Aktualitet

“Nuk do jetë më Durrësi i mafias”, Kuçi: LSI shkon besimplotë drejt fitores









Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:05 - 23/01/21 |
mapo.al

Kur na ndajnë rreth 90 ditë nga 25 prilli, dega lokale e LSI-së është e bindur se “shkërmoqja dhe largimi i “Rilindjes” do nisë nga Durrësi e do festohet në mbarë Shqipërinë”.



Kryetarja e LSI Durrës, Kontjana Kuçi, deklaron gjatë një interviste  se banorët e qytetit bregdetar ndihen të zhvatur nga qeveria. Ajo rendit ndër problematikat kryesore të ngritura në takimet e përditshme me qytetarët, ato që lidhen me procesin e rindërtimit, rritjen e numrit të papunësisë, sidomos në rradhët e të rinjve të sapodiplomuar, rrezikun e falimentimit të 80% të bizneseve, përmbytjen e qytetit, tenderat abuzivë, PPP-të etj.


Sipas Kuçit, keqqeverisja 8-vjeçare e sektit “Rilindjes” e bën 25 prillin jo vetëm një datë zgjedhjesh, por edhe zgjidhjesh.




“Nuk do jetë më Durrësi i mafias dhe zuzarëve, por i qytetarëve dhe banorëve të Durrësit”,- thotë ajo.



Ndërsa nguron të zbardhë emra nga lista e kandidatëve me të cilat LSI do të kërkojë votën e banorëve të qarkut Durrës, Kuçi shprehet se forca politike që ajo përfaqëson do t’i kërkojë qytetarëve të votojnë “programin tonë konkret për zhvillimin ekonomik, për punësimin, shëndetësinë, arsimin dhe projektet konkrete dhe të prekshme për ta bërë Durrësin qendrën e zhvillimit ekonomik, turizmit dhe vendin e mundësive për rininë”.


Kur na ndajnë 3 muaj nga 25 prilli si po zhvillohet fushata e LSI në Durrës e Shijak?

LSI Durrës është e mobilizuar, e fortë dhe mëse e gatshme të shkojë në zgjedhje më 25 prill, ditë që nuk do jetë thjesht datë zgjedhjesh por zgjidhje për mjerimin, papunësinë, shpopullimin dhe shumë dëme të tjera madhore që sekti i “Rilindjes” i ka bërë vendit.

Shkojmë më të fortë se kurrë drejt ditës së çlirimit të Durrësit, Shijakut, e mbarë qarkut të Durrësit, nga mafia, korrupsioni dhe keq-qeverisja.

Shkojmë besimplotë drejt fitores dhe ndryshimit të madh.

Në rrjete sociale, fushata e LSI Durrës është përqendruar në denoncime të shumta për problematika të qytetit, por mungojnë foto nga takimet elektorale. Pse keni zgjedhur këtë mënyrë të të bërit opozitë?

Ne jemi çdo ditë me njerëzit e thjeshtë duke dëgjuar problemet e tyre e duke i ftuar të bëhen pjesë e ndryshimit të madh që po vjen pas 90 ditësh.

LSI është parti e banorëve dhe familjeve të thjeshta, të cilat gjatë këtyre viteve kanë përjetuar varfëri, mjerim, papunësi dhe vështirësi nga më madhoret, të zhvatur nga qeveria në çdo sektor të jetës që nga faturat e ujit dhe dritave të cilat në Durrës janë më të lartat në vend, e deri tek tenderat abuziv me rrugët, PPP-të në Portin e Durrësit, Spitalin Rajonal Durrës, keqmenaxhimi dhe abuzimi me rindërtimin etj, ndaj denoncimi dhe adresimi i përditshëm i problemeve kaq të shumta dhe të prekshme për njerëzit na njehson ne si familje politike me banorët e thjeshtë të Durrësit.

Ne jemi një forcë politike, e cila synon një qeverisje të popullit, nga populli dhe për popullin. Ne bëjmë takime me njerëzit çdo ditë duke u ofruar zgjidhje dhe jo propagandë.

Banorët e Durrësit janë mashtruar prej vitesh nga propaganda e “Rilindjes,” e madje e gjithë Shqipëria është qeverisur vetëm nga facebook-u.

Ne nuk bëjmë propagandë me qindra njerëz që takojmë çdo ditë. LSI Durrës është konkrete në problematikat që kanë banorët dhe pas 25 prillit do u japim zgjidhje. Ky është premtimi ynë. Ky është misioni ynë.

Cilat janë shqetësimet më të shumta që ju ngrihen nga qytetarët?

