Teknologji

Nuk mjafton të binden, robotët duhet edhe të kuptojnë






               Publikuar në : 18:53 - 27/08/19 |
mapo.al

Njësoj si njeriu, edhe për robotët nuk është më e mjaftueshme që t’i binden komandave në mënyrë automatike. Ata duhet të kuptojnë se përse duhet të kryejnë veprime të caktuara. Nuk po afron një rebelim i makinave, por një revolucion i kërkuar nga njeriu për të bërë të mundur jetesën me robotët në mënyrën më të mirë, si në vendet e punës edhe në shtëpi, duke rritur efektshmërinë dhe sigurinë.


Thirrja për këtë ndryshim vjen nga revista “Nature Machine Intelligence” dhe lind nga bashkëpunimi mes universitetit britanik të Brimingamit, Institutit të BioRobotikës së Shkollës së Lartë Sant’Anna, Universitetit të Puzës, të “Queensland University of Technology” dhe të agjencisë hapsinore gjermane DLR.

Studiuesit janë të njëjtët që në shkurt 2019 kishin ftuar komunitetin shkencor ndërkombëtar që të shkonte përtej ligjeve klasike të robotikës të përcaktuara nga Isaac Asimov, i cili përcaktoi rregullat e para në botë për të bërë më të lehtë bashkëjetesën mes njeriut dhe robotëve.

“Ajo që po shfaqet është se robotët e kanë të nevojshme të dinë arsyet përse po e bëjnë një punë dhe nëse kushtet në të cilat operojnë janë të sigurta për ata vetë dhe për njerëzit me të cilët bashkëveprojnë”, thotë autori kryesor i këtij kërkimi, Valerio Ortenzi, i Universitetit të Birmingamit.

Objektivi përfundimtar është që të krijohet një brezi i ri robotësh, në gjendje jo vetëm që të operojnë me sukses në situata komplekse, por mbi të gjitha, të bashkëpunojnë në mënyrë të sigurt dhe të efektshme me njeriun. Tani mbetet vetëm që të bindet i gjithë komuniteti shkencor për të ngritur instrumentet e reja për të arritur atë që ekspertët e robotikës e quajnë “algoritmi përfundimtar”. /ATA/


Etiketa: , ,

Pas