Shija e hidhur që i la kryeministrit thirrja e qytetarëve “Rama ik” në Elbasan, nuk mund të lihej pa u ndëshkuar. “Çunat problematikë” që mbijnë në çdo zgjedhje, sidomos në Elbasan, dolën nga turma dhe me grushta e shkelma iu vërsulën atyre që fundja kanë 1001 arsye të kërkojnë ikjen e Ramës. Revolta e qytetarëve do ishte normale dhe për një kryeministër që ka punuar mirë, prej tetë vjetësh po ka lënë xhepa dhe hapësira personash të pakënaqur, dhe jo më për një kryetar qeverie se ky i yni që bilancin e punës e ka blozë.
Pamje të tilla mediat ofruan jo pak dhe gjatë fushatës së Trump në Amerikë, apo dhe kryeministrave të tjerë në detyrë që në fund të mandatit kërkojnë votën e qytetarëve. Skena të tilla u panë në Angli gjatë zgjedhjeve atje, në Francë kundër Sarkozi e Hollande e kudo. Protestat në vigjilje fushate fundja janë shprehje e demokracisë, për atë që s’ke bërë apo atë që ke bërë keq. Por askush, nuk mban mbrapa ushtarët e rekrutuar nga krimi i organizuar për t’u mbrojtur.
Por kryeministri ynë bën përjashtim. Për çdo zë kundër ai ka gati kërbaçin. Këtë kërbaç ai nuk ngurroi ta fusë dhe në parlament. Kur nuk ndërhyn policia atëherë ai përdor këtë lloj kërbaçi që e fut mes turmave. I patë dje? Të maskuar me kapuçë në kokë, ata kishin dalë të prisnin kryeministrin, që më shumë se shef i qeverisë dukej aty si një kapobandë.
U shkëputën nga turma për t’u lëshuar mbi ata që kishin dalë të shprehnin zemëratën kundër dhënies së vendit me PPP, menaxhimit skandaloz të pandemisë, varfërisë dhe çdo fenomeni kriminal që ka ngërthyer keqas jo vetëm Elbasanin, por gjithë Shqipërinë. E çfarë ka tjetër në dorë, ai burri i moshuar që u dhuna dje veç fjalës?
“Çunat problematikë” të kryeministrit s’duan t’ia dinë fort për vuajtjet e bashkëqytetarëve.
Duke qenë në xhepin e Ramës ata e kanë rrugën e shtruar për çdo prapësi në Elbasan. Një sy i vëmendshëm do vinte re se si qyteti heshti kur ata dolën në skenë.
Pra i njihnin mirë, dhe jo më kot ishin sjellë aty. Zelli i tyre për të ndëshkuar të pabindurit e qytetit, që po thërrisnin kundër Ramës ishte i pazakontë, megjithatë deri diku i justifikuar. Rreziku se Rama mund të humbasë mandatin, për ata do të thotë shumë. Do të thotë që nesër, ata mund të përjetojnë ëndrrën më të keqe në ndonjë qeli burgu. Rama, Balla e të tjerë janë investim i tyre, dhe janë në ato pozicione për t’i mbrojtur. Rrëzimi i kësaj kaste do ishte rrëzimi i mburojës për ta.
Por a mund ata ta nënshtrojnë këta lloj individësh një qytet përgjithnjë? Vendosmëria e atyre protestuesve dje iu tregoi të kundërtën. Frika tashmë po ia lë vendin ndëshkimit. U tregoi se numërimi mbrapsht ka filluar dhe shefi i tyre shumë shpejt s’do ketë më fuqitë e Zeusit që t’i mbrojë. I dhanë mesazhin se duhet të mendojnë që të ndërrojnë zanat, në rast se nuk duan të përjetojnë atë që deri më tani as nuk kanë mundur ta imagjinojnë. Kërbaçin e drejtësisë.