Editorial

Nuk është puna te buka zoti Basha, po te ‘kurthi i të ardhurave’







               Publikuar në : 10:10 - 10/08/19 |
Nga Enton Palushi

Nga Enton Palushi


Tregojnë se kur po shembej Bashkimi Sovjetik, një zyrtar i lartë rus do vizitonte Londrën për të marrë disa këshilla. Pyetja e parë që i bëri kryebashkiakut londinez ishte se si do ia dilnin me furnizimin me bukë. Ishte koha kur radhët e bukës në Moskë ishin kryelajm në mediat perëndimore. Kryebashkiaku qeshi, duke i thënë se në sistemin e ri nuk do kishin kurrë probleme me bukën, madje do vuanin nga teprimi me ushqimin.

Sot kur obeziteti po vret më shumë njerëz në botë se luftërat, shprehja se njerëzit nuk kanë bukë të hanë po bëhet virale nëpër rrjetet sociale shqiptare. “Ndërkohë që shqiptarët nuk kanë bukë të hanë, Hajduti harxhon para për qejfe dhe luks,” tha edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha në një prej takimeve në rrethe.

Vendi ynë e ka një problem me varfërinë, sikundër ka familje që nuk plotësojnë disa nevoja bazike. Por nuk është ky problemi më i madh. Në vitin 2013, qeveria e demokratëve krenohej se Shqipëria ishte futur në mesin e vendeve me të ardhura të mesme – të larta. Prej atij viti, skenari më i keq që mund t’i ketë ndodhur Shqipërisë është ai që shumica e njerëzve nuk e ka ndjerë sa duhet rritjen ekonomike, ndërkohë që një grusht njerëzish janë pasuruar në mënyrë të jashtëzakonshme. Kjo temë do të vazhdojë të shoqërojë jetët e shqiptarëve për një kohë të gjatë, këtë ta keni të sigurt. Edhe në vendet më të pasura besojnë se sistemi punon më shumë për një dorë njerëzish. Por problemi i qeverisjes së Edi Ramës është se nuk bëri ndonjë hap cilësor për ta nxjerrë Shqipërinë nga ai që njihet si ‘kurthi i të ardhurave të mesme’.

E kam trajtuar këtë temë në një shkrim para disa kohësh. Shumica e vendeve të dala nga qeverisjet monopartiake e përjetojnë mrekullinë e demokracisë dhe tregut deri në një pikë. Këto vende ia dalin që të rrisin të ardhurat deri sa të mbërrijnë në ‘pellgun’ e vendeve me të ardhura të mesme. Por janë shumë të pakëta vendet që bëjnë kapërcimin cilësor duke kaluar tek grupi i vendeve me të ardhura të larta.

Kjo është drama e shqiptarëve, që po i nxit ata të emigrojnë masivisht drejt Perëndimit, këtë herë nga të gjitha shtresat sociale. Ata ndjejnë se vendi i tyre nuk po e bën hapin e madh për t’u bërë pjesë e vendeve të zhvilluara.

Kjo duhet të jetë edhe fushë-beteja e Bashës. Edi Rama e pati shansin e tij të tregonte se mund të shkëpuste Shqipërinë nga ky rreth vicioz dhe bëri një vrimë në ujë, duke i lënë vendit edhe një njollë të zezë krimi mbi shpinë.

Pavarësisht goditjeve të shumta poshtë brezit që ka marrë PD, tani është radha që Basha të tregojë se çfarë do bëjë ai për të dalë nga ky kurth. Fillimisht duke na treguar se çfarë plani ka, pse duhet ta besojnë shqiptarët atë dhe planin e tij, dhe me cilin ekip do e zbatojë këtë projekt.

Pastaj të sqarojë se si do sillet ndaj biznesit, kësaj force që ka fuqinë për të çuar vendin përpara apo se çfarë do bëjë për shëndetësinë, për arsimin, mbrojtjen sociale, për administratën, etj.

Po ashtu duhet të na tregojë se cila është qasja e tij ndaj sundimit të ligjit dhe reformës në drejtësi, të cilën partnerët e huaj e shohin si një mënyrë për të ndihmuar ndjeshëm Shqipërinë për të bërë hapin cilësor drejt vendeve të zhvilluara.

Shqiptarët e kanë nuhatur prej kohësh se jemi të zënë në kurth. Tani është koha për të treguar se si do dalim prej tij. Mundësisht duke mos u fokusuar tek mungesa e bukës.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas