Aktualitet

Nuk ka kohë të presim fundin e pandemisë














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:06 - 17/04/21 |
Eduart Gjokutaj

Aftësia e Shqipërisë për të rritur mbështetjen fiskale nuk ka ndryshuar edhe pse fushata zgjedhore duket sikur nuk po bëhet në kohë pandemie.





Financat tona nuk munden dot të marrin më shumë borxh nëse nuk kanë garancinë se të ardhurat e parashikuara do të realizohen për 6-mujorin e parë.


Ndërkohë, rimëkëmbja ekonomike nuk mund të ngjajë dot me asnjë nga vendet përreth, pasi vetë pandemia na tregoi qartë se disa vende dinë dhe munden të ecin më shpejt, ndërsa vende të tjera mbeten prapa ose ngecin. Derisa të vihet nën kontroll pandemia, do të kalojë edhe disa muaj deri në një vit tjetër.





Politika fiskale do të duhet të mbetet fleksibile dhe mbështetëse.



Nevoja dhe hapësira për një mbështetje të tillë nuk duhet të jetë e njëjtë për sektorë që duan më shumë kohë të rimëkëmben, por që natyrisht secili prej tyre ka të drejtën e një përgjigje të përshtatur me rrethanat e vendit. Sidoqoftë, qeveria duhet të vijojë t’i japë përparësi edhe më tej mbështetjes së vazhdueshme për familjet në nevojë.


Pandemia ka pasur një efekt negativ në mënyrë disproporcionale mbi njerëzit e varfër, ku përfshihen edhe punëtorët me pagë të ulët dhe sidomos ata që janë ende pjesë e sektorit informal.

Qeveria aktuale duhet t’ia lërë opsionin buxhetor të hapur qeverisë që do të krijohet pas zgjedhjeve. Ajo duhet të sigurojë që mbrojtja sociale të jetë e disponueshme dhe shpenzimet do të jenë të qëndrueshme gjatë gjithë krizës duke zgjeruar mbulimin e sigurimeve shoqërore në një mënyrë me kosto efektive (duke filluar një fushatë mbarëkombëtare kundër punës informale dhe me objektiva të qarta për forcimin e administrimit).

Por, nevojë për vijimësinë e mbështetjes më të organizuar dhe të konsoliduar edhe me shërbimet e administratës kanë edhe bizneset që u duhet mbështetja financiare dhe teknike për të transformuar modelimin e ri të biznesit të tyre në kushtet e tregut të ri të krijuar nga pandemia.

Në të njëjtën kohë, qeveria duhet të adresojë qartë mbështetjen e saj për të orientuar shpërndarjen e atyre burimeve që ka vendosur për t’ia dhënë biznesit duke mos mbajtur edhe më tej me shpresa ato biznese që nuk mund të rimëkëmben dot pas efekteve më të fundit prej pandemisë.

Lexo edhe :  Koronavirusi në Kosovë - 154 infektime ditore dhe 11 viktima

Qeveria nuk ka kohë të presë fundin e pandemisë dhe të mbajë shpresën se vaksinat dhe masat aktuale do të riaktivizojnë ekonominë. Momenti i zgjedhjeve aktuale dhe pas tyre duhet të nxitë vëmendjen e qeverisë që të riorganizohet duke dalë nga guaska aktuale strukturore për të shprehur qartë (për vete ose pasardhësin), se do të synojë një transformim të fortë të sektorëve jetikë, digjitalizimin dhe gjithëpërfshirjen tashmë të ekonomisë në botën që po ndryshon pa u kuptuar.

Premtimet elektorale aktuale duket se adresojnë tema të rimëkëmbjes, por nuk ngjallin shpresën se do të kemi një nxitje të koordinuar të investimeve publike me problemet e mëdha që kanë cenuar konsolidimin fiskal. Projektet me pjesëmarrjen e sektorit privat dhe kantieret e ndërtimit do të zbutin efektet e mprehta të stanjacionit të konsumit. Ndërsa, prodhimi për eksport po pret që të hapet Europa, por disa tregje të reja duhen synuar që tani pasi potenciali i fasonëve nuk duhet shfrytëzuar poshtë kapaciteteve që mbart prej vitesh.

Por, ndërkohë ndihma për njerëzit që të kthehen në vendet e punës dhe të ndryshojnë vendin e punës, përmes subvencioneve, trajnimit të zgjeruar dhe programeve të inovacionit duhet të kthehen në procese rinovuese dhe modeluese të ekonomisë së re që po vjen edhe për shqiptarët.

Reformimi i sistemit tatimor është i nevojshëm për sa kohë që fiskalizimi do të konsiderohet si mekanizmi permanent për zbardhjen e informalitetit. Por në realitet nevojitet që të rritet asistenca teknike për administratat e taksave vendore për të promovuar një mentalitet të ndryshëm nga përjetimet që kemi sot.

Për të ndihmuar në përmbushjen e nevojave buxhetore duhet që mbledhja e të ardhurave tatimore të synojë të ndjekë qarkullimin e parasë dhe të rigjejë vetveten me burime të reja, veçanërisht në funksion të nevojave të modelimit të ri tatimor.

1


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas