Aktualitet

Nuk duhet larguar brezi i ri por politika e vjetër e korrupsionit








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:52 - 29/09/20 |
Bledar Kurti

“Nuk është e vështirë të kesh ide të reja por është e vështirë të shkëputesh nga të vjetrat,” ka thënë ekonomisti i njohur britanik John Maynard Keynes. Për 30 vite politika shqiptare nuk ka arritur dot të shkëputet nga idetë, levat, filozofia, mendësia dhe veset e saj të vjetra. Kjo jo se nuk ka ditur por sepse nuk ka dashur. Sepse është e vështirë të shkëputesh nga veset e vjetra si tenderat miliona euroshe, përfitimet, privilegjet dhe lukset e panumërta të pushtetit. Dhe pasojat? Sot jemi kthyer tri dekada pas në atë “ground zero” të vdekjes së shpresës. Me një emigracion gjatë viteve të fundit më të lartë se të viteve ‘90.  Me një rini që po e syrgjynosin dhe po e dëbojnë me përçmim. Me shqiptarë që kërkojnë çdo ditë azil në vendet e BE.


Shqipëria, vend i NATO-s dhe aspirant për familjen evropiane, sot ia kalon për numër azilkërkuesish vendeve me konflikte lufte si Siria, Afganistani dhe Iraku. Sa tragjike është kjo! A është kjo Shqipëria që 30 vite më parë e ëndërronim si e gjithë Evropa?  Sot kemi parlamentin më gaztor e banal që s’ka ngjasimin më minimal me Kuvendin Kombëtar të Vlorës (1912) e as me Kuvendin e viteve 1990 në të cilat aderonin intelektualë dhe atdhetarë e jo analfabetë e matrapazë që shesin veten dhe kombin. Politika e vjetër vazhdon me mendësinë shfrytëzuese se përmes pushtetit sundohet dhe jo shërbehet; se përmes pushtetit përfitohet dhe jo të shkruash historinë; se pushteti shërben të sigurosh për dhjetëra breza të familjes tënde dhe jo të krijosh standarde jetese më të mira për qytetarët; të shesësh e ta tradhtosh atdheun e jo ta ndërtosh e ta mbrosh atë.


Ide të reja ka plot. Ide që na i ofrojnë shtetet fqinje apo edhe ato të zhvilluara. Ide të reja kanë profesionistët shqiptarë por që askush nuk ua dëgjon zërin. Të rinjtë që studiojnë në universitetet më të njohura të botës e që kthehen për të kontribuar në vendin e tyre. Por që pas një zhgënjimi të madh detyrohen të largohen sërish. Ide të reja Shqipëria ka plot por është ai vesi i vjetër i korrupsionit që e mban peng këtë vend, ndaj edhe renditemi të parët në Evropë për korrupsion, trafiqe dhe pastrim parash, dhe të fundit për klimën e biznesit dhe sundimin e ligjit.  Politikat e vjetra të zhvatjes së shqiptarëve dhe grykësisë së pushtetit bëjnë që me miliarda euro të shkojnë në koncesione dhe PPP ndërkohë që me 20 milionë euro mund të rriten pagat e mjekëve 100%.


6.2 miliardë eurot e vjedhura të konstatuara si shkelje nga KLSH kanë privuar ngritjen e disa spitaleve terciale, 5 spitale rajonale, rrugë të shtruara në çdo cep të Shqipërisë, me dhjetëra shkolla, kopshte dhe çerdhe, rritje page për mësuesit dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, si edhe rritje të pensioneve. Me këta miliarda familjet shqiptare sot do jetonin më mirë e jo të jenë në kushtet e sotme të mbijetesës.  Ide të reja ka plot por politikat e vjetra korruptive as që duan t’i dëgjojnë sepse qeverisësit kanë frikë nga ndryshimi. “Ne mund ta falim një fëmijë që ka frikë nga errësira. Tragjedia e vërtetë është kur të rriturit kanë frikë nga drita,” tha Platoni. Ndaj edhe politika e vjetër e betonit, korrupsionit, koncesioneve dhe e zhbërjes së shtetit dhe rendit kushtetues ka frikë nga drita, nga e vërteta, nga ligji, Kushtetuta, drejtësia dhe demokracia, duke shkaktuar kështu një tragjedi kombëtare me pasoja shkatërrimtare dhe shpopulluese.


Politika e vjetër e korrupsionit na ka lënë në arkaizëm, në klane, banda dhe grusht oligarkësh. Në interesa zhvatje dhe jo projekte progresi. Pa investime të huaja dhe asnjë strategji zhvillimi afatshkurtër e aq më pak afatgjatë. Me një arsim të degraduar, turizëm të prapambetur dhe kulturë të neglizhuar. Mbi të gjitha pa shpresë. Por shqiptarë mos e humbni shpresën sepse edhe kur dielli perëndon janë yjet që ndriçojnë. Shqipëria ka plot të rinj e të reja, profesionistë dhe njerëz me integritet, shqiponja të lindur në vendin e shqiponjave, të cilët kanë jo vetëm ide të reja por janë të papërlyer nga politika e vjetër e korrupsionit, të cilët do e mbrojnë dhe zhvillojnë vendin tonë të bekuar, të bukur e të pasur, një thesar i çmuar por i zhvatur.


 


Etiketa: , , ,

Pas