Ish-kryeministri Sali Berisha do të ketë sot një komunikim me mediat. Konferenca është konfirmuar nga burime zyrtare dhe do të mbahet në orën 18:00 në Hotel Rogner. Kjo konferencë vjen një ditë pas deklaratës së sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken që e shpalli non-grata ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Berisha bashkë me familjen e tij
Motivet që pretendohen nga departamenti i shtetit janë ato të korrupsionit me fondet publike, si dhe retorika që ai ka përdorur për të mbrojtur sipas deklaratës korrupsionin e të afërmve të tij dhe aleatëve të tij gjatë qeverisjes.
Nga ana e tij vetë ish-Kryeministri, i dorëhequr nga të gjitha funksionet që para tetë vitesh, i kërkon departamentit të shtetit të bëjë publike çdo provë apo dokument që ka ndaj tij, por pa harruar t’i kujtojë se nën qeverisjen e tij u bë e mundur hyrja e Shqipërisë në NATO, liberalizimi i vizave etj.
Berisha në përgjigjen që i ka dhënë Blinken, kujton se përgjatë qeverisjes së tij marrëdhëniet mes dy vendeve ishin në ditët e tyre historike më të mira.
Fakt është se përgjatë qeverisjes së demokratëve, u realizua për herë të parë në histori dhe vizita e një presidentit amerikan në Shqipëri.