Dy ditë pasi humbi debatin në Opinion, përballë gazetarëve lidhur me çështjen e inceneratorëve, Edi Rama ka replikuar me analistin Shkullaku në faqen e tij në Facebook. Pak e pazakontë kjo, kur Rama e kishte gazetarin e njohur përballë në emsion.
Në këtë postim, Rama sjell sipas tij, me anë të një videoje, se dikur Shkullaku e vlerësonte projektin. Por fakt është se kryeministri e ka vuajtur shumë daljen të enjten mbrema, sa vijon edhe pas dy ditësh të merret me të, në përpjekje për të rikuperuar pikët që humbi atë natë. Mbetet me interes të shohim reagimin e analistit pas këtij publikimi të kryeministrit.
Postimi i Ramës:
SHKULLAKU LULËZIMI PLEHRAT OPINIONI
Parmbrëmë tek Fevziu Armand Shkullaku ishte në krye të luftës së panelit të armatosur me gjysëm të vërteta (që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha), për t’i bërë jehonë sulmit sharjeshpifës të Lulëzimit mbi impiantet moderne të përpunimit të mbetjeve në Tiranë, Elbasan e Fier ose siç i quan Luli, me atë fodullëkun përbuzës të gjumashit kur bën sikur s’ka gjumë, “inceneratorët”.
Analisti arriti të mohonte sy për sy edhe fjalët e veta edhe vetë provën materiale, e cila rrëzoi në sy të të gjithëve gënjeshtrën ulëritëse se në impiantin e Elbasanit nuk është prodhuar kurrë energji! Por e vërteta e plotë lidhur me këtë episod, ku analisti u vu këmbëngulësisht në shërbim të Lulit, është se Shkullaku jo vetëm nuk gënjeu nga padija, po ai vetë, në cilësinë e drejtuesit të prodhimit të TV KLAN, ka bërë edhe një goxha film për inceneratorin dhe për prodhimin e energjisë nga plehrat në Elbasan disa vite më parë!
Nuk e di nëse filmi në fjalë është bërë dhe shfaqur kundrejt pagesës apo ka qenë thjesht entuziazmi për impaktin e madh pozitiv mbi mjedisin të inceneratorit të Elbasanit, por materiali të cilin mund ta gjeni të plotë në youtube ➡️ youtu.be/_nk9-3Av39Y
duket se i ka pëlqyer aq shumë drejtuesit të atëhershëm të prodhimeve sa që e ka shfaqur edhe në ABC News edhe në TV KLAN!Kush do të mësojë ca më shumë se ç’i panë sytë e ç’i dëgjuan veshët tek Fevziu gjatë atij debati haluçinant, le të ndjekë 4 minutat bashkëngjitur…
LEXO EDHE:
Shkullaku-Ramës: Ta kam fal dedikimin po të bëri punë në SPAK