Ka shkaktuar shumë reagime në mbarë botën arritja e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes SHBA dhe Kubës.
Papa Françesku, që e lehtësoi arritjen e saj, tha se ky është një lajm i mirë.
Të tjerë liderë amerikanë thonë se ky është fillimi i fundit të Luftës së Ftohtë në kontinentin amerikan.
Republikanët në SHBA nuk janë dhe aq të gëzuar, por ngushëllohen me faktin që Alan Gross, amerikani i burgosur prej pesë vitesh në Kubë, është liruar.
Megjithatë, bashkë me të është liruar edhe një operativ i inteligjencës amerikane, që kishte 20 vite në burg.
Mashkulli i paidentifikuar kubanez u shkëmbye me tre të burgosur kubanezë në SHBA.
Edhe pse administrata e Obamës nuk e jep emrin e spiunit të tyre, ata e kanë falenderuar për shërbimin dhe “asistencën kritike”.
“Ky njeri, sakrificat e të cilit janë të njohura për pak njerëz, ka kaluar rreth 20 vite në një burg kubanez,” thuhet në një deklaratë.
“Informacionet e ofruara prej tij kanë ndihmuar në identifikimin dhe shkatërrimin e shumë operacioneve të inteligjencës kubaneze në SHBA dhe kanë sjellë një seri hetimesh të suksesshme për spiunazh”.
Informacionet e tij ndihmuan në identifikimin dhe dënimin e Ana Belen Montes, një analiste e lartë në Agjencinë e Inteligjencës për Mbrojtjen.
Ajo kishte spiunuar 17 vite për Kubën, duke punuar në nivele kaq të larta.
Informacionet e tij kanë ndihmuar edhe në hetimin dhe dënimin e ish- zyrtarit të Departamentit të Shtetit, Ëalter Kendal Myers. Ai akuzohej për komplot për spiunazh dhe mashtrim.
Edhe gruaja e tij është dënuar nën akuzën e mbledhjes dhe transmetimit të informacioneve në fushën e mbrojtjes.