Kryesore

Numri i lindjeve në rënie/ Zbuloni qarqet që janë në alarm














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:44 - 20/02/19 |
mapo.al

Numri i lindjeve të foshnjave është në vlera shumë të ulëta në të gjithë Shqipërinë, por qarqet si Korça, Kukësi, Fieri, Vlora dhe Berati janë në alarm pasi kanë pësuar rënie dyfish.






Në vitin 2018 në të gjithë vendin kanë lindur 28.934 foshnja, ose 1935 me pak se me 2017 me një rënie 6.2%. Rënia më e madhe e lindshmërisë sipas të dhënave të fundit të INSTAT ka ndodhur në qytetin e Korçës, ku lindjet në raport 2017 kanë rënë me 16%, ndërsa në raport me censusin e vitit 2011 lindjet në këtë qark pësuan rënie me 31%.


Sipas autoriteteve lokale Korça po vuan nga tkurrja e popullsisë më shumë se qarqet e tjera për shkak të kostove të larta që krijon dimri i gjatë.







Pas Korçës numri i lindjeve pësoi rënie të madhe edhe në qarkun e Kukësit, ku foshnjat e lindura ishin 12% më pak se më 2017.




Për shkak se është qarku më i varfër në vend, Kukësi është përballur me migracion të brendshëm dhe emigracion përgjatë gjithë periudhës së tranzicionit.



Pas Korçës dhe Kukësit, qytetet e Fierit dhe Vlorës panë rënie të madhe të numrit të lindjeve me mbi 12%, dy herë më shumë se mesatarja kombëtare prej 6.2%.

Ulja në vijimësi e numrit të lindjeve po përkeqëson shtesën natyrore të popullsisë. Gjatë vitit 2018, shtesa natyrore e popullsisë është 7.130 banorë (Lindje-Vdekje), duke pësuar një rënie prej 17,4 %, krahasuar me një vit më parë.

Në tremujorin e katërt 2018, shtesa natyrore e popullsisë, për 12 qarqet e Shqipërisë, shënon vlerën më të lartë në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 1.089 numrin e vdekjeve. Me shtesë natyrore të lartë paraqitet qarku i Elbasanit, me 273 lindje më shumë se vdekje, pasuar nga qarku i Durrësit, me 248 lindje më shumë se vdekje.

Shtesa natyrore e popullsisë, në tremujorin e katërt 2018 regjistron vlerë negative vetëm në tre qarqe (Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër) ku vlera më e ulët shënohet në qarkun e Korçës, në të cilin numri i vdekjeve tejkalon me 154 numrin e lindjeve.

Qarku i Gjirokastrës ka rezultuar me vlerë negative të shtesës natyrore të popullsisë gjatë gjithë vitit, ku numri i vdekjeve kalon me 217 numrin e lindjeve, për vitin 2018.

Ekspertët e demografisë e konsiderojnë alarmante rënien e numrit të lindjeve, pasi ky hendek nuk mund të rikuperohet, ndryshe nga emigracioni që shpresat për rikthim ekzistojnëgjithmonë.

Qarqet me lindshmërinë më të ulët në Shqipëri janë Vlora me 1.2 lindje për grua, Korça dhe Gjirokastra me 1.3 lindje për grua, Shkodra dhe Tirana me 1.4 lindje për grua, Fieri me 1.5 lindje.

Qarqet që kanë të njëjtën mesatare lindshmërie prej 1.6, sa edhe mesatarja e Bashkimit Europian, janë Durrësi, Berati dhe Elbasani. Ndërsa Lezha ka një mesatare prej 1.8 lindje për grua.

Organizata e Kombeve të Bashkuara, në parashikimin e saj për popullsinë shqiptare, sipas normës së fertilitetit parashikonte në Variantin pesimist që në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë.

Ndërsa skenari normal parashikon që Shqipëria të popullohet me vetëm 1 milionë e 600 mijë banorë.

Skenari optimist, me emigracion zero dhe ecuri normale të normave të fertilitetit parashikon që popullsia e vendit, deri në vitin 2100, të jetë 2 milionë e 800 mijë banorë, nga rreth 2,9 milionë që numërohen afërsisht aktualisht, raporton Monitor.

1


Etiketa: , ,

Pas