Aktualitet

Normalja e Elbasanit, sfidë e hapur ndaj “reformave” të Ramës














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:00 - 11/01/21 |
Mirela Karabina

Normalja e Elbasanit, shkolla e parë mbarëkombëtare e mesme në gjuhën shqipe, “Universiteti i parë shqiptar” që do të hapte dyert në dhjetor të 1909-ës ka mbetur, tashmë, një model i së shkuarës. Ajo erdhi si përpjekje e atdhetarëve në gjithë trevat shqiptarë për formimin profesional të mësuesve duke i vlerësuar ata përhapës të diturisë dhe ndriçimit të mendjes. Si një akademi shkencore e formimit të mësuesve, brenda saj do të çelej shkolla fillore “Ushtrimore” (1923) me qëllim përgatitjen praktike dhe aftësimin profesional të mësuesve kandidatë dhe, më 1928-ën kjo shkollë do të bëhej pjesë e Byrosë Ndërkombëtare të Edukimit në Gjenevë (BNE), një organizëm me status ndërkombëtar i fushës së edukimit (sot IBO, Internacional Bumerae Organization, organizëm ndërshtetëror që zhvillon veprimtarinë brenda institucionit të UNESCO-s).





Pra, ishte shkollë e akredituar!


Për nga karakteri dhe funksioni i saj, padyshim, Normalja është sfidë e hapur ndaj reformave në arsim të ndërmarra nga qeveria Rama!





Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë asokohe dhe BNE-së (1927-1938), filozofia herbartiane në bazë të saj do ta kthente Shkollën Normale në qendër unikale profesionale të edukimit dhe formimit të mësuesve.



Një traditë e cila, fatkeqësisht, sot është plotësisht e shpërfillur!


Prej 8 vitesh Qeveria Rama mes demagogjisë së të ashtuquajtur reforma do të premtonte shumë dhe për mësuesit.

Si rezultat i zhvillimeve dhe ndërhyrjeve në sistem, sot kemi një rrjet të tërë universitetesh që diplomojnë mësues, por nuk prodhojmë mësues. Kjo ka të bëje e para, me strukturën e universiteteve që diplomojnë mësues dhe, e dyta, me kategoritë e programeve të studimit apo me titujt e diplomave të mësuesisë. Kështu, universiteti më i madh i vendit, ai i Tiranës, sot diplomon mësues pa pasur një strukturë të posaçme: pa pasur një fakultet edukimi apo një qendër ndërfakultetore të formimit të mësuesve. Edhe universitetet rajonale punojnë me strukturat e tyre. Në këto kushte nuk mund të kemi një filozofi të përbashkët për të gjitha fakultetet që të mund të ndihmonte në krijimin e një profili të qartë. Secili fakultet diplomon mësues me mënyrën e vet.

Pra, mungon një platformë unike për formimin e mësuesve dhe diplomave të tyre!

Ndaj, kemi të bëjë me qasje dhe politika të ndryshme për formimin e mësuesit në këto dy kohë!

Kështu, Ministria e  Arsimit më 1927-ën, me dëshirën dhe vullnetin për të bërë më të mirën për arsimin dhe formimin e mësuesve, do ndërtonte strategji kombëtare reale veprimi, reformë transformuese duke qenë promotore e zhvillimit të arsimit: do të hartonte bazë ligjore për arsimin shqiptar, rregullore të shkollave dhe drejtuesve të saj në frymën e ligjeve europiane të kohës; buletine periodike me prurjen e botimeve europiane të kohës me fokus reformimin e mësimdhënies, modele mësimore, çështje psikologjike dhe forma të paraqitjes së saj në klasë do të ishin një ndihmë e madhe për mësuesit dhe specialistët e arsimit; hartimi i një sistemi statistikor me të dhëna për nxënësit, mësuesit, prindërit, drejtuesit e shkollave, programet mësimore si fillesë e përpunimit të të dhënave sipas formateve statistikore europiane që do të ishte një arritje për kohën.

Kjo reformë e thellë do të sillte krijimin e didaktëve profesionistë shqiptarë, hartimin e revistave të para pedagogjike shqiptare ku Normalja do të kishte revistën mujore të saj. Mësuesit ushqeheshin me informacion teorik shkencor dhe modele të pedagogjisë aktive dhe zhvillonin praktika bashkëkohore.

Dhe, këta mësues mbajtën peshën e edukimit në gjithë trevat shqiptare me dekada!

Pra, një vizion përparimtar ky i Ministrisë së Arsimit njëqind vite të shkuara!

Ndërsa, Ministria e Arsimit e 2021-it përgjatë këtyre 8 viteve nuk ka pasur dëshirën dhe vullnetin për të bërë të mira për arsimin dhe formimin e mësuesve: strategjitë kombëtare  të hartuara ngjyra-ngjyra dhe në 3D nuk kanë qenë strategji reale veprimi, përkundrazi, duke hyrë në sistem për përfitim politik kanë deformuar arsimimin dhe formimin e mësuesve. Buxheti i ulët për arsimin  2.49-3% të PBB është treguesi i qartë i investimit në arsim të kësaj qeverie  dhe cilësisë së  reformave të saj.

Baza ligjore, edhe pse është trumbetuar  si model anglosakson apo danez e finlandez është ndryshuar sipas oreksit qeverisës duke e përdorur politikisht dhe me karakter pragmatist financiar.

Rritja e beftë e mesatares së pranimit në programet e mësuesisë me gjoja argumentin e rritjes së cilësisë duke  çuar në mbyllje të shumë prej tyre, është një manovër politike për qëllime të mbrapshta të Ramës. Kështu, në këto 3 vite kjo ka sjellë rrënim të universiteteve rajonale të Elbasanit, Shkodrës, Gjirokastrës dhe të tjerë, që specifikë të tyre të kthyer në traditë kanë pasur prodhimin e mësuesve. Ndërkohë, mungesa e praktikave mësimore ka sjellë mangësi në formimin profesional të kandidatëve për mësues.

Ndërsa për një strategji reale të kualifikimit të mësuesve dhe zhvillimit profesional të tyre as që bëhet fjalë. Sistemi statistikor funksional i nxënësve, mësuesve dhe prindërve sot është larg standardeve, megjithëse jemi në kohën e teknologjisë dhe informacionit nuk ofrohet as në shërbime dhe as në mësim. Revista “Mësuesi” buletin i Ministrisë së Arsimit, për arsye financiare para disa vitesh ishte vetëm online ndërsa tani është e harruar.

Ndaj sot Normalja e Elbasanit, si shkollë e rekrutimit të mësuesve nga të gjitha trevat shqiptare, dhe Reformat në arsim të 100 viteve më parë mbeten një sfidë e hapur për këtë qeveri, që shkatërroi traditën, modelin dhe mësuesinë.

Pasi reformat që ndërmori nuk ishin për mësuesin dhe shoqërinë por për partinë dhe qeverinë, nuk ishin për zhvillimin dhe ardhmërinë, por për rrënimin dhe jo vazhdimësinë.

Dhe, Edi Rama është kumbari i tyre!

Shënim: Shkolla Normale e Elbasanit është trajtuar në këtë shkrim si model sfidues i formimit të mësuesve kundrejt reformës në arsim sot. Nuk është trajtuar ndryshimi i statusit të saj.

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas