Genc Sejko është i njohur për memet e tij të goditura ku objekt i ironisë janë figurat e politikës, por edhe për satirën e sarkazmën me të cilat i shoqëron ato. Lupës së tij nuk i ka shpëtuar këtë herë as Samiti i Diasporës i proklamuar me pompozitet nga qeveria si momenti i ndryshimit të madh për shqiptarët që banojnë nëpër botë. Dhe jo pak, por për këtë samit katër ditor u shpenzuan rreth 700 mln lekë të vjetra, para nga taksapaguesit shqiptarë. Por edhe ky luksi i shfrenuar sërish nuk i ka dhënë zgjidhje disa problemeve me të cilat identifikohen rëndomtë shqiptarët, duke lënë kështu një shije aspak të këndshme.
Dikush i ulur në parket, dikush i mbështetur pas murit dhe me një pjatë në dorë thjesht po ushqehen. Ndërsa disa të tjerë mbajnë radhën përpara tavolinës për të marrë ushqim. Pamje të ngjashme me ato të një kampi refugjatësh dhe jo të një takimi solemn për të cilin janë shpenzuar miliona. Ky është trajtimi që u është bërë shqiptarëve të ardhur nga diaspora.
Reklamë më të keqe se kjo nuk mund të kishte. Por si gjithmonë, këtu ajo që dihet është se nga dalin paratë, por jo se ku shkojnë realisht… Dhe asnjë aktivitet tjetër më mirë se ky i qeverisë me Samitin e Diasporës nuk mund ta ilustrojë këtë.