fbpx

Editorial

Nuk ka normalitet në kohë krizash





               Publikuar në : 09:30 - 13/07/19 |
Mapo.al

Mapo.al


Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit për klimën e biznesit në Shqipëri kishte krijuar efektin që imagjinohej. Edhe pse ishte raporti i parë kaq kritik për situatën ekonomike në vend, më shumë në rrjetet sociale po diskutohej për mesazhet e dyfishta që na vijnë nga Amerika. Diçka e tillë kishte ndodhur edhe më herët me një tjetër raport të DASH për drogën e trafiqet, kur gjuha e përdorur prej tyre dukej sikur kontrastonte me atë të diplomatëve në Tiranë.



Megjithatë, pavarësisht se rrjetit i pëlqen që të diskutojë për teoritë konspirative, fakt është se mesazhet e DASH ishin serioze. Por teksa shqiptarët e kanë rikthyer vëmendjen tek ekonomia, duke u shqetësuar për ‘flakareshën’ e Departamentit të Shtetit mbi gjendjen e biznesit dhe për paralajmërimet se një taksë do të rëndojë mbi xhepat e tyre me rritjen e çmimit të naftës, kryeministri Edi Rama u shfaq më i relaksuar.


U bë disa ditë që ai i është larguar retorikës luftarake të fushatës zgjedhore dhe po viziton njëherë një fermë blegtorale, njëherë tjetër një fabrikë bimësh medicinale, pastaj po prezanton një projektligj mediokër.

E gjitha duket se ka për qëllim që të tregojë se Shqipëria është rikthyer në normalitet. Vera ka nisur, pushuesit po shijojnë plazhin, votimet mbaruan, ekranet kanë nisur të shfaqin programet ‘best-of’, në Facebook dhe Instagram ka më shumë foto ushqimesh dhe argëtimi.

Por gjithçka është një iluzion për marketing politik të momentit. Të gjitha krizat e rënda të Shqipërisë janë aty, duke u nxirë akoma më shumë nën dritën e diellit të korrikut. Ndoshta kryeministri e quan normalitet atë që ka ofruar vazhdimisht gjatë kësaj kohe.

Për ironi, pasi e akuzuan se është drejtues i një operacioni për manipulimin e zgjedhjeve, shkoi dhe bëri të njëjtën gjë me votimet e dështuara të 30 qershorit, madje në sytë e botës.

Pasi në Tiranë zbarkuan shtatë organizatat më të mëdha të lirisë së medias, të alarmuara për gjendjen e shtypit (imagjinoni protestat që do kishte bërë Erion Veliaj, që nuk denjoi të priste fare këto organizata, nëse ky alarm do kishte ndodhur në kohën e qeverisjes së PD), kryeministri dërgoi sërish për miratim në Kuvend një paketë antishpifje, e denjë vetëm për Kremlinin e Putinit.

Teksa qytetarët janë të shqetësuar se çmimet vetëm po kapin majat dhe se taksat janë të papërballueshme, kryeministri po ua bën sërish një ‘dhuratë’ aty ku kazani është mbushur kaq shumë dhe po derdhet: te çmimet e karburanteve.

‘Normaliteti’ i Edi Ramës mund të ngjajë si historia e rrobave të reja të mbretit. Por kjo nuk është më për të qeshur sepse kriza ka hyrë rëndshëm në xhepat e qytetarëve dhe të biznesit. Një profesor i nderuar paralajmëron se nëse nuk ka ndryshim së shpejti, fatet e ekonomisë kombëtare janë të rrezikuara.

Prandaj në vend që të rrimë e të fantazojmë se përse Uashingtoni na duket i dyzuar, kur çdo raport që po vjen prej andej po na e thotë troç se kjo është një qeveri e dështuar, le të mendojmë më shumë për atë që na ndikon më shumë në jetën tonë: për mirëqenien. Mos harrojmë, pasojat e kësaj që po gatuan tani Edi Rama, do i ndiejmë edhe më fort më vonë.


Etiketa: , , , , ,

Pas