Mbi dhjetra të rinj ndodhen në ambientet e komisariateve të Tiranës, për pjesëmarrje në protestat e nxitura nga vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie.
Një prej tyre është dhe Nezart Tako, i cili, sipas të ëmës, ndodhet në ambientet e komisariatit nr.2 prej të premtes – 11 nëntor.
Nëna e tij, Zana Tako, shprehet për Ora News se djali i saj nuk ka marrë aspak pjesë në protesta, e megjithatë, është shoqëruar në ambientet policore.
“Jam Zana Tako. Kam ardhur këtu, po pres për djalin. Më kanë thënë që do dalë pas 3 ditëve. Nuk më kanë lajmëruar përpara se ku ndodhet. Vetëm djali e di si ka ndodhur. E ndaluan të premten në një lokal, ora 20:30. Nuk ka kaluar ora 22:00. Nuk na japin shpjegim, nuk e dimë çfarë të bëjmë. Unë djalin e kam dhe pa qejf. Është 18 vjeç. Asnjëherë nuk ka qenë pjesë e protestave. Unë dua djalin sa më parë të më dalë. Është i pafajshëm”, – thotë nëna e Nezart Takos.