Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha, në një konferencë për shtyp ka reaguar pas shpalljes non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se do të ngrejë padi ndaj sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken, duke e akuzuar atë për shpifje në lidhje me vlerësimet e dhëna në ditë më parë ku Berisha u shpall non grata në SHBA.
Berisha tha se ka udhëzuar avokatin e tij në Francë të nisë procedurat për padinë.
Më tej, ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali berisha tha se që kur ka filluar jetën e tij politike, s’ka njeri që ta akuzojë si të implikuar në ndonjë aferë korruptive. Për këtë arsye Berisha tha se do ngrejë padi për shpifje ndaj Blinken.
“Jam këtu për t’ju informuar ju dhe opinionin publik për një vendim të pazakontë, për arsye tërësisht të panjohura për mua, Blinken ka publikuar dje pa asnjë paralajmërim, në mënyrë shpifëse.
Që kur kam filluar jetën time politike, por ju garantoj se po të shkonim më tutje që kur kam prekur rrogën e parë në borderotë e shtetit, deri ditën e djeshme e të sotme, s’ka njeri në botë që të thotë se unë jam apo kam qenë i implikuar në ndonjë aferë të çfarëdoshme korruptive, prandaj dhe unë kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral dhe të respektuar siç është Franca, që të ngrejë ndaj Blinken padi për shpifje publike.”-tha Berisha.