Dikur

“Nuk kam parë kurrë asi trimash, të gjithë vdiqën duke thirrur: Rroftë Krishti Mbret!”














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:59 - 27/09/21 |
mapo.al

“I fali të gjithë ata që në çdo kohë mund të më kenë ba keq. I fali edhe ata që më kanë dënuar me vdekje, edhe ata që do të më ekzekutojnë. Rroftë Krishti mbret! Rroftë Shqipnia”. Kujto.al sjell çastet e mbrame të 9 të pushkatuarve, gjashtë klerikëve, një seminaristi të ri dhe dy laikëve, fjalët e paqta të të cilëve kumbuan shumë më gjatë se krismat e armëve që u morën jetën. Ata dhe 29 martirët e tjerë të Kishës Katolike, të shpallur të lumë më 5 nëntor 2016, ikën nga kjo botë përmes vuajtjesh të patregueshme, por të lumtur sepse nuk po braktisnin Zotin dhe të lirë sepse i falën persekutorët e tyre






Mëngjesin e 4 marsit, pasi kishin pushkatuar padrejtësisht 6 njerëz dhe i kishin lënë mbi zallin e Kirit, toga e ushtarëve, kthehej në qytetin e Shkodrës me kamion, duke kënduar. Atë ditë ata do të merrnin, sipas rregullores, dy racione gjellë. Dukej sikur asgjë nuk ua trazonte ndërgjegjen, ose ndoshta këndonin pikërisht për të mbytur zërin e saj. Megjithatë diçka kishte arritur ta depërtonte mburojën e indoktrinimit të tyre. “Nuk kam parë kurrë asi trimash, të gjithë vdiqën duke thirrur: Rroftë Krishti Mbret!”, i kishte thënë më vonë një prej këtyre ushtarëve një të riu katolik shkodran, siç shkruan At Zef Pllumi në librin “Rrno vetëm për me tregue”, teksa përshkruan ngjarjet e vitit 1946.


Të pushkatuarit ishin Gjelosh Lulashi, Pader Danjel Dajani, Pader Gjovani Fausti, Pader Gjon Shllaku, Mark Çuni dhe Qerim Sadiku. Ishin dënuar si organizatorë të “Bashkimit Kombëtar”, një organizatë antikomuniste që shpërndante trakte kundër regjimit. E vërteta e kësaj organizate ishte që seminaristët Mark Çuni dhe Gjergj Bici, shtypnin krejtësisht fshehtas, pa dijeninë e drejtuesve të Seminarit, disa trakte që i shpërndanin përmes të njohurve në Shkodër apo fshatrat përreth. E megjithatë, prokurori Aranit Çela dhe trupi gjykues e ktheu këtë sipërmarrje rinore, në një akt të organizuar terrorist ku ishin përfshirë edhe krerë të lartë të krerit, të cilët nuk kishin as dijeninë më të vogël. Pak ditë më parë ishte pushkatuar në Tiranë, Anton Harapi, si anëtar i regjencës. Tashmë pushkatoheshin në Shkodër gjashtë klerikë dhe seminaristë.







Komunistët kishin vendosur ta godisnin kishën katolike sepse drejtuesit e saj kishin paralajmëruar rrezikun që sillte reja e kuqe, e cila donte të pengonte shqiptarët të shihnin nga Qielli. Procesi i zhvilluar në Shkodër kishte qenë vërtet tronditës. Ditë për ditë, të arrestuarit përshkonin bulevardin e qytetit nga birucat për te salla e gjyqit që mbahej në teatrin “Rozafa” nën thirrjet fyese të rreshtit të parë të komunistëve të zjarrtë dhe nën shikimin e trembur të të afërmve dhe miqve që plotësonin radhët e tjera të turmës. Fundi i atij procesi ishte edhe më shumë. Fillimisht u dënuan me vdekje tetë njerëz, nga të cilët dy i shpëtuan ekzekutimit dhe me burgim të përjetshëm apo dënime të gjata dhjetëra të tjerë.




Gjashtë të dënuarit me ekzekutim dhanë deri në fund dëshmi të pafajësisë dhe përkushtimit të tyre ndaj besimit, të cilit i kishin kushtuar jetën, edhe pse nuk e kishin menduar që ajo do të ndërpritej nga një togë pushkatimi siç ndodhte me kriminelët. Mirëpo kush më shumë sesa ata që frymëzoheshin nga Krishti, mund ta pranonin në paqe një ndëshkim të padrejtë? Sigurisht vetëm e lehtë nuk ka qenë e megjithatë ata i mblodhën forcat për të lënë si fjalë të fundit, shprehje që i lartësojnë për jetë. “I fali ata që më kanë ba keq. Jam kondend se po vdes i pafaj ma mirë se fajtuer. T’i japin prindërit (farefisi) Dom Zef Shllakut pare për të thanë 2 meshë”, tha Pader Danjel Dojani. “Jam kondend se vdekja po më vjen t’u krye detyrën teme. Dërgoni shëndet jezuitëve, xhakonjve, apostolikëve dhe arqipeshkëvit. Rroftë Krishti mbret”, thirri Pader Gjovani Fausti.



“Lamtumirë m’i thoni shokëve Françeskanë dhe të gjithë të njohurve. Rroftë Krishti mbret, Rroftë Shqipnia”, ishin fjalët e fundit të Pader Gjon Faustit. “I fali të gjithë ata që në çdo kohë mund të më kenë ba keq. I fali edhe ata që më kanë dënuar me vdekje, edhe ata që do të më ekzekutojnë. Rroftë Krishti mbret! Rroftë Shqipnia”, tha laiku Qerim Sadiku që ndoqi Krishtin deri në fund të jetës. «Thoni babës të më falin se e kam trazue. Nanës të fala dhe t’m’i puthin vllaznit. Borxhet që më kanë mbete të m’i paguejnë prindërit. I fali me zemër të gjithë ata që më kanë ba keq. Rroftë Shqipënia», tha laiku tjetër që vdiq për Krishtin, Gjelosh Lulashi. “I fali të gjithë ata që më kanë gjykuar, dënuar si dhe ata që do të më ekzekutojnë. T’i thoni nanës se i kam Lodovik Rashës 15 napolona borxh dhe t’ia paguaj. Rroftë Krishti mbret! Rroftë Shqipnia” – tha trimi Mark Çuni. Ishin nxënësit e Krishtit të shekullit të 20-të.

Të ngjashme me këto ishin edhe fjalët e fundit të Fratel Pjetër Gjini, Pader Mati Prendushi dhe Dom Nikoll Dedës, dy vite më vonë, në 11 mars 1948. “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë feja katolike dhe katolikët në botë! Rroftë Papa! Gjaku dhe trupi jem mbeten këtu, por shpirti dhe zemra është te Papa. Rroftë Shqipnija!”, tha i pari. “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës sime. Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Papa! Rrofshin katolikët! Rroftë Shqypnija! U baj hallall gjyqit dhe ata që do të shtien mbi trupat tanë të pafajshëm”, tha i dyti. “Rroftë Shqipnia! Po vritem në punën time. Rroftë Krishti Mbret! Rroftë populli shqiptar!”, tha i treti. Kur Judë Iskarioti kuptoi çfarë kishte bërë i ktheu mbrapsht paratë e marra për dorëzimin e Jezusit dhe vari veten, por regjimi komunist vazhdoi të dënojë e të pushkatojë padrejtësisht klerikë e laikë duke mos shfaqur kurrë pendesë e duke humbur mundësinë e një faljeje të kërkuar për ta, në kushte të rralla.

1


Etiketa: , ,

Pas