Mirësevini në shoqërinë futuriste të teknologjisë së informacionit! Ajo që dikur dukej si fantashkencë, sot falë IT-së dhe shkencave kompjuterike është pjesë e përditshmërisë.
Nuk ekziston një fushë në veprimtaritë njerëzore, ku nuk ka asnjë rol për teknologjinë e informacionit.
Adoptimi i tyre në fusha të ndryshme, ka ndryshuar përgjithmonë proceset e punës.
Bota i rezistoi pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi edhe falë teknologjive të informacionit që bënë të mundur koncepte si smart working apo distance learning. Përmes zhvillimeve në fushën e inxhinierisë dhe shkencave kompjuterike, e ardhmja tashmë ka mbërritur. Duket thuajse natyrale të ulesh në një veturë, e cilat vozit automatikisht apo të printosh në 3D. Sistemet software/ robotët përkthejnë rrjedhshëm nga një gjuhë në tjetrën dhe bëjnë madje edhe përmbledhje automatike në punimet shkencore.
“Gjithçka po bëhet më komplekse. Teknologjia e Informacionit ofron mjete të shumta për të lehtësuar procesin e zhvillimit dhe shkëmbimit të informacionit. Këto procese janë objektiv i IT-së për t’i bërë shumë detyra më të aksesueshme dhe të thjeshta për t’u zgjidhur shkruan Petraq Papajorgji, dekan i Fakultetit, Inxhinierisë, Informatikës dhe të Arkitekturës në UET, në numrin e dytë të revistës shkencore INGENIOUS.
“Teknologjitë e Informacionit kanë akses në informacionin masiv, përdorin shumë mjete për të rritur performancën e të mësuarit dhe sigurojnë shembuj të shkëlqyer, përmes simulimeve dhe modeleve”, shton dekani.
Në këtë numër të dytë të revistës shkencore, e cila i shtohet portofolit të revistave të të pesë fakulteteve të Universitetit Europian të Tiranës.
“Është një përpjekje e zakonshme e të gjithë departamentit dhe në këtë numër marrin pjesë studentë”, tha prof.Papajorgji gjatë përurimit të revistës. Sipas tij, ky është një hap përpara për studentët dhe një introduktë me shkrimin e një punimi shkencor.
Në këtë numër të dytë të revistës, pjesë e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, në UET, kanë kontribuuar edhe profesorë të huaj, që sipas dekanit i japin një vlerë të shtuar revistës.
Rektori Tonin Gjuraj vlerësoi punën e bërë për botimin e këtij numri, ndërsa tha se kontaktet me biznesin, industrinë dhe veçanërisht zhvillimi i teknologjive të informacionit ishte një nga tre strategjitë kyçe të Universitetit Europian të Tiranës. “Është e rëndësishme për fakultetin, por edhe për vetë universitetin”, tha prof. Gjuraj.
Profesori italian Donato Abruzzese, nga universiteti i Romës “Tor Vergata” , autor i një prej punimeve në këtë numër, vlerësoi në një lidhje Skype, rëndësinë e bashkëpunimit të ekspertëve të disa fushave. “Ju falënderoj që na keni prezantuar me universitetin tuaj dhe shpresoj që ky lloj bashkëpunimi të mund të ndikojë tek të rinjve”, tha ai.
Abruzzese, së bashku me disa kolegë nga universiteti “Tor VErgata” si Andrea Micheletti, Paola Paterna, Carlo Maroçhini, Carlo Rosa, Alessandro Tiero, Srey Mom Vuth dhe Silvana Sukaj punuan për artikullun me temë “monitorimi i domosdoshëm permanent me WiFi i strukturave si kusht për ndërtesat smart, në qytetet smart. Po ashtu, prof. Mimoza Durrësi solli artikullin rreth rëndësisë së komunikuesve të posaçëm wireless, për sistemet e monitorimit të shëndetit.
“Nuk është hera e parë që bashkëpunojmë dhe do të donim ta shtynim një hap më tej bashkëpunimin mes universiteteve tona , të kemi program të përbashkët dhe shkëmbim të studentëve tanë”, u shpreh prof. Papajorgji.
E ftuar në ceremoninë e përurimit ishte edhe Xheni Kobuzi, nga kompania “Tetra Solutions”.
Ajo theksoi nevojën e përmirësimit të lëndëve, për të qenë sa më aktuale me tregun dhe po ashtu nevojat që ka tregu për zhvillimin e sistemeve të reja, të pasqyroheshin në kurrikula “që studentët të jenë më të përgatitur për tregun, jo vetëm nga ana teorike”, tha Kobuzi.
Profesori Gentian Kaprata, foli rreth humbjes së popullsisë në vend, si pasojë e destabilitetit politik dhe krizës ekonomike. Ai është autor i dy artikujve në këtë numër që lidhen me dimensionin urban dhe territorial të vendit, që sipas tij janë produkt i së shkuarës së egër komuniste dhe tranzicionit të vështirë, nëpër të cilin po kalon vendi.
Një prej artikujve, është shkruar në bashkëpunim me Otjela Lubonjën, pedagoge e Inxhinierisë në Universitetin Europian të Tiranës.
Impakti i përdorimit të teknologjisë mikrobit në përmirësimin e aftësive të kodimit te studentët, është një tjetër artikull i shkruar nga Eriksen Mersinllari dhe dekani Petraq Papajorgji. Po ashtu, vjen në këtë numër një rast studimor si miniera e Bulqizës dhe përdorimi i transferimit të koordinuar nga sistemi lokal tek ai zyrtar dhe anasjelltas, punuar nga pedagogu i UET, prof. Gafur Muka.
Një artikull tjetër merr si shembull votimin elektronik në Shqipëri, i cili u implementua si eksperiment në disa zona gjatë zgjedhjeve të 25 prillit, si shembull i rritjes së besimit publik, përmes teknologjisë, punuar nga Erdet Këlliçi.
Mbështetja dhe Shpëtimi i të dhënave të Cloud Computing: një studim i hartimit sistematik, është një tjetër artikull i shkruar nga Roland PLAKA.
Prodhimi i energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të energjisë në Shqipëri, nga Porf. Angjelin Shtjefni dhe Hasimin Keçi është artikulli që mbyll këtë numër të INGENIOUS.