Fitoi 13 trofe në 14 vite si lojtar i Liverpulit… Brus Grobelar mbahet mend nga tifozët e Liverpulit, pasi konsiderohet si një legjendë e klubit. Ish-portieri ka folur sot për “The Guardian”, ku ka dhënë një rrëfim shumë prekës, por dhe aq të pabesueshëm.
Grobelar tha se nuk e mban mend sa njerëz ka vrarë me duart e tij, gjatë kohës kur ishte ushtar në Zimbaue. Asajkohe adoleshent, Grobelar pranoi se ka qenë momenti më i vështirë i jetës së tij.
“Mbaj mend vrasjen time të parë. Ishim në shkretëtirë. Kur dëgjon të shtëna, nuk mendon, thjesht përgjigjesh. Vetëm pas luftës e kupton se çfarë ke bërë.
Ai ishte momenti më i vështirë për mua. Pashë me qindra kufoma dhe stomaku po më dilte nga goja. Janë momente që dua t’i harroj, por nuk mundem. Nuk e mbaj mend sa persona kam vrarë, por jam i lumtur që nuk vazhdova”,- u shpreh portieri legjendar i Liverpulit, tashmë 60-vjeçar.