Aktualitet

“Non Grata” në SHBA, Berisha: Nxirrni çdo provë që keni ndaj meje














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:09 - 20/05/21 |
mapo.al

Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, me anë të një deklarate ka bërë të ditur vendimin e departamentit të shtetit, për t’i ndaluar hyrjen në SHBA, ish-Kryeministrit dhe ish-Presidentit Sali Berisha, si dhe familjes së tij. Arsyeja sipas deklaratës, është ajo e korrupsionit me fondet publike kur ka qenë në qeveri dhe retorika e përdorur sipas DASH, që tenton t’i dalë në mbrojtje aleatëve të tij dhe familjarëve të përfshirë në korrupsion. Reagon ish-Kryeministri: Bëni publike çdo provë që keni ndaj meje, kam marrë kërcënime për ndarjen e kufijve që u gatua nga George Sorros në Beograd






Me anë të një deklaratë të publikuar dje, Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony J Blinken, ka njoftuar se i është ndaluar hyrja në SHBA, ish-Kryeministrit dhe ish-Presidentit në vitet 1992-1997 Sali Berisha, dhe anëtarëve të afërm të familjes, bashkëshortes Liri Berisha, djalit Shkëlzen Berisha dhe vajzës Argita Berisha Malltezi.


Motivet që pretendohen nga departamenti i shtetit janë ato të korrupsionit me fondet publike, si dhe retorika që ai ka përdorur për të mbrojtur sipas deklaratës korrupsionin e të afërmve të tij dhe aleatëve të tij gjatë qeverisjes. Nga ana e tij vetë ish-Kryeministri, i dorëhequr nga të gjitha funksionet që para tetë vitesh, i kërkon departamentit të shtetit të bëjë publike çdo provë apo dokument që ka ndaj tij, por pa harruar t’i kujtojë se nën qeverisjen e tij u bë e mundur hyrja e Shqipërisë në NATO, liberalizimi i vizave etj. Berisha në përgjigjen që i ka dhënë Blinken, kujton se përgjatë qeverisjes së tij marrëdhëniet mes dy vendeve ishin në ditët e tyre historike më të mira. Fakt është se përgjatë qeverisjes së demokratëve, u realizua për herë të parë në histori dhe vizita e një presidentit amerikan në Shqipëri.







Blinken
Në një njoftim për shtyp sekretari Blinken, deklaroi: “Sot shpall publikisht “non grata” Sali Berishën, një ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndësishëm. Në cilësinë e tij zyrtar si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në shpenzimet e besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë”.




Madje duket se Departamenti i Shtetit, është i shqetësuar dhe nga retorika që përdor kryeministri, që sipas Blinken “tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve antikorrupsion dhe masave të përgjegjësisë. Përveç Berishës, unë po caktoj publikisht si “non grata” bashkëshorten e tij, Liri Berishën, djalin, Shkëlzen Berisha si edhe vajzën, Argita Berisha Malltezi. Këta individë nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara. Ky emërtim riafirmon angazhimin e përkrahjes së SHBA për reformat politike kryesore për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me popullin e Shqipërisë. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete si kjo për të promovuar përgjegjësinë për aktorët e korruptuar në këtë rajon dhe globalisht”. përfundon deklarata.



Berisha
Por nuk ka vonuar dhe përgjigjja e ish-Kryeministrit Sali Berisha në lidhje me këtë çështje. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Berisha thotë se gjatë 30 viteve aktivitet politik nuk ka asnjë akuzë ndaj tij, dhe e fton departamentin e shtetit të publikojë çdo dokument apo akuzë që ka ndaj tij. “Gjatë 30 viteve në politikë nuk ka ekzistuar kurrë asnjë akuzë në adresën time, nga asnjë person, asnjë institucion vendas apo i huaj për abuzim të fondeve publike dhe çfarëdolloj tjetër korrupsioni.

Shtoj gjithashtu se gjatë të gjitha viteve të mia në pushtet, por dhe deri më sot, familjarët e mi nuk kanë përfituar kurrë nga fonde dhe asete publike dhe kanë zbatuar me rigorozitet të plotë ligjet e vendit. Ata deri më sot nuk kanë qenë kurrë nën akuzë nga drejtësia shqiptare apo e ndonjë vendi tjetër. Duke shprehur keqardhje për vendimin dhe duke e konsideruar atë pa asnjë bazë konkrete, ju ftoj të bëni publike çdo fakt e dokument që administrata juaj, apo kushdo në botë, mund të disponojë për të argumentuar pretendimin tuaj për mua dhe familjarët e mi”, thotë ndër të tjera ish-Kryeministri. B

