Nxënësit në një fshat të Klosit bëjnë autostop për në shkollë

Dhjetëra fëmijë nga Plani i Bardhë detyrohen të bëjnë autostop kamionëve të kromit, për të mbërritur në shkollën 12 kilometra larg në Klos, ndërsa prej vitesh bashkia dështon të gjejë një mjet transporti.

Sami Curri | BIRN



Është ora 6.30 e mëngjesit e një dite me shi në fund të shtatorit. Një duzinë me nxënës nga klasa e parë në të 9-tën nga fshati Plani i Bardhë në Klos – të fshehur poshtë çadrave ndonjëherë më të mëdha se ata vetë, pasi kanë ecur 20 minuta kanë ndaluar buzë rrugës Dibër-Tiranë. Për ata është një rutinë e përditshme.

Mbi 20 fëmijë, që refuzojnë të ndjekin mësimin në klasat e bashkuara të shkollës së vogël të fshatit, rrinë buzë rrugës në pritje të fugonave apo kamionëve që transportojnë krom me shpresën që dikush do i marrë deri në Klos, ku mund të ndjekin mësimin në klasa normale.

“Nga shpia e deri te rruga në asfalt është 20 minuta larg. Ndonjëherë gjejmë furgon e ndonjëherë jo. Ka disa raste që kemi shkuar me vonesë në shkollë, kemi marrë edhe mungesa sepse mësuesit nuk e dinë arsyen pse jemi vonuar,” tregon Ardiani, një nxënës i klasës së 7, i mbuluar me çadër për t’i shpëtuar shiut me rrebesh që binte atë mëngjes.

Shkolla 9-vjeçare në këtë fshat thuajse është mbyllur. Ajo funksionon vetëm me 9 nxënës, 4 në arsimin fillor dhe 5 në arsimin bazë në klasë kolektive.

Me zbrazjen e shkollës shumica e banorëve të mbetur aty refuzuan të dërgonin fëmijët në klasat kolektive dhe i regjistruan në shkollën 9-vjeçare “Tahir Hoxha” në Klos, që është afro 12 kilometra larg, ndërkohë disa fëmijë shkuan në shkollën fillore të Klos-Katund.

Prej vitesh fëmijët zgjohen herët, me shpresën që të gjejnë sa më parë një makinë rasti në rrugë, për të mos u vonuar për në shkollë. Ndërsa protesta e prindërve të tyre për të pasur një mjet transporti ka rënë në vesh të shurdhër dhe përpjekjet e bëra kanë dështuar.

Prefekti i qarkut Dibër Nexhbedin Shehu i tha BIRN se i gjithë problemi ishte mungesa e një fugoni që të bëjë transportin e fëmijëve dhe se ky ishte një detyrim i bashkisë.Adelina Laçi, nënkryetare e Bashkisë Klos, pretendoi në një bisedë telefonike se nuk “ka pasur neglizhencë për të mos e zgjidhur” problemin, por nuk shpjegoi pse nuk ishte gjetur një zgjedhje.

Ndërkohë Zyra Arsimore e Klosit i tha BIRN se e afron mësimin në fshat në shkollë me klasa të bashkuara edhe pse një raport i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi gjeti në vitin 2019 se fëmijët e fshatit po i nënshtroheshin diskriminimit dhe nuk u ishin dhënë mundësi të barabarta për arsimim.

Braktisja e fshatit krijoi probleme me arsimin

Emigracioni dhe migrimi i brendshëm kanë krijuar probleme për banorët e mbetur në zonat rurale të cilat janë braktisur masivisht. Rreth 149 shkolla në fshatra të ndryshëm u mbyllën në dy vitet e fundit në të gjithë vendin.

Mbyllja e këtyre institucioneve arsimore ka ardhur si rrjedhojë e rënies së numrit të nxënësve, përqendrimit të tyre në shkolla më të mëdha dhe në disa raste, si pasojë e amortizimit të ndërtesave të shkollave.Të gjitha këto arsye u bënë bashkë në fshatin Plan i Bardhë.

