Procesi i zgjedhjeve për krerët e rinj të degëve të Partisë Demokratike në rrethe i nisur nga Komisioni i Rithemelimit nuk do të ndalet. Një ditë pas mbledhjes maratonë të grupit parlamentar, deputeti Flamur Noka tha se shtyrja e këtij procesi dhe ajo e kuvendit të 30 Prillit, i shërben frymës përçarëse dhe aspak bashkuese të demokratëve.
Flamur Noka: Zgjedhjet që ishin në 23 Mars u shtynë, por të vazhdojë çështja e kuvendit në kalendat greke kjo është pastaj një çështje e tjetër kujt dhe jo e PD-së.
Kur flet për përçarje, gishtin e drejton ndaj Enkelejd Alibeajt, të cilin anëtarët e Komisionit të Rithemelimit nuk e njohin më si kryetar grupi.
Flamur Noka: Enkelejd Alibeaj nuk ka lidhje me këtë agjendë të bashkimit. Enkelejd Alibeaj po vazhdon lojën e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për të përçarë PD-në. Enkelejd Alibeaj nuk e ka mision atë që kërkojnë demokratët, të bëhemi më të bashkuar, më të hapur dhe më të fortë për t’u përballur me regjimin.
Me shqetësim, Noka foli edhe për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, që sipas tij faktoi presionin e qeverisë dhe të Kryeministrit Rama mbi sistemin e drejtësisë.
Flamur Noka: Se kush bën presion mbi drejtësinë, e tha dje, jo vetëm Sali Berisha, por raporti i DASH. Ai që i bën presion drejtësisë dhe që ka ndikuar dhe po ndikon mbi drejtësinë quhet Edi Rama. Një nga shfaqjet më brutale të këtij presioni, Edi Rama e dha gjatë Kongresit të Partisë Socialiste, kur i tregoi SPAK-ut kë duhet të hetojë dhe kush është i paprekshëm.
Duket se kjo çështje, si dhe zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike do të jenë në fokus të mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit në orën 19 të pasdites.