fbpx

Aktualitet

“O Hyj hidhi sytë mbi Shqipëri, rrezikojmë të ndahemi e përgjakemi”





               Publikuar në : 15:13 - 18/06/19 |
mapo.al

Në këtë kohë krize që po kalon vendi ynë, kisha katolike nuk ka qendruar në heshtje. Ipeshkvijtë dolën para disa ditësh me deklaratë publike, ku u bënin thirrje palëve të ulen në bisedime të sinqerta. Në këtë vazhdë, Monsinjor Gjergj Meta sot ka bërë publike lutjet e tij për Shqipërinë.


Lutja për Shqipërinë në kohë krize

O Hyj, hidhi sytë e tu plot dashuri mbi popullin tonë shqiptar, mbi Shqipërinë tonë!



Ti na ke bekuar, pasi na ke dhënë një gjuhë, një komb, një natyrë të mrekullueshme, detin dhe malet. Na ke bekuar me fëmijë, të rinj, të rritur e të moshuar. Nëpër dallgët e historisë, që shpesh ka qenë e pamëshirshme me ne, ti na ke dalë Zot e ne kemi mbijetuar. Na ke mbajtur në krahët e tu si shqipja zogjtë e saj. E ne ta dimë për nder e të falenderojmë.


Por sot, tani në këto ditë o Hyj, ne bijtë e tu po rënkojmë nga pamundësia për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin. Ata që duhet të na udhëheqin gjenden në një udhëkryq e po ashtu vendi ynë gjendet në udhëkryq. Rrezikojmë të ndahemi, të përçahemi e të përgjakemi duke luftuar me njëri-tjetrin për shkak të bindjeve politike a për t’i qëndruar besnikë prijësve politikë.

Na jep o Zot paqe për vendin tonë! Krijo në ne një shpirt besnikërie ndaj familjes, kombit dhe të ardhmes, më shumë se ndaj ideve apo prijësve politikë që shkojnë e vijnë.

Jepu politikanëve tanë të të gjitha krahëve urtinë e mendjes dhe dashurinë e zemrës, që të ulin armët e konfliktit e të lartësojnë flamujt e bardhë të paqes.

Ndihmoje vendin tonë të ngrihet e të përparojë, të jetë krah vendeve të zhvilluara evropiane, ku respektohen të drejtat e njeriut dhe çdo individ, sidomos të varfërit e të mënjanuarit, e ku të rinjtë e të rejat ndërtojnë jetën e tyre, pa pasur nevojë të ikin gjetiu.

Bekoje o Zot Shqipërinë! Bekoji shqiptarët!

Amen!


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas