Gjashtë të vdekur dhe 11 të plagosur është bilanci i një aksidenti të rëndë që ndodhi në Bolzano të Italisë. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 01:15 të mëngjesit të sotëm.
Mediat italiane raportojnë se një makinë ka përplasur një grup turistësh gjermanë, duke shkaktuar 6 viktima dhe 11 të plagosur.
Policia arrestoi drejtuesin e mjetit, një 28-vjeçar.
Disa prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë. Përplasja ka qenë e fortë, duke i hedhur njerëzit disa metra në ajër.
Policia ka nisur hetimet, ndërsa ende nuk dihen arsyet e aksidentit tragjik. Mediat italiane shkruajnë se po hetohet edhe mbi një përplasje të qëllimshme të grupit të turistëve.
Viktimat raportohet se janë të rinj të moshës 20-25 vjeç, që mendohet se po kryenin një shëtitje para se të ktheheshin në hotel, pasi më parë ishin në një disko.
Drejtuesi i automjetit, i arrestuar, ka rezultuar në gjendje të dehur. Ai ndodhet në një spital ku po i kryen analizat, pasi rezultoi me përqindje të lartë alkooli në gjak.
“Një skenë e tmerrshme”, tregon një grua, e cila ishte dëshmitare në vendin e ngjarjes.
“Njerëz në tokë, ulërima, dhimbje … Një tragjedi. Nuk ka fjalë”, shprehet ajo.
Drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar dhjetra automjete të ndihmës së shpejtë, zjarrfikëse dhe ambulanca, si dhe ekipet e shpëtimit.