Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, shprehu trishtimin për ndarjen nga jeta të shoqëruesit të saj, gardistit 58-vjeçar, Gani Potka, i cili nuk e fitoi dot betejën me COVID-19.
Në një mesazh prekës, ministrja shprehu tronditjen e thellë për ndarjen e tij nga jeta.
Dy ditë më parë, gardisti kishte shfaqur temperaturë të lartë. Nisur nga simptomat, ai u dërgua në spitalin COVID-2, te “Sanatoriumi” nën kujdesin e mjekëve, por ndërroi jetë mëngjesin e sotëm.
“Kur komandanti i Gardës më solli jetëshkrimin me fotografinë tënde, e kuptova menjëherë që ishe i duhuri. Rrezatoje përkorësi, fisnikëri, mirësi.
12 orë në ditë, për 1 vit e gjysmë, më shoqërove kudo, i duruar, i vëmendshëm, i kujdesshëm. Çdo ditë sillje maskat, ujin, i vendosje tek dera e makinës, më tërhiqje vërejtje se pija pak. E thoshe me krenari që s’kishe pirë kurrë një aspirinë.
Kur më lajmëruan që ke humbur vetëdijen dhe të kanë intubuar, tronditja ishte aq e madhe sa nuk nxora dot asnjë fjalë. Vetëm lot që rridhnin pa kontroll. Sot, që ky virus i pabesë të mori frymën dhe jetën, s’kam më as lot. Nalta të adhuronte, çdo njëri nga ne që të njohu të donte dhe të respektonte. Na ke tronditur dhe trishtuar thellësisht. Për familjen tënde nuk ka ngushëllim, por ne do iu gjendemi gjithmonë! Prehu i qetë, Gani! Dritë pastë shpirti yt i mirë!”, ishte mesazhi i ndjerë i Spiropalit.
LEXO EDHE:
Ndërron jetë nga koronavirusi gardisti, truprojë personale e Elisa Spiropalit