Rrugicat e kthyera në lulishte mes pallateve dhe kafenetë e bizneset e tjera që qëndrojnë hapur nuk të bindin se jemi pikërisht në lagjen e kombinatit, e cila pritet të shembet. Asnjë shirit i policisë apo shenjim tjetër dallues nuk të tregon se jemi pikërisht në zonën e goditur më fort nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Tiranë dhe ku një grup pallatesh u shpallën nga bashkia të pabanueshme. Bëhet fjalë për një grup pallatesh 5-katëshe me tulla të bardha, të ndërtuara me punë vullnetare në kohën e komunizmit. Këto ndërtesa janë kthyer në karabina të trishta të rrethuara nga rrugicat me gjelbërim dhe disa vila private. Kur u afrohesh kupton që janë të pabanueshme, madje shumicës prej apartamenteve u janë marrë dhe vetratat e xhamat e dritareve.
Kur ka kaluar 1 vit nga tërmeti i fortë që tronditi vendin, qindra familje që kanë marrë plaçkat për t’u shpërngulur në shtëpi me qira nuk janë më të bindur se kanë bërë veprimin e duhur. Ata kanë qenë të trembur pas tërmetit dhe të tronditur nga vdekja e një vajze të re që ndodhi pikërisht në shkallët dalëse të njërit prej pallateve. “Vajzës i ra parapeti i pallatit në kokë, ishte dëmtuar dhe nga tërmeti i shtatorit parapeti, por më 26 nëntor ra. Por po ta shohësh me kujdes ky pallat nuk ka dëmtim tjetër përveç parapetit që ra nga tarraca”- na thotë Xhelal Çika, i cili banonte në pallatin përkarshi.
Xhelali është shumë i revoltuar me pritjen e gjatë për të marrë shtëpinë e re. Madje ai është i bindur që ka bërë gabim që ka lënë shtëpinë e tij, brenda së cilës na fut duke na treguar muret e padëmtuara nga tërmeti. “Edhe me tërmetin e shtatorit dhe të nëntorit kishte rënie të suvasë dhe unë e rregullova vetë”- thotë ai. I mbetur pa punë nga pandemia Xhelali merr nga shteti bonusin e qirasë prej 220 mijë lekësh të vjetra me të cilët nuk ka arritur dot të marrë as një shtëpi në një lagje periferike të qytetit, ku paguan 250 mijë lekë të vjetra në muaj për të jetuar me familjen e tij prej 7 anëtarësh. Xhelali dhe si ai dhe 60 familje të tjera të këtij pallati dhe banorët e pallateve përreth janë të paqartë se kur do të shohin derën e shtëpisë së re.
Premtimet e ditëve të para pas tërmetit ishin të bukura; do shemben këto pallate të vjetra dhe do të ndërtohet një lagje e re, por asnjë gjë nuk është bërë që atëherë. Pas 1 viti nga braktisja këto pallate janë kthyer në një vend pasigurie për banorët përreth. “Këtu janë futur hajdutët, vijnë drogaxhinjtë”, na thotë një grua e moshuar e cila rri ulur në stolin përballë ish-shtëpisë së saj. “Ne do të kthehemi këtu, do të na e bëjnë shtëpinë e re këtu, se këtu kam lindur e rritur fëmijët, ku të shkoj?” – thotë ajo duke na e shprehur neve revoltën që në fakt e ka me shtetin dhe premtimin e pambajtur.
Por, gruaja e moshuar nuk dëshiron të na tregojë emrin se “mos prish ndonjë punë”. Këtë fjali e dëgjojmë shpesh te banorët, të cilët nuk duan të flasin me emër dhe pse besojnë se janë në të drejtën e tyre për të protestuar.
Në barin e vogël poshtë njërës prej godinave që gjithashtu do të shembet sipas vendimit të bashkisë, një burrë pensionist që po pi kafen e mëngjesit me mikun e tij na tregon për dramën e të vëllait. “Më shumë se 40 vjet në atë shtëpi im vëlla, ka derdhur djersën e një jete dhe tani ka ikur me qira larg.
Një ditë erdhi me gruan dhe i tha ngjitu lart qaj për mundin e djersën tonë, për shtëpinë tonë se s’do e shohim më”. Të dy miqtë janë të bindur se pas rindërtimit të kësaj lagjeje fshihet ndonjë aferë e madhe parash dhe se pallatet e reja nuk do t’i gëzojnë banorët. Në fakt kjo teori është kthyer nga një bisedë kafenesh në gati një bindje për shumicën prej tyre. Mes tyre janë përhapur fjalët se pallatet e reja që do të ndërtohen për ta mund të bëhen në një zonë tjetër të Tiranës, diku në Vaqarr apo Pezë, por të gjitha këto janë vetëm fjalë, për aq kohë sa nga qeveria ekziston vetëm një premtim me një moket të bukur ku tregohet lagjja e re e premtuar si rilindje e së vjetrës.
