Koronavirusi – 426 qytetarë janë gjobitur me nga 3.000 lekë secili nga policia pasi janë kapur pa maskë mbrojtëse gjatë 24 orëve të fundit.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 6 qytetarë që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit.
Pasi kanë paraqitur ID, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë evidentuar një lokal në të cilin ushtrohej aktiviteti në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për këtë subjekt u vendos masa administrative 1.000.000 lekë.
Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër, Policia apelon për të gjithë qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet masat anticovid.