Atëherë kur ishte menduar se çështja e daljes së Britanisë nga BE nuk mund të ishte më komplekse, në skenë kanë dalë edhe vendime që datojnë mbi 400 vjet më parë. Të hënën, kreu i parlamentit anglez, John Bercow tha se nuk do e lejojë kryeministren britanike që të sjellë marrëveshjen për Brexit që të votohet për herë të tretë. Deklarata e tij i befasoi të gjithë, kjo për shkak të rolit që ka kryeparlamentari.
Besojeni ose jo, Bercow citoi një mbledhje parlamentare të 2 prillit 1604. “Kur ke një parlament prej kaq shumë kohësh, natyrisht do presësh të tilla gjëra,” thotë ekspertja Jill Rutter.
Mëngjesin e sotëm, John Bercow u shfaq duke qeshur para kamerave, i pashqetësuar nga bllokimi i Brexit. I pyetur nga mediat se përse e mori këtë vendim, ai u tha gazetarëve: “Duhet të merrni ndonjë kafe apo çaj”.
Deputeti konservator, James Gray tha se ky është fundi i Brexit. “Mendoj se ky ishte fundit për Brexit- nuk besoj se Britania do dalë nga BE”.
Pavarësisht këtij qëndrimi, zyra e kryeministres britanike tha se do e sfidojnë atë me një votim të tretë.
Vetë Bercow ka lënë një dritare të hapur, kur tha se votimi i tretë mund të bëhet nëse ka ndryshime të qenësishme në marrëveshjen që do sillet para deputetëve.
Para disa kohësh, e shoqja e John Bercow ishte në qendër të vëmendjes mediatike. Sally Bercow konfirmoi për mediat zërat se ka pasur një aferë me kushëririn e të shoqit, Alan Bercow, por ky i fundit e la për t’u rikthyer tek e shoqja, Erica. Nëna e tre fëmijëve, e njohur për stilin e saj të tepruar të jetesës, tha se nuk i pëlqente jeta në parlament.
“Urrej të jetoj në parlament. Është sikur të jetosh në një akuarium. Nuk ishin mobiljet tona. Nuk ishte një jetë normale. Vendi ishte i mbushur me portrete politikanësh të q… të shekullit të 18-të”.