotme plenare në Kuvend ka nisur me një minutë heshtje, në nder të viktimave të tërmetit tragjik më 26 nëntor të vitit të kaluar.
Kryeparlamentari Gramoz Ruçi u shpreh se Kuvendi e inkurajon rindërtimin dhe punën e qeverisë, edhe në kushtet e kostove që imponoi pandemia Covid-19.
“Zonja dhe zotërinj deputetë! Si sot, një vit më parë, Shqipëria u godit nga tërmeti më i fuqishëm i dyzetë viteve të fundit. Durrësi, Thumana, Tirana, Laçi Lezha ishin zonat më të goditura. 51 jetë njerëzore u humbën dhe mbi tre mijë njerëz u plagosën. Disa mijëra familje mbetën të pastreha.
Në shenjë dhimbjeje e respekti për 51 qytetarët që humbën jetën nga tërmeti, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje. Pushofshin në paqe!” – u shpreh Ruçi.
“Kuvendi inkurajon punën e Qeverisë për realizimin e objektivave të rindërtimit edhe në kushtet e kostove që imponoi pandemia. Fuqia, shpresa dhe besimi janë më të mëdha se goditja e tërmetit e ankthi prej pandemisë. Solidariteti e dashuria njerëzore prodhojnë rezultate më të mira se ndarja e konfliktet”, – vijoi Ruçi.
Në seancën e sotme plenare mungojnë kryeministri Edi Rama dhe ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, pasi janë nisur në një vizitë urgjente në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.