Komandanti i një aeroplanmbajtëse amerikane tha se nuk e zë gjumi natën për shkak të kërcënimit rus në Atlantik.
Ai i bëri këto komente, teksa aeroplanmbajtësja bërthamore USS Harry S. Truman vizitoi Britaninë.
Admirali Eugene ‘Gene’ Black, komandant i grupit goditës 8 të Flotës Amerikane, tha se aeroplanmbajtësja me peshë 100 mijë ton- e gjatë 334 metra dhe me 74 avionë në bord- është simbol i fuqisë dhe fleksibilitetit.
Black tha se ajo mund të dërgohet kudo që të jetë nevoja.
“Ne jemi këtu në veri të Atlantikut dhe mendoj se kjo dërgon sinjalin më të mirë të mundshëm për angazhimin tonë ndaj NATO-s, partnerëve tanë në rajon dhe se sa seriozisht e marrim ne angazhimin në këtë pjesë të botës”.
Aeroplanmbajtësja ka një ekuipazh prej 3200 personash, por mund të mbajë në bord më shumë se 5500 njerëz.