Aktualitet

Njeriu i padukshëm






               Publikuar në : 10:05 - 17/07/19 |
Erion Kristo

Njerëzit komunikojnë me njëri-tjetrin. Shoqëritë përdorin kode komunikimi, sidomos kur dikush takohet me dikë tjetër. Bëhen pyetje për shëndetin, njerëzit e shtëpisë, lodhjen. Gjëra të tilla. Në çdo krahinë të shkosh, pak a shumë është e njëjta gjë: do pyesësh, do marrësh përgjigje; do të të pyesin, do japësh përgjigje. Përgjigjja më e shpeshtë është: mirë, mirë. Në përgjithësi, pak informacion përcillet përmes këtij lloj komunikimi. Më së shumti bëhet fjalë për një rutinë, një komunikim sipërfaqësor, sa për të thënë, sa për të larë gojën. Kjo kuptohet fare mirë kur e njëjta pyetje bëhet disa herë, gjë që tregon mungesë vëmendjeje në bisedë, një interes të shtirë. Rrallë merr vesh ndonjë gjë, sidomos kur njeriu që ke takuar, ka pësuar ndonjë gjëmë. Edhe unë nuk i shpëtoj kësaj rutine. Shpeshherë, kur më pyesin: Si je? Përgjigjja ime është: – Si në Luftë. – Çfarë lufte më thonë? – Luftë me Njeriun e Padukshëm, – gjegjem. Njerëzit përgjithësisht mbeten si të shastisur. Rrallë ndodh që dikush i përgjigjet në mënyrë të këndshme ngacmimit tim. Dhe nuk duhet të mendohet se shqiptarët janë një racë që nuk e njohin thumbin, të folurit me të hedhur. Mjafton të kujtojmë këtu dibranët që janë të famshëm për të folurit hidh e prit, me kunja. E prapëseprapë, përsëri ka shumë ngurrim përballë pyetjes: Ç’thotë Lufta? Po çfarë na qenka kjo Luftë dhe ky Njeriu i Padukshëm?


Lufta është gjendja jonë e përhershme. Ne jetojmë si të ishim në luftë. Dhe kjo jo vetëm se ka shumë viktima, si të ishim në luftë. Po ne nuk jemi të qetë, madje jemi më shumë se sa të stresuar. Ne jemi të tërbuar. Këtë mund ta hasësh fare mirë thjesht po të shohësh mënyrën se si ngasim automjetet. Ka shumë tërbim në sjelljen tonë. Ka shumë vrazhdësi. Njerëzve shëndet t’u thuash, plaç të thonë. Mjafton të shohësh mënyrën se si i zgjidhim problemet tona dhe do vësh re se ka shumë tritol, djegie makinash, plagosje dhe tentativa për vrasje. Dhuna fillon në Kuvend dhe dallgë-dallgë zbret poshtë në popull. Edhe politika është luftë, një luftë e hidhur, një luftë shpresëvrasëse. Njerëzit ulërijnë, fëmijët ulërijnë, pleqtë ulërijnë edhe më keq. Politikanët gërthasin, analistët bërtasin, policët vikasin. Kundër kujt luftojmë ne? Ne luftojmë kundër të gjithëve. Për çfarë luftojmë ne? Ne luftojmë për lekë dhe leku është bërë e vetmja vlerë në shoqërinë tonë. A ka në vendin tonë idealizëm? Një pyetje që meriton një shkrim, ndoshta dhe shumë shkrime. A luftojmë për vendin tonë? Jo. Ne luftojmë kundër vendit tonë. Çdo gjë që bëjmë shkon kundër interesave të përgjithshme. Kjo gjendje e luftës quhet: homo homini lupus. Dhe vërtet jemi bërë shumë të këqij. Mjafton të shohim mënyrën se si njerëzit reagojnë nëpër rrjetet sociale dhe do vëmë re nevojën e madhe që kemi për psikiatër. Të sharat me rob shpie janë si sheqeri i kafes. I gjen ngado. Lufta te ne është ajo që bëhet kundër shtetit, për ta dobësuar dhe asgjësuar atë. Luftë te ne është lufta kundër njeriut, që bëhet për ta ndjekur atë. Lufta te ne është kundër jetës, që bëhet për ta cenuar atë. Le të marrim vetëm një fragment, grabitjet me armë, që janë shtuar shumë. Por nëse nuk mjafton kjo, kemi dhe vjedhjet nëpër fshatra. Rasti i fundit, ku një njeri humbi jetën pas vjedhjes së lopës, është shumë flagrant dhe domethënës (le të rëndojë kjo vdekje në ndërgjegjen e dikujt që komandon). Njeriu e humbet kollaj toruan në këtë vend. Na ka ikur fiqiri. Kemi humbur peshoren. Lufta në këtë vend bëhet kundër lumenjve (aq sa Evropa është ngritur në mbrojtje të tyre); lufta në këtë vend bëhet kundër pyjeve (se për çfarë duhet moratoriumi kur ditën për diell grabitja vazhdon e pashqetësuar); lufta në këtë vend bëhet kundër faunës, bregdetit, minierave etj. Kot sa për ta ditur, çfarë ka përfituar vendi ynë dhe fëmijët tanë nga fakti që Shqipëria ka naftë? Lufta në vendin tonë bëhet ndaj mjekëve (nuk besoj se ka një vend të dytë ku dhunohen mjekët); lufta në vendin tonë bëhet ndaj shitësve ambulantë (përditë arrestohen dhe dhunohen shitësit e misrave); lufta në vendin tonë bëhet ndaj hapësirës publike (numri i pallateve për kilometër katror është impresionues).

