Nuk duhet të ketë kompromis për çështje të krimeve të luftës

Javën që shkoj u raportua shumë për raportet e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në media natyrisht më së shumti vend zuri kritika e BE-së ndaj të gjitha vendeve të rajonit se nuk kanë bërë sa duhet për t’i luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, se nuk i kanë reformuar as sistemin e drejtësisë e as administratën publike. Për habi, me disa përjashtime, të gjitha shtetet e rajonit morën një notë të mirë për bashkëpunimin rajonal dhe u vlerësua se ky është një prioritet edhe për këto vende, edhe për Bashkimin Evropian.

Një gjë mbeti krejtësisht nën hije, pa u përmendur fare në media. Në raportin e Serbisë u konstatua se ky shtet vazhdon të mos ketë bashkëpunim të plotë me mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë në Hagë, që kanë marrë përsipër të jenë vazhdimësi e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Serbia nuk ka arrestuar dhe nuk i ka dorëzuar në Hagë të akuzuarit për pengim të drejtësisë, më saktësisht për kërcënim të dëshmitarëve. Serbia nuk ka bërë përparim në procesimin e shumë rasteve të krimeve të luftës para gjykatave vendore. Serbia ka vazhduar t’u japë hapësirë publike dhe politike të dënuarve për krime të rënda lufte.



Në Serbi politikanët me ndikim të madh në shoqëri kanë vazhduar, po ashtu, të mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, ani pse edhe gjykata për krimet e luftës në Hagë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kanë konfirmuar se krimet në Srebrenicë janë gjenocid. E BE-ja jo vetëm se nuk toleron që të mohohen krimet e gjenocidit, por kërkon që mohimi i tyre të bëhet edhe vepër e dënueshme me ligj. Në Serbi nuk i ishte hequr mandate as një deputeti të dënuar për krime lufte (fjala është për Vojisllav Sheshelin, ish-shefin e presidentit të tashëm të Serbisë, Aleksandar Vuçiç).

Pra, nuk ka dyshim se Serbia jo vetëm se nuk ka pasur progres në përballje me të kaluarën e saj, në dënimin e krimeve të luftës, por nuk ka fare dyshim se Serbia as që e ka mendjen që ta bëjë një gjë të tillë. Rast për të kujtuar këtë papërgjegjësi të Serbisë, që e toleron Bashkimi Evropian, dhe mjaftohet me përmendje në raportet e progresit, që më pak kush i lexon, ishte 20-vjetori i rrëzimit të regjimit të Slobodan Milosheviçit. Para 20 vjetësh u rrëzua regjimi i tij dhe ai zhvillim u quajt me rëndësi historike për tërë rajonin dhe tërë Evropën.

Liderët evropianë pohonin se “Serbia dhe tërë rajoni po e lënë prapa të kaluarën e errët dhe po shkon kah e ardhmja e ndritshme evropiane”. Menjëherë u zhvillua edhe Samiti i Zagrebit, ku u hap “perspektiva evropiane e rajonit”. Por, në Serbi as pushteti i parë pas Milosheviçit nuk u dëshmua shumë në përballje me të kaluarën e errët dhe trashëgiminë që e la ai regjim. Nuk kishte shumë vullnet për të hapur varrezat nëpër Serbi e as për të dhënë të gjitha dëshmitë që i kishin për krimet e kryera në Kosovë, por edhe në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë.

Për më shumë kishte edhe përçarje brenda Qeverisë së Serbisë në atë kohë. Vrasja e kryeministrit Zoran Gjingjiç ishte një dëshmi se në Serbi edhe në atë kohë forcat e errëta ishin shumë aktive, qoftë për interesa kriminalë apo për të parandaluar drejtësinë për krimet e luftës që kishin bërë forcat serbe, e jo vetëm “disa individë”. Sepse krimet që kishin bërë forcat serbe në tri shtete; Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë, ishin të përmasave të tilla që vetëm forcat e organizuara mirë, me qëllime të errëta, mund t’i kishin kryer.

Sepse për të vrarë qindra njerëz apo 8.000 në rastin e Srebrenicës për dy a tri ditë, për t’i varrosur të gjitha ato kufoma, për të vrarë, varrosur, nxjerrë nga varret, transportuar dhe varrosur përsëri nëpër Serbi trupat e civilëve shqiptarë duhet një organizim i mirë që nuk mund ta bëjnë vetëm disa individë. Të gjitha këto janë vepra të shtetit. Tash 20 vjet pas rënies së regjimit të Milosheviçit në Serbi përsëri janë në pushtet njerëzit e tij, që dikur i shërbyen.

Madje, ata kanë më shumë fuqi sesa që kishte Milosheviçi. Ata kanë një opozitë më të dobët sesa që kishte Milosheviçi. Ata, në fakt, në Kuvendin e Serbisë nuk kanë fare opozitë. Të gjitha mediat i kanë nën kontroll, me përjashtim të disave që kanë shumë pak zë në publik. Prandaj, nuk është për t’u habitur se as kritikat ndaj Serbisë për mosrespektim të obligimeve për t’u përballur me rastet e krimeve të luftës nuk depërtojnë në opinion në këtë shtet. Ajo që shqetëson edhe më shumë është tentimi i ish-njerëzve të Milosheviçit ose që t’i mohojnë krimet ose t’i relativizojnë ato.

Më së largu ka shkuar zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç. Ai ka shtruar pyetjen në një intervistë televizive se “çfarë të bëjmë me serbët, të cilët u tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve, u flasin marrëzira, dhe tregojnë se ku janë varrosur shqiptarët nëpër Serbi”. Pra, për Daçiçin nuk janë problem krimet, as fakti se kufomat janë rivarrosur nëpër Serbi për të fshehur ato krime, por problem është nëse dikush flet për to.

Është skandaloze se si as Kosova e as BE-ja nuk e konsiderojnë si skandaloze kërcënimin që zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ua bëri atyre që tregojnë se ku janë varrosur shqiptarët nëpër Serbi. Në një shtet normal ai do të arrestohej. Edhe ndonjë gjykatë ndërkombëtare, Speciale apo jo, do të kërkonte masa ndaj tij. Vetëm t’i dënosh “deklaratat që nuk shkojnë drejt pajtimit dhe fqinjësisë së mirë” nuk mjafton. Krimet ndaj civilëve shqiptarë u bënë me qëllim, kufomat u bartën dhe u varrosën në Serbi në varreza masive me qëllim për t’i fshehur gjurmët e krimeve, ndërsa edhe kërcënimet për ata që tregojnë ku janë ato varre janë bërë me qëllim. Prandaj, kjo kërkon një përgjigje më të prerë.

Bashkimi Evropian vetëm ka porositur se “liderët duhet të përmbahen nga deklaratat që nxisin tensione dhe me shembull personal të udhëheqin drejt fqinjësisë së mirë dhe pajtimit”. Por, problem me deklaratat e tilla nuk është vetëm në rrafshin politik. Është edhe në atë moral dhe kriminal. Sepse, nëse ata që dinë nuk flasin nuk mund të zbulohen as krimet e as varrezat se ku janë varrosur. Pa këtë nuk mund të zbulohet as fati i të pagjeturve. E pa të gjitha këto nuk mund të arrihet as normalizimi i raporteve mes dy shteteve apo mes popujve. Sepse për pajtim vërtet duhet gatishmëri dhe guxim nga të gjithë, por nuk mund të ndërtohet pajtimi me kërkesë që krimet të harrohen. E këtë e do Serbia, por as Kosova e as BE-ja nuk duhet ta tolerojnë.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252