Gjermania ende ishte nën shok. Lajmi për përdhunimin dhe vrasjen e 14-vjeçares Suzana F. nga një irakian, të cilit i ishte mohuar azili, kishte tronditur vendin. Ali Bashar, 20 vjeç, ishte arratisur pas krimit të rëndë dhe gjendej në vendlindjen e tij, në një zonë kurdësh në Irak.
Por arratia nuk zgjati shumë. Në krye të një njësiti special, shefi i policisë federale, Dieter Romann e solli atë me pranga në Gjermani.
Teksa e hipte Basharin në një avion të kompanisë Lufthansa, gjermani i hekurt deklaronte për gazetën Bild se këtë ia kishin borxh nënës së vajzës së ndjerë.
Por historia nuk do mbaronte me kaq. Gëzimi i gjermanëve për arrestimin e Bashar ishte i madh.
Thuajse një muaj më parë, prokurorët gjermanë thanë se po e hetojnë Dieter Romann për rrëmbim personi. Arsyeja? Ai udhëtoi në rajon kurd për të sjellë Basharin në Gjermani, edhe pse nuk ka pasur një marrëveshje formale ekstradimi.
Por teksa ka median dhe opinionin publik me vete, Romann është një njeri që do shkaktonte ‘tërmet’ edhe në Shqipëri.
Dy javë më parë, kur gazetat gjermane raportuan se ai do vinte në Tiranë, dihej që nuk do ishte një vizitë kortezie.
Dhe ndodhi ashtu siç pritej. Ditët që pasuan sollën disa prej goditjeve më të forta në luftën ndaj krimit, që nisën me gjetjen e një laboratori drogërash të forta në Has dhe më pas me arrestimin e bandës së Avdylëve në Shijak.
Thonë që nuk bëhet shaka me miellin e gjermanit.