Dhe nuk kemi folur për shëndetin, për ilaçet, për ushqimet, për ujin e pijshëm. Do të duheshin shkrime për secilën nga këto fjalë dhe realitete. Shteti lufton kundër makinave, makinat kundër këmbësorëve, këmbësorët kundër çiklistëve. Në fund vijnë motoristët me dy grupimet e tyre të mëdha: grupi i shpërndarësve të picave, një grup i paparë tërësisht antiligj dhe grupi i motorëve të mëdhenj që bëjnë zhurmë dhe ndotin veshët tanë si të ishin armë kimike.

Mund të kishim vazhduar pa fund, se ka shumë për të thënë, por po e lëmë. Sepse mjafton të përmendim bjerrjen e konceptit të tenderit dhe krijimin e konceptit të PPP; bjerrjen e konceptit të reagimit dhe krijimin e shoqërisë civile artificiale; bjerrjen e parlamentarizmit dhe krijimin e opozitës së re parlamentare etj. etj. Po lufta më e madhe është lufta me Njeriun e Padukshëm. Ai sundon i fuqishëm jetët tona. Ja një njeri i padukshëm: ai është një njeri që lë gjithmonë qeskat e plehrave te korridori i ngushtë mes dy pallateve ku ne kalojmë. Ai është shumë këmbëngulës, i lë ato gjithmonë aty. Ai është terrorist, sepse rrezikon fëmijët tanë. Ndërkohë është dhe gomar me zile, sepse ai vazhdon të kalojë vetë aty, ndoshta bashkë me fëmijët e vet. Njeriu i padukshëm ekziston. Ai banon në Tiranë dhe kudo. Ai është përgjegjës për qindra gjëma që ndodhin këtu, gjëma që nuk shqetësojnë askënd. Ai na komplikon jetën, megjithëse është i padukshëm. Ka plot njerëz të padukshëm, të mirë e të këqij. 150 mijë njerëz i bëjnë like prapanicave të një këngëtareje, dhe nuk është një superfoto, por një foto e zakonshme. Por ata nuk janë aty kur u bën thirrje për një protestë ku preken xhepat e njerëzve, p.sh. për rritjen e çmimit të naftës. Prandaj politikanët tallen me ne në mënyrë flagrante duke thënë fjali të tilla, si: Unë do iki kur të dua unë, jo kur të mërziteni ju me mua; Ne nuk do vjedhim në mënyrë kaq flagrante; Qytetarët të mos shqetësohen se paratë se nuk do t’i paguajnë ata, por buxheti i shtetit; Nuk do rritet çmimi i naftës për qytetarët, por për makinat etj. etj. Militantizmi është një armik i padukshëm. Ai është aty pas porte. Ai sulmon, por pa arsye, me tërbim. Ai ka të drejtë dhe s’ka të drejtë. Ai e sulmon vetëm pjesërisht të keqen. Ai i shërben të keqes me vetëdije. Edhe kur të fuqishmit nuk të shohin, ai të sheh dhe të masakron. Ai shfaqet në formën e një sulmi kibernetik, në formën e një ofendimi në fejsbuk, apo të një kërcënimi virtual. Ai është aty, kudo dhe kurdoherë për të heshtur këdo që flet, a thua se paguhet nga sistemi enverist për të heshtur kundërshtarët.

Njeriu i padukshëm hedh gjëra nga dritarja e shtëpisë, pallatit, makinës. Njeriu i padukshëm kopjon në provim, vjedh pasqyra, shet ora të vjedhura. Njeriu i padukshëm e paketon bukur barin, fik radarët, fut drogë brenda në burgje etj. Njeriu i padukshëm lë punonjësit pa rrogë dhe ble shtëpi miliona euro dhe makina të shtrenjta. Njeriu i padukshëm futet në parlament edhe pse ka qenë i dënuar. Njeriu i padukshëm fut vota në kuti edhe kur askush nuk ia kërkon. Njeriu i padukshëm merr medalje mirënjohjeje vetëm sepse është kryehajdut. Njeriun e padukshëm e ftojnë nëpër mbledhje ku jepen mendime të rëndësishme, apo në aktivitete me personazhe të rëndësishëm. Njeriu i padukshëm është dhe elitë. Njeriu i padukshëm bën ekspertizë dhe paguhet shtrenjtë për të (p.sh. ekspertiza e një rruge kushtoi pothuaj sa rruga dhe askush nuk u dënua). Njeriu i padukshëm vjedh dosjet e prokurorisë, përvetëson kanabisin e kapur, grabit brenda në aeroport (hajduti kapet, por lekët jo). Njeriu i Padukshëm është real. Ai jeton mes nesh. Ai na bën dëme dhe ne e falënderojmë. Njeriu i Padukshëm duhet të shpallet Qytetar Nderi apo të marrë medalje presidenciale (në fakt vetëm ai i merr këto). Njeriu i Padukshëm është Pisnjeri. Lufta jonë nuk është thjesht për mbijetesë. Ne luftojmë kundër Njeriut të Padukshëm. Ai ka përparësi se nuk duket. Por ai lë gjurmë. Shumë gjurmë. Gjurmët dikur do ndiqen dhe Njeriu i Padukshëm do kapet. Ai ende nuk e di këtë. Atë do ta kapin Njerëzit e tjerë të Padukshëm, thjesht për të krijuar bindjen se e keqja ndëshkohet.


Etiketa: ,

Pas