“Ne s’kemi asnjë kontratë me qeverinë apo bashkinë, asgjë, përveç një kontrate për bonusin e qirasë e cila është rinovuar përsëri për 1 vit tjetër. Ndaj nuk e dimë fare se ku dhe sa shtëpi do të na japin. Kemi vetëm premtime me fjalë goje”- thotë Xhelali.
Por jo të gjithë janë larguar prej godinave të shënuara për shembje. Tahir Barkaj, 60 vjeç, me profesion hidraulik, nuk ka pranuar ta lërë shtëpinë e tij në katin e parë të një tjetër pallati. “Nuk e kam pranuar kontratën e qirasë prej tyre, nuk e dua, do të jetoj në shtëpinë time”- thotë ai, i bindur se pallati i tij nuk ka pasur dëmtime të mëdha që rrezikonin shembjen e tij.
Si Barkaj janë dhe pronarët e dyqaneve në katin e parë të disa godinave 3-katëshe, të cilat janë ngritur për këtë qëllim që para vitit 1990. Ata vazhdojnë punën me bizneset e tyre dhe paguajnë taksat, edhe bashkia nuk i ka shqetësuar. “Mua më nxorën pretekstin e emergjencës natyrore në fillim pas tërmetit, por pastaj urdhri i dytë për kompensim të qirasë erdhi vetëm për banesat, jo për bizneset. Por unë e kam blerë, e kam me hipotekë, si do bëhet me mua, nuk do të kompensohem unë për dyqanin nëse shembet”, thotë pronari i një dyqani mishi.
Por nuk dihet si do ia bëjnë këta banorë që jetojnë akoma aty pas datës 15 nëntor, afati që njësia minibashkiake ka vendosur për ndërprerjen e furnizimit me drita dhe ujë në zonë.
Për qindra banorë të këtyre pallateve ky ka qenë një vit jo i lehtë. Janë detyruar të ndryshojnë shtëpi, zonë banimi, të largohen nga të afërmit, të lënë mobiliet e tyre nëpër magazina. U shpërngulën nga shtëpitë duke besuar se po shpëtonin jetën nga ndonjë tërmet tjetër, por tani shpresat se jeta e mëparshme me sigurinë e mureve që u jep fjala shtëpi duket se janë të vakëta.
Janë rindërtuar vetëm 48 banesa, nga 3389 të dëmtuara
Një shesh ndërtimi i miratuar në Vaqarr rreth 3 kilometra larg Kombinatit ku do të ndërtohen 21 banesa individuale vetëm sa është rrethuar nga llamarinat. Tokës i ka dalë pronari dhe truallin e ka bllokuar gjykata. Banorët thonë se u punua vetëm dy muaj, për shembjen e disa ndërtesave të vjetra të një ish-reparti ushtarak. Vetëm kaq. Puna është pezulluar dhe në sheshin e planifikuar në rrugën “5 Maji”. Edhe aty heshtje. Ndërkohë kryetari i Bashkisë dhe i gjithë kabineti qeverisës inaugurojnë ndonjë shtëpi tek-tuk siç ishte ajo e Baldushkut. Shifrat janë kokëforta, dhe s’mund t’i zbusë asnjë lloj propagande.
Shpenzime
Nga 3,389 banesa individuale që u vlerësuan DS3 në tërmetin e 26 nëntorit si të pabanueshme dhe për t’u shembur, janë ndërtuar vetëm 48 të tilla. Pra, rreth 1.5 për qind e totalit. Ndërsa për pallatet që do rindërtonte qeveria as që bëhet fjalë. Vetëm për Bashkinë e Tiranës janë menduar të ndërtohen 92 pallate për 4646 apartamente, ndërsa duhet të ndërtoheshin dhe 565 banesa individuale kryesisht në rrethina. Por duke u nisur nga numri i përgjithshëm në rang vendi, merret lehtë me mend se çfarë është bërë.
Në relacionin e buxhetit për vitin 2021, thuhet se pallatet janë në proces prokurimi, ndërsa nuk jepet një informacion i saktë se çfarë po bëhet me rindërtimin e banesave individuale. Shpenzimet kanë qenë marramendëse. Mendohet se për rindërtimin deri më tani janë harxhuar rreth 117 milionë euro nga 150 milionë të akorduara në momentet e para të pandemisë.
Kryesisht paratë kanë shkuar për qira, apo për riparimin e shtëpive që janë lehtësisht të dëmtuara. Por edhe për këtë pjesë mungon transparenca duke lënë hije të forta dyshimi. Mendohet se një pjesë e mirë e fondeve, janë shpërndarë te persona që nuk kanë pasur asnjë dëmtim në shtëpitë e tyre me lidhje të forta me krerët lokalë, apo militantë të pushtetit. Gjithsesi kjo kërkon një hetim më të specializuar.
/Mapo.al/