Nuk kam asgjë me intelektualët e opinionistikës së majtë, sepse sharlatanizmi është në ontologjinë e tyre.
Por bëhet acaruese, kur intelektualë që i përmbahen vokacionit të djathtë, nëpër studjo, madje dhe në shkrime të firmuara, bëhen përçues të gabuar termash çoroditës që nuk kanë asnjë lidhje me të djathtën etike dhe piketat e saj historike.
(Për ata që nuk e kujtojnë, populizmi është lindur në Rusi ne fundshekullin e 19 deri në fillimshek XX si një lëvizje politiko-revolucionare, që drejtohej si kundër burokracinë cariste e sidomos influencave të industrializimit perëndimor, me aspiraten për një socializëm rural.
Edhe breznitë tona që për filozofi njohen vetëm materializmin dialektik, e dinë se populizmi ka qënë paraprijëse e bolshevizmit të mëvonshëm.
Ashtu siç me një kundrim edhe të pavemendshëm, vëren se populizmi ka qënë njëkohësisht edhe paraprijës i fashizmit dhe nazizmit. Dy nacional-socializmat i sollën botës fashizmin dhe nazizmin, ndersa “socializmi-rural” rus prodhoi bolshevizmin e njësojtë.
Siç shihet si rrënja morfologjike ashtu ajo ideologjike e të tri këtyre izmave rrënues të popujve dhe vetë jetës, është socializmi.
Populiste në Shqipëri ne konceptin klasik konsiderohet lëvizja e Haxhi Qamilit gjithashtu në dekaden e dytë të shek XX.
Këtë lëvizje, komunizmi-feudo-enverist e ruajti dhe e përcolli si simbolikë dhe model të revolucionit popullor deri në rrëzimin formal të vitit 1992. I cili siç dihet ndonëse nuk e dogji “bajrakun me sorrë…”, e poshtëroi dhe e maskroi atë jo vetëm me yllin e babës bolshevik.
Lëvizjen e Nolit (1924) populiste në organizim e retorikë po që ngeci kur mbërriti tek ultimatumet dhe armët dhe sidomos tek reformat shtetbërëse, ideologjia komuniste e trajtoi si revolucion “demokratiko-borgjez.”
Levizjen e Nolit në mënyrë çoroditëse, ndoshta dhe të vetëdijshme “me një flatër” paradoksalisht e sajoi si të vetën edhe Partia Republikane e Shqipërisë e krijuar për nevoja “emergjente” Parti që aspiron e militon si Godot e Beckett djathtas.
Në fillim të vitit 1997 e majta shqiptare duke përfituar nga kolapsi financiar, krejt i riparueshëm, populizmin e rifilloi me “kuje-t” e plakave labe nëpër bulevardet e kryeqytetit, e vazhduan demagogët “e djathtë” të së majtës nëpër medie, duke kulmuar me sulmin kriminal ndaj shtetit dhe komitetet gjinushiste të zhbërjes së Pavarësisë së Qemalit.
Tani është e freskët sepse prej vitit 2005 populizmin e bëri yll polar Edi Rama me propaganden dhe nismat atopike “…as majtas, as djathtas…” etj.
Dhe po aq i freskët është në qeverisjen aktuale “socialiste” ndaç thuaj fashiste, bashkë me pasojat katastrofale në jetën ekonomike, politike, institucionale deri demografike të vendit.
Është normale që “teologët” nënkupto demagogët e së majtës populizmin në menyrë sharlatane duke e konsideruar si të keqe ia mveshin opozitës dhe çdo antikomunisti, por abnormale për intelektualët e vokacionit të djathtë, të bien viktimë e terminologjive të tilla pa semantikë.
Shenim:
Populizmin me markë shqiptare duke filluar nga Haxhi Qamili e deri tek ky i aktuali, e ka karakterizuar një dibran i mënçem duke iu drejtuar një kandidati të majtë për deputet në vitet 90′ me silogjizmën e mizës së kalit.
Sapo cof një perandori futet në prapanicën e tjetrës.
Mjafton të numërosh prapanicat; turke, ruse, jugosllave, prap ruse, kineze, turke, neojugosllave dhe jo rrallë prapanicën ambasadoriale, ku ka “banuar” populizmi majtist shqiptar, të dalësh në konkluzione të thjeshta.
E djathta shqiptare edhe e masakruar, s’ka qënë as nuk ka ndertuar raporte vasale me asnjë prapanicë, përveçse partneritet, dinjitet dhe prosperim për vendin.