Zbulimi në përmbajtje që i bëri gazeta Mapo vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut për çështjen e pronësisë në Shqipëri është me rëndësi thelbësore. Vendimi i Strasburgut prek me dhjetra mijë familje shqiptare duke u cënuar atyre një të drejtë kushtetuese dhe historike.
Ky vendim unifikues i Gjykatës së Strasburgut, lehtësoi barrën financiare të qeverisë për kompensimin e pronave, me gati 8 herë. Që do të thotë, nëse një familje ka një vendim prone për t’u kompensuar me 100 milionë lekë, tani do marrë vetëm 12 milionë. Për këtë vendim të padrejtë, nuk duhet të fajësojmë Strasburgun, por Tiranën.
Nisur nga precedentët e vendeve të tjera, vendimi i Strasburgut bazohet në një kontekst historik të caktuar. Pas shumë vonesave në dhënien e vendimeve për disa familje shqiptare me faturë të majme financiare, Strasburgu priste nga qeveria shqiptare një relacion për të kuptuar aftësinë e saj financiare. E qartë që Shqipëria nuk e ka këtë mundësi.
Në këto kushte, kjo instancë ka vendosur për “kompensim në raport të drejtë”. Pra, prona e humbur në një regjim të kaluar, të kompensohet në ditët e sotme në varësi të mundësive të shtetit. Pak a shumë, shtetit shqiptar i vendoset detyrim të kompensojë pronarët shqiptarë me 500 milionë euro në total, një shumë qesharake në raport me vlerën reale të pronave të humbura.
Po pse xhanëm puna vajti kaq keq për dhjetra mijë familje shqiptare? Kjo pyetje e ka përgjigjen në 30 vite tranzicion. Sepse, që në fillim, u aplikua ligji 7501 për ndarje toke bujqësore me parimin marksist “toka i takon kush e punon”! E ky ligj që mendohej se do zbatohej vetëm një vit, u zbatua deri në 2009-ën, aq sa nuk ngeli kryeplak e kokëderr komune a qyteti që nuk ndau tokë.
Në total, u zhdukën mbi 400 mijë hektarë tokë, sipas vlerësimeve paraprake. Më pas, u ra dakord me Kushtetutën e vitit 1998 që prona t’i kthehej të zotit. Por, asnjëherë nuk u bë ai regjistër i tokave dhe pronave të lira, edhe pse mundësitë ishin. Bregdeti shqiptar ishte tërësisht i lirë për kompensim dhe nuk u përdor asnjëherë.
Mjafton vetëm një detaj për të kuptuar babëzinë e pushtetit shqiptar me pronën. Ende sot nuk ka një regjistër të plotë për pronësinë. Por ky regjistër ekziston. Mbretëria shqiptare regjistroi të gjitha pronat në vitet ‘30-të në vendin tone, falë një pune të Institutit Mbretëror të Firences midis viteve 1930-1937. Asnjë qeveri nuk mori iniciativën t’i kërkojë asaj italiane, marrjen e këtyre regjistrave. Në to janë të plota pronat e familjeve të mëdha shqiptare, të komuniteteve fetare, të pronave publike deri në atë kohë, etj.
Kushtetuta jonë njeh edhe detyrimin e kompensimit të pasurive të luajtshme në Shqipëri të konfiskuara pas vitit 1944, pra të florinjve dhe sendeve me vlerë. Ende nuk ka një ligj për të zbatuar këtë detyrim kushtetues, por sipas vlerësimeve papraprake, vlera e florinjve të marra nga komunistët, i kalon 4 miliardë euro. Nga ta nisësh më parë…
Por pyetja thelbësore është; a mund të ndreqet kjo punë? Po, mundet! Janë të gjitha mundësitë dhe kushtet. E gjithë çështja është tek vullneti politik. Edhe nën diktatin e vendimit të ri të Gjykatës së Strasburgut, çështja e pronësisë në Shqipëri mund të zgjidhet. Do mjaftonte një mandat qeverisës.
Së pari, qeveria duhet të përmbyllë të gjithë hartën e pronësisë. Së dyti, të evidentojë të gjitha pronat publike të lira për t’u përdorur për kompensim. Së treti, kthimi fizik të përdoret për kompensim, sepse realisht ka ende prona të mjaftueshme publike dhe kjo do të ulte barrën financiare. Së katërti, dhe më e rëndësishmja, të votojmë një qeveri që lufton korrupsionin.
Gjykata e Strasburgut vetëm sa vuri dorën në plagë, por shërimin e saj duhet ta kërkojmë këtu, jashtë nuk na kanë asnjë faj.