erisha i kujton Blinken se gjatë qeverisjes së tij, vendi u anëtarësua në NATO, u liberalizuan vizat me BE-në, por u firmos dhe marrëveshja me MCA. “Gjithashtu gjykoj se një ndër faktorët më kryesorë që qeveria që unë kam drejtuar arriti të anëtarësojë Shqipërinë në NATO, të firmosë Marrëveshjen e Stabilizimit-Asocimit dhe liberalizojë vizat me Bashkimin Europian, të arrijë nivelin e pragut të MCAC, dhe të tërheqë investime madhore, por edhe të shënojë kulme në marrëdhëniet midis dy vendeve tona mike, ka qenë lufta e suksesshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e dokumentuar kjo dhe në raporte dhe vlerësime të qeverisë së SHBA. Gjatë 30 viteve në politikë unë kam patur në SHBA, dhe kam më shumë se në çdo vend tjetër, miq të mëdhenj, me të cilët ndihem gjithnjë krenar. Mirënjohja ime mbetet e pakufishme për gjithçka vendi juaj i madh ka bërë për lirinë e kombit tim”, thotë Berisha.

Çështja e Kufijve
Ish-Kryeministri shprehet se prej tetë vjetësh ka dhënë dorëheqjen nga çdo funksion, dhe është larguar nga pushteti, por ndërkohë është njeriu që ka denoncuar çdo akt korrupsioni qeveritar, apo dhe krimi të organizuar të lidhur me të. Por në deklaratën e tij Berisha nuk lë pa përmendur rolin e multimiliarderit George Sorros në Shqipëri, dhe ndikimin që ai ka pasur në çështjen e ndarjes së kufijve në Kosovë. “Unë kam 8 vite që kam dhënë dorëheqjen nga çdo funksion drejtues dhe jam larguar nga pushteti por kam qëndruar i vendosur në mbrojtjen e interesit publik dhe kombëtar të shqiptarëve, ashtu siç i vlerësoj unë ato. Unë kam denoncuar më shumë se kushdo tjetër në këtë vend publikisht brenda dhe jashtë vendit, krimin e organizuar shqiptar dhe bandat e tij, kartelet e drogës, lidhjet e tyre me zyrtarët më të lartë shqiptarë, por edhe të huaj, korrupsionin e papërmbajtur qeveritar në Shqipëri. Po kështu unë kam mbështetur reformën në drejtësi e të gjitha ndryshimet kushtetuese, por kam kritikuar dhe denoncuar çdo akt të ndërmarrë në kundërshtim flagrant me amendamentet kushtetuese për vendosjen e kontrollit të plotë politik mbi sistemin e drejtësisë.

Lexo edhe :  Berisha në Dibër: Mbi 2/3 e delegatëve kanë firmosur për thirrjen e Kuvendit

Unë gjithashtu kam denoncuar në mediat shqiptare dhe të huaja, duke ditur shumë mirë pozicionin por edhe lidhjet e panumërta të tij, multimiliarderin George Soros, si korruptorin më kryesor të politikanëve të sotëm dhe në gjykimin tim, si një armik të vërtetë të demokracisë në vendin tim. Përveç kësaj kam denoncuar i pari dhe me forcën më të madhe, publikisht dhe vetëm publikisht, projektin e ndryshimit të Kufijve të Kosovës, i përgatitur nga fondacioni i George Sorosit në Beograd, për çka dhe jam kërcënuar për pasoja, por natyrisht nuk jam impresionuar. Së fundi, duke mos pretenduar kurrë se unë jam i pagabueshëm, duhet t’ju garantoj se unë ndihem krenar me të gjitha qëndrimet e mia dhe ju siguroj se ato kanë qenë dhe do të jenë të motivuara vetëm nga interesi publik dhe kombëtar i kombit shqiptar dhe e vërteta, të cilat unë i kam mbrojtur njëlloj si sot edhe në kohën kur të rinjtë shqiptarë ekzekutoheshin në kufi për realizimin e ëndrrës së tyre amerikane”, përfundon deklarata e ish-Kryeministrit Sali Berisha.

