Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar, Petrit Vasili, ka mbërritur pak minuta më parë në selinë e Partisë Demokratike për t’u takuar me kryetarin Lulzim Basha, raporton Politiko.al.
Ky takim është i treti që Kryemadhi zhvillon në selinë blu me Bashën, që pas marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy partive.
Basha dhe Kryemadhi takohen vetëm një ditë përpara seancës plenare të Kuvendit, e cila pritet të dominohet sërish nga përplasjet për çështjen Tahiri dhe së fundmi për arrestimin e biznesmenit Orest Sota me 863 mijë euro dhe dy patenta të ish-ministrit.
Pak muaj më parë, takime të tilla rutinore zhvilloheshin çdo të mërkurë mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, kur drejtonin së bashku qeverinë. Por zgjedhjet e 25 qershorit dhe situata e rënduar kriminale në vend ka ndryshuar raportet.
Opozita ka folur deri më tani për aksion të përbashkët kundër kësaj qeverie, por edhe për revolucion.
Ende nuk dihet se cilat do jenë hapat që do ndërmerren.