Nuk do të ketë së shpejti marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Kur kishte filluar dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e BE-së, në Kosovë kishte shumë rezerva dhe kundërshtime. Pasi kanë kaluar gati dhjetë vjet duhet rikujtuar se rezerva ndaj dialogut kishin shumë parti politike dhe shoqëria civile. Kundër çfarëdo dialogu me Serbinë ishte vetëm Lëvizja Vetëvendosje. Vetëvendosja pohonte se me Beogradin nuk ka çfarë të bisedohet.

E shoqëria civile dhe partitë që nuk ishin në pushtet në atë kohë argumentonin se dialogu duhet të përgatitet mirë dhe duhet të dihet se cili është qëllimi i tij. Kërkonin që të sqarohet se për çfarë është e për çfarë jo ky dialog. Duhet rikujtuar po ashtu se dialogu u shfrytëzua mirë nga Serbia për të devijuar vëmendjen nga mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila u shpreh se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Kështu, prej atëherë e deri me sot Serbia arriti ta paraqesë dialogun si vazhdimësi të negociatave për “çështjen e Kosovës”, duke pasur këtu edhe ndihmën e madhe të Bashkimit Evropian, që asnjëherë nuk e sqaroi publikisht se dialogu nuk është për statusin e Kosovës, sepse negociatat për statusin ishin kryer.



Një prej regjisorëve kryesorë të përmbajtjes së dialogut ishte RobetnCooper, diplomat britanik në Këshillin e BE-së. Ai kishte vendosur themelet e qasjes së “ambiguitetit konstruktiv”, që nënkupton lënien e qëllimshme të mundësisë së paktë të mund t’i interpretojnë si të duan gjërat. Asgjë nuk ka ndryshuar në qasjen e BE-së. Fakti se tash BE ka një të dërguar të posaçëm dhe se ai “është në dispozicion 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë”, nuk do të thotë asgjë. As fakti se ai ka një ekip prej 12 anëtarësh dhe një buxhet fillestar prej mbi 1.2 milionë eurosh nuk do të thotë shumë. Sepse BE-së asnjëherë nuk i kanë munguar ekspertët, as paratë e as kujdesi e as gatishmëria për të punuar 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë.

Pothuajse të gjitha takimet e dialogut janë zhvilluar edhe jashtë orarit të punës, shpesh edhe deri në orët e vona të natës. Por BE-së i kanë munguar vizioni i qartë dhe guximi që të ketë një qëndrim. I mungon edhe sot, kur palët, sikurse gjatë tërë procesit, të dialogut, vazhdojnë ta interpretojnë në mënyrë të ndryshme dialogun e BE qëllimshëm ua lë këtë mundësi. Ky “ambiguitet konstruktiv” nuk është më ndonjë zbulim brilant i diplomatëve të BE-së, por është thjeshtë një mashtrim i madh për qytetarët. Më së shumti në dialog ka ndryshuar qasja e Kosovës. E futur në të e hutuar, pa vizion të qartë dhe pa unitet të brendshëm, Kosova ka lëvizur prej zotimeve nga fillimi, se “ky është vetëm dialog teknik dhe me Serbinë nuk ka më negociata politike” e deri tek ajo që thuhet sot se “Këto janë vetëm bisedime politike e jo teknike”. Dialogu i ka sjellë Kosovës pasoja të mëdha.

Ka pranuar që të jetë e trajtuar ndryshe nga shtetet e tjera, duke u pajtuar që emri i saj të përdoret me fusnotë. Mund të kuptohet se Kosova nuk ka pasur fuqi që të bindë të gjitha shtetet që ta njohin Kosovën, por nuk mund të kuptohet kur dikush pranon vet që të heqë dorë nga trajtimi si shtet. Dhe së fundi Kosova ka ardhur në pozitë edhe më të vështirë: Është pajtuar që të mos ketë të drejtë në parimin e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe se nuk do të kërkojë anëtarësim në BE. Ka pranuar kështu, me apo pa vetëdije, që të barazohet kërkesa e Kosovës që të njihet si shtet dhe të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare me kërkesat e Serbisë që të tërhiqen njohjet. Të pranosh se nuk do të aplikosh për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, është të pranosh se nuk do të punosh në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit.

Pasi ka siguruar shumë tërheqje të njohjeve, dhe ka bindur shumë shtete që të mos e njohin Kosovën, duke shfrytëzuar si argument kryesor pikërisht dialogun në Bruksel, Serbia është në pozitë shumë të mirë që të pranojë që të mos kërkojë më tërheqje njohjesh. Arsyetimi i vendimeve të tilla kundër shtetit që e udhëheqin me kërkesa të miqve, siç është RichardGrenell, është i pabazë. Sepse miqve po ashtu duhet sqaruar se askush nuk mund të heqë dorë nga shtetësia e vet. Vërtet Kosova nuk ka pasur shumë gjasa që të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare. Sepse nuk ka tash e disa vite një diplomaci efikase, e ka banalizuar gjatë viteve lobimin për njohje dhe anëtarësime në organizatat ndërkombëtare në atë masë saqë edhe shumë miq janë tërhequr anash nga ky lobim, ndërsa dialogun në Bruksel e kanë shndërruar në fushë të testimit të besimit mes partnerëve të koalicionit, siç na ka zbuluar lideri i AAK-së RamushHaradinaj, duke pohuar se gjithmonë ka dashur ta ketë “njeriun e vet që i tregon çfarë po ndodh në dialog”.

Kosova sot nuk ka unitet as brenda Qeverisë për dialog, e lëre më unitet të të gjithë spektrit politik dhe shoqërisë. Është pikëpyetje e madhe nëse Qeveria e ka edhe shumicën parlamentare prapa vetes për dialog. Lista Serbe, pa votat e të cilave nuk do të formohej Qeveria, nuk i sheh kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, apo koordinatorin Skënder Hyseni si përfaqësues të tyre në dialog, por presidentin e Serbisë, AleksandarVuçiç dhe shefin e delegacionit të Beogradit në dialog, Marko Gjuriç. Po të ishte e vërtetë se AAK-ja nuk i beson Hotit për dialog, dhe po të ishte e sinqertë se PDK është në opozitë, atëherë Hoti për dialog e ka vetëm mbështetjen e partisë së tij LDK dhe të askujt tjetër. Kjo mbështetje gjithsesi nuk do të ishte e mjaftueshme për një “marrëveshje historike”, për të cilën aq shumë po flitet se do të arrihet me Serbinë.

Por AAK-ja nuk do të dalë nga Qeveria, pos nëse do të shkohet në zgjedhje të reja. As PDK-ja nuk do ta lejojë rënien e kësaj qeverie, sepse nuk do që të shkohet në zgjedhje. As Lista Serbe nuk e do rënien e kësaj qeverie. Siguria se Qeveria nuk do të rrëzohet nuk mjafton si bazë për të besuar se ajo e ka mbështetjen e mjaftueshme edhe për dialog. Por nuk duhet shqetësuar shumë, sepse ky dialog nuk ka gjasa që të sjellë ndonjë marrëveshje të shpejtë. Dinamikën e dialogut e ka diktuar deri me tash më së shumti Serbia. Dhe kështu vazhdon edhe tash. E suksesi varet më së shumti pikërisht nga Serbia. Më saktësisht nga gatishmëria e Serbisë për ta njohur Kosovën. Pa një akt të tillë nuk mund të ketë marrëveshje. E nuk shihen shenja se Serbia është e gatshme, madje edhe e interesuar që të bëjë një gjë të tillë. Në anën tjetër, Serbia llogarit edhe çfarë do të mund të fitojë. Nuk ka gjasa që të ketë një anëtarësim të shpejtë në BE. Madje për pushtetin në Serbi marrëveshja finale me Kosovën do të hapte probleme të reja në raportet me BE-në. Do të duhet të merret me përmbushjen e kushteve të tjera, sidomos ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, lirinë e mediave e gjykimin e krimeve të luftës. Më mirë është për pushtetin që të vazhdojë t’i arsyetojë vonesat në integrime në BE me “mospranimin e ultimatumeve për njohjen e Kosovës” sesa për dështime në reforma dhe në sundimin e ligjit. Por në të njëjtën kohë pushteti i Serbisë do të kishte pasoja sikur të tërhiqej nga dialogu dhe kjo do të ndikonte edhe në investimet e huaja. Prandaj Serbia do të vazhdojë të lërë përshtypjen se është konstruktive në dialog dhe për dështime t’ia hedhë fajin palës kosovare, por pa gatishmëri që të bëjë vetë ndonjë kompromis.

Përderisa Kosova insiston se asnjë marrëveshje nuk do të arrihet nëse nuk është pjesë e pakos, që nënkupton njohje të ndërsjellë, Serbia insiston se do të flitet për gjithçka, pos për njohjen e pavarësisë së Kosovës e BE-ja nuk sqaron se cili është qëllimi i dialogut, pse nuk mund të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje konkrete, por për blerje kohe në dialog. BE-ja nuk do të jetë e zhgënjyer nëse nuk do të ketë marrëveshje, sepse dështimin do t’ua faturojë palëve. E vetmja pasojë që Lajçak mund ta ketë në rast të dështimit të dialogut është që t’i vazhdohet mandati, që për dikë do të ishte më shumë shpërblim sesa pasojë. Me dy apo tri takime deri tash dhe dy a tri që do të zhvillohen në fund të gushtit dhe në shtator, Lajçak do të ketë mjaft material për të hartuar një raport për vendet anëtare dhe për të konstatuar se dialogu ka rifilluar dhe po vazhdon me një dinamikë të re. Por në fakt, nëse gjykojmë në bazë të takimeve dhe qëndrimeve të deritashme, asgjë nuk ka ndryshuar nga e kaluara. Prandaj duket edhe naive të pritet ndonjë marrëveshje e shpejtë në këtë dialog.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252