Vendimi për Berishën
Basha: Keqardhje, Berisha, kontribuuesi më i madh i marrëdhënieve me SHBA

Ashtu sikurse ish-Kryeministri Sali Berisha, kryedemokrati Lulzim Basha u ka kërkuar SHBA-ve të bëjnë transparencë për çdo fakt dhe dokument që ka në lidhje me vendimin për të shpallur “non grata” Berishën. Basha thotë se Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë dhe sipas tij e ka çuar miqësinë e Shqipërisë me SHBA në nivelet më të larta. Ai thekson se vendimi i djeshëm i Sekretarit Amerikan të shtetit nuk cenon arritjet madhore të Shqipërisë nën drejtimin e Berishës. “U njoha me keqardhje me vendimin e Sekretarit të Shtetit për ish-Presidentin dhe ish-Kryeministrin Sali Berisha. Duke nënvizuar qëndrimin e z. Berisha, i cili pasi shpreh keqardhjen për vendimin dhe e konsideron atë pa asnjë bazë konkrete, bëj thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim. Dr. Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë, dhe çoi miqësinë dhe aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA në nivelet më të larta.

Gjatë kohës që z. Berisha ishte Kryeministër, Shqipëria përmbushi të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO, si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, ku lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin kryekushte. Në të gjitha këto arritje partner kyç i Qeverisë shqiptare ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për fat të keq, ndryshe ka ndodhur në këto 8 vite, ku për shkak të korrupsionit masiv në çdo sektor dhe lidhjeve të pushtetit me krimin e organizuar, Shqipëria ka mbetur në vendnumëro në zbatimin e reformave që i duhen vendit, si anëtar i NATO-s dhe aspirant për vend anëtar i Bashkimit Europian. Vendimi i sotëm (djeshëm) i Sekretarit të Shtetit nuk cenon arritjet madhore të Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës, kontributin e tij madhor në demokratizimin e Shqipërisë dhe reformat që e afruan vendin me partnerët tanë euroatlantikë, dhe aq më pak marrëdhënien e shkëlqyer të Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë, dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si prioritet absolut kombëtar. Partia Demokratike është e vendosur të vazhdojë pa asnjë kompromis luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në dobi të demokracisë, shtetit të së drejtës, transparencës dhe mirëqenies së Shqipërisë dhe kombit shqiptar”, shkruan Basha.

Viti 2009, kur Blinken vlerësonte punën e qeverisë Berisha
Në një takim në vitin 2009 në Shtëpinë e Bardhë, kur Blinken ishte Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Zëvendëspresidentit Joe Biden, vlerësonte Berishën aso kohe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në një njoftim të Kryeministrisë të asaj kohe thuhet se “Dje pasdite në Shtëpinë e Bardhë, Kryeministri Berisha u prit në takim nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Zëvendëspresidentit të SHBA-së, z. Antony Blinken. Kryeministri Berisha e njohu z. Blinken me përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me qëllim shndërrimin e Shqipërisë në një vend të sigurt për qytetarët dhe një vend tërheqës për investimet të huaja. Gjithashtu, Kryeministri vuri në dukje reformat e qeverisë në fushën ekonomike, krijimin e një klime të favorshme për biznesin, duke përmendur shkurtimin e shpenzimeve operative, nxjerrjen e administratës jashtë konfliktit të interesit, dixhitalizimin e shërbimeve administrative, si e-government, e-taksat etj. Nga ana e tij, Zoti Blinken vlerësoi me nota tejet pozitive zhvillimet në Shqipëri dhe theksoi se ndihej entuziast për rezultatet dhe sukseset e arritura nga qeveria shqiptare.

Ai e vlerësoi procesin e anëtarësimit në NATO si një moment të madh historik dhe theksoi se baza kryesore e këtij anëtarësimi janë standardet e arritura nga qeveria shqiptare. Ai shprehu vlerësimin e lartë për aleancën e madhe të Shqipërisë me SHBA, duke e konsideruar vendin tonë një nga miqtë më të mirë të SHBA-së. Gjithashtu, zoti Blinken vlerësoi lart suksesin e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, reformat ekonomike etj. Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Zëvendëspresidentit të SHBA-së, z. Antony Blinken, e siguroi Kryeministrin Berisha se administrata e re e Presidentit Obama do të vazhdojë të njëjtën mbështetje dhe vëmendje ndaj vendit tonë dhe siguroi se qeveria shqiptare dhe Shqipëria do të gjejnë tek kjo administratë miq të mirë dhe aleatë të fuqishëm. Ai theksoi se marrëdhëniet mes dy vendet do të njohin nivele akoma më të larta të bashkëpunimit dhe miqësisë. Gjatë takimit, të dy personalitetet u ndalën edhe në zhvillimet në rajon dhe proceset integruese të tij, si dhe në zhvillimet në Kosovë. Zoti Antony Blinken, ndër të tjera, vlerësoi rrugën Durrës – Kukës – Morinë si një vepër të madhe të modernizimit të Shqipërisë dhe si shumë të vlefshme për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, Kosovës, por edhe të gjithë rajonit”, thuhet në njoftimin e datës 2 shkurt 2009.

1


Etiketa: , ,

Pas