Ish-kryeministri Sali Berisha, në një konferencë për shtyp ka lajmëruar se ka ngritur Padi Penale për shpifje ndaj sekretarit amerikan të shtetit, Donald Blinken, për aktin e tij të shpalljes “non grata” në SHBA nën pretendimin e korrupsionit me fondet publike gjatë kohës kur ishte në pushtet. Ish-kryeministri shprehet se për këtë qëllim ka zgjedhur Francën dhe një nga avokatët më të mirë atje. Sipas tij, pas akuzave fshihen qarqe të caktuara qeveritare, por edhe multimiliarderi George Sorros
Ish-kryeministri Berisha, ka paralajmëruar dje padi penale për Sekretarin e Shtetit amerikan, Donald Blinken për shpifje, pas vendimit të firmosur prej tij për shpalljen “non grata” të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit shqiptar, me pretendimet se gjatë ushtrimit të detyrës ka kryer korrupsion në nivele të larta.
Pas deklaratës së një dite më parë Berisha e sfidonte Blinken që të paraqiste dokumenta në lidhje me këtë çështje. Padinë kryeministri ka vendosur që ta ngrejë në një vend neutral si Franca, dhe siç tha Berisha, pas konsultimeve me avokatin e tij Batonnier Jean Yves le Bourgne.
Sipas asaj çfarë i ka thënë Le Bourgne, që është dhe kreu i dhomës së avokatëve penalë në Francë, në lidhje me këtë vendim zoti Blinken nuk është i mbrojtur nga asnjë imunitet diplomatik apo shtetëror.
“Kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral dhe të respektuar, siç është Franca, që të ngrejë ndaj zotit Blinken një padi direkte para Gjykatës Korreksionale të Parisit, për shpifje publike. Zoti Blinken mundet ndoshta të pretendojë se, sipas rregullave si ministër i Punëve të Jashtme, ai përfiton imunitet.
Kjo është gënjeshtër. Imuniteti sot vlerësohet nga gjykatat në një mënyrë relative, çka do të thotë se, Sekretari Blinken është i mbrojtur nga imuniteti kur ai kryen akte normale në ushtrimin e funksionit si përfaqësues i qeverisë.
Por duke filluar nga momenti kur zoti Blinken bëhet autor i një komedie dhe montazhi politik, të destinuar për të më dëmtuar, kjo nuk hyn në funksionin e tij të ministrit.
Pra, sipas avokatit që unë kam konsultuar, zoti Blinken nuk është i mbrojtur me asnjë imunitet, ndaj dhe do të paditet dhe dënohet nga Gjykata Korreksionale e Parisit, në të cilën është ngritur padia sot (dje) nga avokati im,” tha Berisha. Akuza është individuale dhe në të nuk është përfshirë Departamenti i Shtetit.
Përfshirja e PD
Berisha tha se po i ndërmerr këta hapa pasi i është prekur nderi dhe dinjiteti. Përgjatë konferencës për shtyp, ai la të kuptohet se nuk do të heqë dorë nga politika, dhe duket se nuk ka ndërmend të dorëzojë mandatin që e fitoi në zgjedhjet e 25 prillit. Berisha u shpreh se në këtë betejë që ka nisur, Partia Demokratike dhe grupi parlamentar i saj nuk do të përfshihen.
Berisha u shpreh se në këtë betejë është i vetëm, dhe si qytetar i thjeshtë përpara Sekretarit amerikan të Shtetit.
“Grupi parlamentar nuk ka lidhje me betejën time, betejën do ta bëjnë avokatët. Unë jam dhe insistoj për marrëdhënie të mira, por duhet të kuptohet që harmonizimi i objektivave do kohë të evoluojë.
Unë nuk jam në gjendje ta pohoj se çfarë i shtyu pas 8 vitesh i tërhequr nga drejtimi i vendit, se në politikë jam. Me rëndësi është që motivi është i bazuar mbi të pavërteta. Ndaj meje përgjatë gjithë karrierës nuk ka asnjë padi penale”, -tha Berisha.
Ndërkohë në lidhje me mandatin e deputetit, i pyetur në emisionin “Opinion” Berisha e rikonfirmoi se nuk ka ndërmend të tërhiqet. “Nuk kam ndërmend të dorëzoj mandatin e deputetit, madje aktivitetin tim politik kam ndërmend ta dyfishoj”, -tha Berisha.
Ndikimi te Basha
Kryeministri u shpreh në Opinion se nuk ka asnjë ndikim në veprimet politike të kryetarit aktual të opozitës. Sipas tij, dhe ngritja e çadrës në vitin 2017 ishte ide e Bashës, por ish-kryeministri u shpreh dhe në lidhje me djegien e mandateve. “Ideja e “çadrës” ishte e Bashës, unë jam njeri i shesheve, dy fjalët që thashë kur u dogjën mandatet ishin: Kjo mund të rezultojë e suksesshme por mund dhe të na çojë në katastrofë”.
Nga ana tjetër, Berisha foli dhe për ndikimin e qarqeve të caktuara për të imponuar persona në rangje të larta të shtetit.
“Ata e kanë caktuar presidentin. A nuk u bë përpjekje e madhe për Sandër Lleshajn? Soros merret me mua më shumë se e kam kundërshtuar publikisht.
Soros këtu shkaktoi një dëm kolosal. Sorosi i bëri të gjithë të majta. Soros në rastet e 21 Janarit i shkruan Hillary-t. Solli këtu njeriun e tij. Knut Fleckenstein. Del në konferencë për shtyp, dhe thotë çfarë pune ka Berisha me Soros.
Unë e pashë emrin e tij në listë dhe i thashë miqësinë me të dhe mos e përzier këtë. Knuti tha Berisha është i lidhur me Putinin. Ata vdiqën gazit dhe thanë mos e thuaj këtë se vetëm këtë nuk e beson njeri. Projektin e reformës e ka hartuar grupi i Soros.
Thashë që kjo është goditje e mirëfilltë politike. Qëndrimet që unë kam mbajtur nuk janë pëlqyer. Për Reformën në Drejtësi kam qenë 100% pro”, -tha Berisha, ndërkohë që akuzoi dhe Kryeministrin Rama si bashkëpunëtor në ngritjen e akuzave ndaj tij.
Le Borgne, avokati i politikanëve dhe biznesmenëve të mëdhenj
Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje se ai ka marrë një avokat francez, Jean-Yves Le Borgne, për të paditur në rrugë gjyqësore në Francë Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken për veprimin e tij për shpalljen ‘non grata’. Jean-Yves Le Borgne, 71 vjeç kryeson Shoqatën e Avokatëve Penalë të Francës dhe ka mbrojtur në gjykatat e këtij vendi shumë personalitete të larta politike si ish-kryetarin e Parisit Jean Tiberi, ish-drejtorin e kabinetit të Jacques Chirac dhe biznesmenë të mëdhenj si ish-bosin e Renault, sipërmarrësin Carlos Ghosn.