Në fshat pak shtëpi janë ende të banuara. Shtëpitë e rrënuara dhe tokat djerrë, dallohen më sy të lirë në luginë dhe lagjet sipër kodrave.Rënia e numrit të banorëve solli automatikisht zvogëlimin e shkollës dhe bashkimin e klasave. Tashmë prej gati 10 vjetësh fëmijët e fshatit janë ndarë në një pjesë që qëndron në fshat dhe në pjesën tjetër që shkon në Klos.

Prej këtu fillon edhe problemi i transportit.Agron Skordha, babai i Ardianit, pas disa vitesh emigracion në Greqi, u kthye në Shqipëri. Dy fëmijët, vajza në gjimnaz dhe djali në klasën e shtatë, herë i shoqëron deri në rrugë e herë jo, pasi puna ia pamundëson që t’i dërgojë çdo ditë vetë në shkollë.

Ai na tregon se vjet, prindërit në shenjë proteste kishin vendosur që për një muaj mos t’i çonin fëmijët në shkollë, derisa pushteti vendor t’i jepte zgjidhje problemit, por asgjë nuk ishte bërë e prindërit ishin detyruar t’i dërgonin fëmijët në shkollë njësoj si më herët.

Po shumë vështirësi është. Se ne jemi edhe në punë e me çu çdo ditë fëmijët në shkollë deri në Klos do kohë. Vjet i ndalëm fëmijët prej shkolle gati një muaj me idenë se shteti do merrte masa për transportin.Asgjë nuk ndodhi e me shumë vështirësi i çuam fëmijët në shkollë”, shprehet Agroni për BIRN.

Avni Lala, kryeplak i fshatit Plan i Bardhë i tha BIRN se problemi i transportit të fëmijëve është i mbartur prej vitesh.“Kam qenë në takim edhe me kryetarin e bashkisë Klos. Më është thënë nga kryetari se bashkia nuk mund ta zgjidhi këtë problem, por duhet ta zgjidhin privatisht njerëzit”, thotë Lala.

Ai thotë se maksimumi që kishin marrë nga bashkia ishte një bonus i vogël financiar.AfmetKuka ka dy fëmijë, djalin në klasë të parë dhe vajzën më të vogël në kopsht. Ai jeton në kushte të vështira ekonomike dhe të ardhurat e vetme që ai ka, janë pensioni i invaliditetit dhe pak lëndë drusore që e shet.

Afmeti na tregon se e ka të pamundur që t’i dërgojë fëmijët në shkollë, e kjo javë ka qenë hera e parë që i ka çuar. “Unë me i çu vetë me makinë në shkollë, nuk kam mundësi se mezi myllmujin e jo më me pas makinë. Fëmijët e mi, bashkë me ato të vllait e shokëve këtej rrotull, shkojnë në këmbë deri tek rruga e kismet gjejnë nojfurgon e kamion kromi deri tek shkolla. Po kur të bibora është keq puna, se bëhen ujë”, thotë Kuka për BIRN.

Teksa fëmijët e Afmeti nisen për në shkollë, shoqërues i tyre deri në rrugën nacionale është qeni i shtëpisë. Fëmijët tregojnë se në disa raste “janë xhaxhat me kamion të madh kromi” që i marrin dhe i lënë te shkolla.

Përplasja institucionale për transportin e fëmijëve

Në muajin gusht banorët e fshatit Plan i Bardhë i dërguan sërish një shkresë prefektit të qarkut Dibër, për zgjidhjen e problemit të transportit të fëmijëve për fillimin e vitit shkollor 2020-2021. Në kthimin e përgjigjes për banorët, prefekti i qarkut Dibër i kërkon bashkisë Klos që t’i japë zgjidhje rastit në fjalë.

