Kryesore

Nuk do e besoni sa ka kushtuar azili i Assange






               Publikuar në : 19:53 - 12/04/19 |
mapo.al

Julian Assange është arrestuar brenda në ambasadën e Ekuadorit në Londër pasi ky vend i hoqi të drejtën e azilit. Themeluesi i WikiLeaks akuzohet për sjellje të pahijshme brenda në ambasadë, duke lyer madje edhe muret me jashtëqitje. Por historia është më e komplikuar. SHBA kishte kohë që bënte presion Ekuadorit dhe së fundmi i kishte ofruar 10 miliardë dollarë ndihmë në bono për shkak të ekonomisë së brishtë. Megjithatë edhe kostot e azilit të Assange ishin shumë të mëdha


Për më shumë se gjashtë vjet, themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, 47 vjeç, qëndroi i fshehur në ambasadën ekuadoriane në Londër: Por një shikim mbi dokumente të ndryshme tregon se kostot ishin marramendëse.

Në veçanti, taksapaguesit britanikë dhe ambasada ekuadoriane kanë paguar një faturë të majme- prej milionash.

Me arratisjen e tij në ambasadë, themeluesi i WikiLeaks kërkonte të shmangte akuzat për përdhunim në Suedi, por mbi të gjitha kërcënimin se do e ekstradonin për në SHBA. Ai kishte frikë se atje mund të përballej me një dënim të gjatë për spiunazh, madje edhe me dënimin me vdekje.

Pas një kërkese të Partisë Laburiste në mars të vitit 2018, Policia Metropolitane u përgjigj se mbikëqyrja ka zgjatur deri në tetor të vitit 2015 dhe ka pasur një kosto prej 15.3 milionë eurosh. Vëzhgimi i mëtejshëm as nuk u konfirmua dhe as u mohua. Sipas raportimeve të mediave, ka pasur edhe më tej mbikëqyrje sekrete.

Kështu, shpenzimet mesatare kanë qenë më shumë se 12 mijë euro në ditë.

Nëse merr në konsideratë kohën totale të azilit të Assange, pra 2487 ditë do të kishin një kosto deri në 34.7 milionë euro.

Por edhe për ambasadën e Ekuadorit, qëndrimi i Assange ka qenë goxha i shtrenjtë.

Për pesë vitet e para, kostot e shërbimit sekret kanë kapur një total prej 4.4 milionë eurosh. Këtë e ka bërë të ditur gazeta ‘Guardian’ në mars të vitit 2018, duke cituar dokumentet e shërbimit të inteligjencës ekuadoriane.

Kjo shumë është përdorur për të paguar një kompani ndërkombëtare të sigurisë, por edhe agjentë të fshehtë për mbrojtjen dhe vëzhgimin e Assange. Jo vetëm kaq, por Assange priste vizita të nivelit të lartë: Nigel Farage, anëtarë të grupeve nacionaliste europiane, njerëz me lidhje të Kremlinit, hakera, aktivistë, gazetarë.

Dokumentet tregojnë se kostoja mesatare mujore ishte 66 mijë dollarë.

Shpenzimet e vitit të parë ishin 972 mijë dollarë, madje edhe diçka më shumë. Sipas dokumenteve të shërbimit sekret, në këtë kohë u blenë edhe kamera vëzhgimi dhe mjete të tjera të ngjashme.

Operacioni njihej me emrin ‘Miku’. Më pas u etiketua ‘Operacioni Hoteli’. Dokumentet tregojnë se presidenti i asaj kohe, Rafael Correa, kishte rënë dakord për operacionin.

Tek të gjitha këto shpenzime, nuk llogariten ushqimet dhe kostot e tjera të akomodomit. Por pikërisht për këtë, ambasada ekuadoriane kërkonte që të kufizonte shpenzimet.

Nga dhjetori i vitit të shkuar, atij i ishte kërkuar që të paguante për ushqimin, ilaçet dhe rrobat. Më parë atij i ishte mbyllur interneti dhe telefoni, por kjo ndoshta më shumë si një masë shtrënguese.

Në çdo rast, Ekuadori kishte kohë që kishte nisur punën për të anuluar azilin ndaj Assange. Tensionet mes njerëzve në ambasadë u rritën ndjeshëm. Në shkurt të këtij viti, ambasadori e akuzoi Assange se kishte hequr llampën nga një kamera vëzhgimi. Dy javë më vonë, ambasadori u ankua se Assange kishte hapur një radio qëllimisht.

Në arsyetimin e tij për pezullimin e azilit, presidenti i Ekuadorit Lenin Moreno tha se Assange kishte treguar mungesë respekti.


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas