Pozicioni i Presidentit të Republikës mund të jetë “më i fortë” në kohë krizash ose “më i dobët” në situata të qëndrueshme. Kjo kërkon vëmendjen të aktorëve politikë dhe kushtetues për një qasje kritike ndaj kontrollit dhe parimi i ekuilibrit dhe një arkitekture solide kushtetuese. Kështu shkruan Juelda Lamcce, dekania e Fakultetit të Shkencave Juridike në UET.
Në editorialin e saj, në numrin e ri të revistës shkencore “Jus & Justicia”, kushtuar rolit të Presidentit- një vështrim në të shkuarën, të tashmen dhe perspektivat e së ardhmes, ajo i referohet edhe ngjarjeve të fundit kushtetuese në Shqipëri.
“Kufizimet e kompetencave presidenciale nën drejtimin e Opinioneve të Komisionit të Venecias, që përfshijnë tentativën e procedurës së shkarkimit – siç ka ndodhur së fundmi në Shqipëri, – kërkojnë një analizë të thellë dhe kritike të faktorëve që mund të çojnë në ngjarje të tilla, në mënyrë që të parandalohet shpërdorimi eventual i pushtetit dhe ruajtja e demokracisë.
Punimet shkencore në këtë numër i janë referuar edhe ngjarjeve të fundit kushtetuese në Shqipëri qëndrimeve kritike të organeve ndërkombëtare (OSBE/ODHIR) ndaj veprimtarisë së presidentit gjatë zgjedhjeve, në fushatën e Presidentit kundër partisë në pushtet, në gjuhën ose ndërhyrjeve aktive në veprimtari të organeve të tjera shtetërore, etj., të cilat kërkojnë një ushtrim të përgjegjshëm të pushtetit të presidentit, sado i kufizuar të jenë kompetencat, në përputhje me frymën dhe dispozitat kushtetuese, por më kryesorja të ushtrojë kompetencat e tij për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë.
Siç mbështetet nga kontribuesit akademikë në këtë botim, është zbuluar një rol i reduktuar i Presidentit të Republikës përballë pushteteve të njohura më parë. Kjo çon në një nevojë thelbësore për të garantuar ndarjen e pushteteve dhe për të parandaluar konfliktin mes tyre.
Kështu, në kohë krize vlerash dhe ripozicionimi i hierarkive shtetërore në raport me shoqërinë, është e detyrueshme të zbatohet një “doktrinë ad hoc”, për t’i dhënë zgjidhje ekuilibër midis organeve kushtetuese, duke përfshirë edhe kreun e shtetit, mendojnë autorët që kanë kontribuuar në këtë numër të “Jus & Justicia”, revista shkencore e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në UET.
Një tjetër artikull mbi temën, punuar nga Jordan Daci, trajton pushtetin kushtetues të Presidentit të Republikës në caktimin e datës së zgjedhjeve si edhe një ekspoze e këtij dekreti presidencial; në caktimin e datës së zgjedhjes. Sofjana Veliu dhe Diana Biba trajtojnë rolin dhe pozicionin ligjor të Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe marrëdhëniet e tij me trupat e tjerë kushtetues. Një vështrim analitik mbi tkurrjen e rolit të kreut të shtetit gjatë viteve të tranzicionit vjen nga Besian Zogaj, ndërsa Eriklenta Ymeri ka sjellë një pasqyrë të presidentëve në demokracitë parlamentare.