“Unë i kam propozuar bashkisë që me anë të këshillit bashkiak, të shtojë diçka më shumë te fondi e t’i jepet zgjidhje këtij problemi për këta fëmijë. Momentalisht ky problem është i pazgjidhur” shprehet Shehu për BIRN.

Teuta Karaj që drejton Zyrën Vendore të Arsimit në Klos, thotë po ashtu që zgjidhja është në dorë të bashkisë, që të gjente një mjet dhe të krijonte mundësi transporti. Ajo tha se nga ana e tyre “fëmijëve u ofrohej mësim në fshat”.“Për sa kohë që është shkolla atje, detyrimi ligjor është që ne të ofrojmë shërbimin në shkollën e fshatit,” tha Karaj. Ajo megjithatë theksoi se nëse të gjithë fëmijët vendosnin të transferoheshin në shkollën e Klosit, zgjidhja për transport do të gjendej.

Pretendimet e ZVA-së se ofronte arsimin në fshat bien në kundërshtim me gjetjet e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili në shtator të vitit 2019 pas një hetimi të nisur nga ankesat e banorëve, gjeti se fëmijët e fshatit nuk merrnin arsim të barabartë dhe se ky ishte diskriminim për shkak të vendbanimit.

“Çdo dallim, përjashtim, kufizim apo parapëlqim, pavarësisht nga shkaku, që ka si qëllim apo pasojë pengesën apo bërjen e pamundur të ushtrimit në të njëjtën mënyrë me të tjerët, të të drejtave e lirive themelore të njohura me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nga aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, si dhe nga legjislacioni në fuqi – përbën Diskriminim” thuhej në deklaratën e KMD-së, për rastin.

Por bashkia, e cila ngarkohet prej palëve me përgjegjësinë për të gjetur një mjet transporti nuk ia ka dalë mbanë edhe pse problemi vijon prej vitesh. Adelina Laçi, nënkryetare e Bashkisë Klos, i tha BIRN në një bisedë telefonike se kanë zhvilluar disa takime me prindërit, por nuk shpjegoi se pse nuk ishte zgjidhur situata.

“Për këtë problem nuk ka pasur asnjë lloj neglizhence për të mos e zgjidhur. Ne po angazhohemi që problemi të marrë zgjidhjen që duhet. Ne jemi vënë në dijeni, kemi pritur edhe prindërit në zyrë dhe do të shohim sa më shpejt që t’i jepet zgjidhje,” tha Laçi për BIRN.

Në vitin 2018 tre tendera të mbajtur nga Bashkia Klos, për transportin e fëmijëve nga fshati Plan i Bardhë deri në Klos, kishin dështuar, kjo pasi shoferët apo linjat e transportin që operonin në këtë zonë, nuk kanë shfaqur interes për shkak të pagesës jo të kënaqshme.

Në ligjin për arsimin parauniversitar, transportin e përfitojnë mësuesit që punojnë në largësinë mbi 5 kilometra nga kufiri i njësisë përbërëse administrative të vendbanimit të tyre të përhershëm; si dhe nxënës që ndjekin institucionet arsimore publike të arsimit bazë ose kopshtet publike, që udhëtojnë nga vendbanimi i përhershëm në një vendbanim tjetër mbi 2 kilometra larg institucioneve arsimore publike më të afërta.Një pjesë të detyrimit shteti e plotëson.

Shpëtim Sallaku, banor i fshatit tha se ata përfitonin afro 1700 lekë për transportin e fëmijëve, por paratë nuk u hynin në punë për sa kohë nuk kishte mjete të transportit.

“Ne këtë avaz kemi çdo vit. Ne këtu në fshat kujt nuk i kemi shkruajt për këtë problem,” tha Sallaku, i cili tregon se fëmijët e tij duhet të ngjisin çdo ditë 30 minuta dhe më pas të bëjnë autostop në rrugën kryesore.“Tek Ministria e Arsimit, në bashki kemi qenë disa herë dhe absolutisht që nuk e ka vënë kush ujin në zjarr se çfarë po ndodh”, përfundoi ai.

 

 


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252