Kryesore

Nuk duhet të dorëzoheni kurrë






               Publikuar në : 11:56 - 15/04/19 |
mapo.al

Kjo fitore do të thotë shumë për magjinë e sportit- por mbi të gjitha për jetën…


Tiger Woods është kthyer! Lojtari më i mirë i të gjitha kohërave në golf ia ka dalë të kthejë mbrapsht jetën e tij. 11 vite pas triumfit të fundit në një turne të madh, ai ka fituar turneun më të rëndësishëm në botë ‘Masters’ në Augusta të SHBA.

Bota e sportit është përkulur përpara tij dhe flet me të drejtë për një nga rikthimet më të mëdha në histori. Sepse Tigri nuk ishte rrëzuar përtokë vetëm nga pikëpamja sportive, por edhe fizikisht dhe mendërisht. Me fitoren e tij të madhe tani, ai po i tregon botës se nuk ka kuptim që të dorëzohesh.

Kur e kthen kokën pas në verën e vitit 2017, Tiger Woods ishte në vendin e 1005 në rang botëror. Mbi 1 mijë profesionistë të golfit ishin më mirë se njeriu, që në vitet 2000 e ngriti këtë sport në një nivel të ri botëror. I nxitur nga babai, ai u bë fituesi më i ri në moshë i ‘Masters’, vetëm 21 vjeç. Askush tjetër nuk ia kishte dalë që të ngjitej kaq shpejt në vendin e parë në renditjen botërore.

Falë tij, golfi fitoi imazhin luksoz. Falë tij, golfi u bë një fenomen masiv. Lojëra kompjuterike morën emrin e tij, ai u bë i pari atlet në histori që fitonte një miliardë dollarë me veprat e tij. Në botën e detajeve, diferenca mes tij dhe të tjerëve ishte gjigandeske.

Rritja e tij ishte kaq e veçantë edhe sepse ai ishte një jo-i bardhë mes të rinjve dhe të moshuarve të bardhë. Ai ishte lojtari i parë me ngjyrë që shkoi në Augusta në vitet ’90. Drejtuesi i këtij turneu, Clifford Roberts pati thënë dikur: Sa kohë të jem gjallë unë, të gjithë lojtarët do jenë të bardhë dhe të gjitha karrocat të zeza. Roberts vrau veten në vitin 1977- 20 vjet më vonë Woods fitoi turneun për herë të parë.

Fitorja e pesë në ‘Masters’ të dielën ishte rikthimi më i madh në historinë e sportit.

Të tilla arritje kanë realizuar edhe boksieri Mohamed Ali, pasi u pezullua për kundërshtim dhe lojtari i basketbollit, Michael Jordan kur u shpall tre herë kampion i NBA pas një ndërprerje dyvjeçare.

Dallimi? Asnjë prej tyre nuk kishte rënë kaq poshtë jashtë sportit sa Woods.

Nga viti 2009 pasuan skandalet njëri pas tjetrit. Një aksident automobilistik dhe një sherr i ashpër i ekspozoi problemet e tij martesore. Historitë e tij me alkoolin, aferat dhe varësia ndaj seksit u bënë të famshme.

Sponsorët u tërhoqën prej tij, më pas erdhi ndarja nga e shoqja, Elin Norgegren në vitin 2010. Vajza Sam (11) dhe djali Charlie Axel (10) panë se si babai i tyre u shemb përtokë. Edhe si sportist. Që prej vitit 2008, ai nuk fitoi asnjë turne të madh.

Ai gjithashtu pësoi dëmtime në gju dhe shpinë. Ndonjëherë Woods nuk ngrihej nga divani për shkak të dhimbjeve. Operacionet pasuan njëri-tjetrin.

Pastaj në vitin 2017 mbërriti pika absolutisht më e ulët: një të hënë në mëngjes, rreth orës tre, dy policë e gjetën Woods duke fjetur në timon. Ai u arrestua për drejtim të mjetit nën ndikimin e substancave psikoaktive. Fotografia e policisë ishte degraduese. Qepallat e varura, shikimi i zbrazur.

Edhe pse thuhet se ka qenë vetëm një përzierje e gabuar ilaçesh, sërish ajo që ndodhi ishte poshtëruese.

Martin Maymer, lojtari më i mirë gjerman i golfit, tha në atë kohë: “Tiger, më vjen keq. Ishe i madh në këtë sport. Ai ka nevojë për ndihmën tonë. I uroj gjithë të mirat”.

Por Woods vendosi të luftojë në kohë rekord. Në shtator 2018 fitoi Kampionatin e Turneut, tashmë feston këtë mega-rkthim. Fitorja e ‘Masters’ i ka gëzuar të gjithë. Kjo sepse dominuesi i dikurshëm ka ndryshuar edhe në mënyrë njerëzore. Ai tani është shok me ish-rivalin armik, Phil Mickelson.

Edhe privatisht, historia e Tiger Woods ka gjetur një fund të lumtur.

Pas një marrëdhënie dyvjeçare me yllin e skive, Lindsey Vonn, Woods është në një lidhje me Erica Herman, 33 vjeç, ish-menaxhere e retoranteve të golfit, ‘Woods Jupiter’. Djali, Charlie Alex dhe e bija, Sam, festuan me babanë direkt pas goditjes vendimtare.

Tiger Woods ka edhe një objektiv: të barazojë rekordmenin e golfit, Jack Nicklaus, që ka fituar 18 turne të mëdhenj. Ai ka nevojë edhe për tre suksese.

Një gjë është e sigurt: Në këtë rrugë, Woods nuk do heqë dorë para kohe./BILD


Etiketa: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

CLOSE
CLOSE
Pas