Ka shqetësime të shumta që prekin çdo kategori dhe grupmoshë. Rindërtimi është katastrofik me 8,000 banorë që kaluan dimrin e dytë në çadra dhe kontenierë; 900 familje DS4 që nuk kanë as informacionin më minimal se çfarë do bëhet me ata; papunësia në rritje e cila vetëm vitin e kaluar u shtua me 35,000 të tjerë; shpopullimi; largimi i rinisë; mungesa e oportuniteteve për punësim që përveç teleperformancës dhe fasonerisë nuk ka asnjë alternativë tjetër për sapo të diplomuarit; 80% e bizneseve rrezikojnë falimentin; operatorët turistikë dhe hoteleria janë në prag falimenti; firmosen tendera abuziv me rrugët; betonizimi i vazhdueshëm dhe ekstrem i qytetit; çmimi i lartë i ilaçeve; përmbytja e Durrësit sa herë që bie shi; abuzimi me fondet publike në vend që të mbështetej sektori i shëndetësisë, e shumë e shumë problematika të tjera jetike, të cilat e kanë vështirësuar jetën e banorëve të Durrësit.

Lexo edhe :  Kuçi: Qeverisja e Ramës i takon të shkuarës. Rilindja nuk ka lidhje me PS

Durrësi meriton më shumë. Durrësi nuk e meriton këtë mjerim e varfëri. Ndaj më 25 prill do jenë banorët e Durrësit ata që do i japin grushtin më të madh sektit të “Rilindjes”.

Në disa nga degët në rrethe ka pasur largime të eksponentëve të njohur të LSI. A rrezikon dega e Durrësit largime të tilla?

Ashtu siç e tha edhe kryetarja e LSI znj. Monika Kryemadhi, tashmë ka mbaruar historia ku mundi i LSI-së shkon në bizneset personale të disa individëve.

Dëbimi i një apo dy figurave nga LSI të cilët e përdorën LSI për biznese personale ishte i domosdoshëm pasi forca jonë politike u krijua që në krye të herës si një familje, me dyer të hapura dhe gjithëpërfshirje, dhe kjo është dëshmuar më së miri në Durrës ku ekipit tonë i është bashkuar elita e qytetit, intelektualë, ekonomistë, juristë, inxhinierë, sportistë, ekspertë të profesioneve të ndryshme, të rinj e të reja, të gjithë me dëshirën e vetme për të ndryshuar Durrësin dhe Shqipërinë.

Në këtë frymë ndryshimi dhe kontributi, në këtë ekip që dëshiron një jetë më të mirë për familjet e thjeshta dhe një Durrës të zhvilluar, një vend ku rinia të jetë arkitekte e ideve të saj, për ta ndërtuar këtu të ardhmen e vet, nuk ka vend për askënd që ka axhenda vetjake dhe punon për bizneset personale.

Këtë frymë e kanë kuptuar qartë dhe është mirëpritur nga banorët e thjeshtë ndaj edhe LSI Durrës po rritet me ritme të jashtëzakonshme dita-ditës. Me njerëzit e thjeshtë krah nesh ne shkojmë të sigurtë dhe besimplotë në fitoren e madhe të 25 prillit.

Cilët janë kandidatët me të cilët LSI do të kërkojë votën e durrsakëve?

LSI do kërkojë votën e banorëve të Durrësit me alternativën që i nevojitet Durrësit, me programin tonë konkret për zhvillimin ekonomik, për punësimin, shëndetësinë, arsimin dhe projektet konkrete dhe të prekshme për ta bërë Durrësin qendrën e zhvillimit ekonomik, turizmit dhe vendin e mundësive për rininë, të gjitha këto të zbatuara nga profesionistë elitarë që do drejtojnë duke shërbyer e jo duke e zhvatur edhe më shumë qytetin tonë siç ka bërë “Rilindja”.

Nuk do jetë më Durrësi i mafias dhe zuzarëve, por i qytetarëve dhe banorëve të Durrësit.

Ku do të përqendrohet fushata juaj në këto 3 muaj të mbetur dhe cili është rezultati që ju synoni të merrni më 25 prill?

Fushata jonë do përqendrohet në adresimin e problematikave reale që ka Durrësi duke propozuar zgjidhje dhe plane konkrete zhvillimore.

Koha e propagandës elektorale dhe e retorikës boshe ka marrë fund, sikurse “Rilindja”, e cila qeverisi vetëm duke gënjyer. Ne jemi gati të punojmë dhe të transformojnë qytetin tonë dhe të përmirësojmë standardet e jetesës për familjet e thjeshta.

Më 25 prill rezultati i LSI në Durrës do jetë spektakolar. Këtu do nisë fitorja e madhe. Shkërmoqja dhe largimi i “Rilindjes” do nisë nga Durrësi e do festohet në mbarë Shqipërinë.

Dhe pas 25 prillit nis një qeverisje e re, jo për katër vitet e ardhshme por për dekadat që do të vijnë.

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas