Aktualitet

“O shërbëtorë të neveritshëm të burrështetasve tanë injorantë!”






               Publikuar në : 12:40 - 09/10/19 |
Kim Mehmeti

Nga Kim Mehmeti


Jetojmë në kohë të vlerave të rrejshme, të heronjve e patriotëve të rrejshëm… Në kohë kur të gjithë nguten të shkruajnë biografitë e tyre të rrejshme.



Por, mos u shqetësohuni: E rrejshmja ka afat përdorimi vetëm për aq kohë sa atë mund ta mbrojë gënjeshtari i pushtetshëm apo i pasur dhe i pafytyrë. E nesërmja është peshore që do e matë saktë të sotmen, ajo do e peshojë edhe paaftësinë tonë që t’i luftojmë standardet e rrejshme vlerësuese!

Pastaj ne jetojmë në kohë kur për çdo javë prodhojmë nga një hero, kur në çdo lagje kemi nga një ‘komitet’ për shpalljen dhe pritjen e trimave të ‘pavdekshëm’, si dhe grupin e gatshëm të ‘vajtojcave’ për t’i përcjellë patriotët dhe ‘veprimtarët’ e vdekur.

Por, edhe si të tillë ne mbetëm, o vasal besnik të sunduesve të huaj, o shërbëtorë të neveritshëm të burrështetasve tanë injorantë! Siç duket, ka ardhur koha kur duhet të dalim nga dehja heroike e çiftelisë me dy tela dhe nga llafazania që rrëfen shumëçka e nuk thotë asgjë, me ç’ka do e shohim qartë se më të neveritshëm se burrështetasit tanë që na e vjedhin të sotmen dhe na e harxhojnë të ardhmen, janë mbrojtësit e tyre, ata të cilët, duke mos guxuar të merren me hajnat tanë, janë duke e mbrojtur shqiptarinë nga perandoritë e vdekura dhe nga ‘diktatorët’ e Lindjes së ‘prapambetur’ islame. Ata me kokë të zhytura në grazhdin e pushtetit dhe që duan të dëshmojnë të pamundurën: se sot nuk është vlerë dituria, por pafytyrësia, se sot është e turpshme të turpërohesh!


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas