Pjesë nga libri “Topi është i imi (Gjithçka që deri më sot nuk e kam thënë lidhur me futbollin, blerjet, dhomat e zhveshjes)”, botimet Saras
Nga Luciano Moggi
Dy fjalë sa për fillim
Çfarë ka ikur, ka ikur, s’ke ç’i bën, por sikur të mos ishte kështu, do të ishte një gjë shumë e bukur që ta rishihnim filmin e jetës sonë. Do të ishte e bukur edhe për një si unë, të cilit ende i pëlqen të flasë për projektet e veta të ardhshme, s’ka gjë se është pothuaj shtatëdhjetë e shtatë vjeç. Çfarë ka ikur prej jetës sime është e imja, sidoqoftë. Është ca më shumë e tillë, kur e shoh të shkuarën time të stërpikur nga suksese të shumta, përvoja magjepsëse e personazhe të pabesueshëm që secili prej jush do kishte dashur t’i njihte personalisht; e prandaj janë të shumtë ata që më kërkojnë t’u tregoj për ta.
Shpresoj që ky libër të mos merret si një përpjekje për t’u vetëmburrur. Kam qenë me fat në këtë jetë, edhe pse, siç më thoshte im atë, fati nuk të vjen kurrë pa e kërkuar. Është një këshillë që e kam mbajtur gjithnjë vëth në vesh. Dhe rezultatet e shkëlqyera që kam arritur kanë bërë që të mos më shqitet ndjesia se Dikush atje lart më ka treguar udhën që duhej ndjekur. Ka qenë një ndjesi fantastike. Ua uroj të gjithëve, sidomos të rinjve, që ta provojnë.
Në këtë libër flas për jetën time nëpërmjet protagonistëve të futbollit botëror, pa lënë pas dore persona më pak të njohur që po njësoj kanë mundur të lënë shenjë në aventurën time njerëzore e profesionale. Nxjerr në skenë detaje negociatash që, në kohën e vet, janë kryer pas perdes. Filli që i përshkon këto kujtime është ironia, pa të cilën jeta do të ishte ndryshe.
***
Ka ndonjë gjë të pathënë mbi Napolin “tim”? Si zor. Por katër vitet e atjeshme kanë qenë të paharrueshme. Kam jetuar në atë periudhë në një gjeratore pasioni, polemikash, gëzimesh e zhgënjimesh që janë të papërsëritshme.
Emocionet nuk kishin të sosur, dhe nuk na mbanin të qetë. Gjendja shpirtërore e skuadrës apo edhe e qytetit, ndryshonte nga dita në ditë; madje, nga ora në orë. Sepse Napoli jeton për Napolin. Në kohë të mirë e në kohë të keqe. Por duhet t’ju them se unë, sidomos nga distanca e viteve që kanë kaluar, kujtoj vetëm kohët e mira të asaj përvoje.
Momenti i lamtumirës qe, sidoqoftë, i hidhur. Unë ika, ngaqë s’kisha se ç’të bëja më, dhe faji ishte i Diego Armando Maradonës, lojtarit më të fortë të të gjitha kohërave. Ishte e pamundur që ai të administrohej. Unë kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me të, por edhe për mua ishte e pamundur. E kam shprehur mendimin tim në prani të kampionit argjentinas e të Presidentit Ferlaino: “Kështu nuk shkohet asgjëkund. Maradonën nuk mund ta largojmë. Po ta bënim, do shpërthente revolucioni e unë do të shpallesha një Judë për gjithë jetën. E prandaj, veç një gjë më mbetet të bëj. Të jap dorëheqjen”.
Nuk i lashë kohë Ferlainos që ta thoshte të vetën. Zgjedhjen e kisha bërë, tanimë. Askush nuk ish në gjendje të më bënte ta rishihja atë vendim, që unë e kisha marrë pas të vetmit sherr që kam bërë me Diegon në jetën time. E kujtoj atë moment mú sikur të ketë ndodhur dje. Ishte 7 nëntor 1990, dhe ne ishim në Moskë për të luajtur me Spartakun ndeshjen e kthimit të turit të dytë në Champions League. Ndeshja në San Paolo kish përfunduar me rezultatin 0-0. Për t’u kualifikuar, na duhej fitorja se s’bën. Por ky është epilogu i ngjarjes.
Gjithçka kish nisur dy ditë më parë. Skuadra bëri një stërvitje të lehtë në orët e mëngjesit të së hënës, por pa Maradonën. Ky i fundit nuk erdhi. Në mbrëmje do duhej të niseshim për në Moskë. Herë të tjera kisha dërguar mjekun në shtëpinë e Maradonës, por atë ditë shkova vetë. Maradona ishte mbyllur në një dhomë e as që doli të fliste me mua. Fola me të shoqen, Claudia Villafanen, dhe me avokatin e tij, Guillermo Coppolan. “Mos e merrni mundimin të vini, si zakonisht, me avionin privat, sepse këtë radhë Diego nuk do të jetë në formacion. Do të jetë i detyruar ta shohë ndeshjen nga tribuna. Do të luajë veç nëse udhëton me skuadrën”. E kisha bërë mendjen top: këtë herë argjentinasit nuk do t’i dilte e tija.
Maradona erdhi në Rusi, sidoqoftë, me një avion privat, të nesërmen. Nuk ishte befasi për mua. Erdhi i sigurt se do të luante. Por e pa veten në stolin e rezervave. Nuk e çova që ta shihte ndeshjen nga shkallët e stadiumit, ngaqë m’u duk një ndëshkim më i rëndë ta mbaja në stol. Binte borë atë mbrëmje. Bënte shumë ftohtë, e prandaj ishte qejf ta shihje ndeshjen nga tribuna. Maradona hyri në lojë në minutën e 64-t; por nuk bëri ndonjë gjë të magjishme. Rezultati i ndeshjes mbeti i bardhë, 0-0, e pastaj u skualifikuam në saje të penalltive (Diego e shënoi penalltinë e vet). Unë dhashë dorëheqjen edhe ngaqë kisha zënë të isha i frikësuar se mund t’i ndodhte ndonjë gjë në fushën e lojës. Dhe kjo ndodhi disa muaj më vonë: u gjet pozitiv gjatë kontrollit antidoping, në fund të ndeshjes Napoli-Bari të 17 marsit 1991, që u mbyll 1-0 për ne. Ishte e pashmangshme. Pati zëra që aluduan me ligësi se isha unë që kisha komplotuar për të arritur deri te analiza e urinës së tij, në të cilën u gjetën gjurmë të kokainës. Është një rrenë. Nuk jam as tradhtar, e as burracak. Nuk do t’i bëja kurrë një të keqe Napolit apo Diegos.
Për sa më takon, duke filluar nga nëntori (e deri më 1 prill 1991), Ferlaino më mbajti në klub në pozicionin e një nëpunësi dosido. Mua, që kisha komanduar për vite të tëra shoqërinë, m’u desh të ndiqja urdhrat që më jepeshin. Nuk është se e bëra veten. Dy javë pas ndeshjes në Moskë, Napoli do të luante në Milano. I thashë Ferlainos, se “kisha një punë urgjente në Torino”, mirëpo e vërteta ishte pak ndryshe. Dy ditë më parë kisha folur në telefon me Presidentin Gian Mauro Borsano, dhe ishim marrë vesh që të drejtoja Torinon e tij gjatë sezonit të ardhshëm. E kështu, me të mbërritur në Milano me skuadrën, ia mbatha drejt e në Torino. Nuk kisha punë tjetër veçse të hidhja firmën mbi kontratën që më lidhte sërish me shoqërinë “granata”.
Gjatë këtyre viteve të fundit nuk ka mbetur njeri pa më pyetur, nëse e dija që Maradona drogohej. Tani, unë nuk jetoja në hënë. Jetoja në Napoli. E prandaj, zërat lidhur me drogën na vinin në vesh edhe ne drejtuesve, por nuk ishim assesi të sigurt, ngaqë Maradona, kur hynte në fushë, ngjante me çdo gjë, por jo me një toksiko-dipendent. Magjitë e tij do të mbeten përgjithnjë në historinë e futbollit. Madje, po ju them edhe një gjë tjetër. Sikur të kish bërë jetën e shëndetshme të një sportisti, do të kish luajtur futboll deri në moshën pesëdhjetë vjeç. E nuk është se këtë pohim po e lëshoj kuturu. Jam një qind për qind i bindur që do ishte kështu.
Në krye të herës, administrimi i Maradonës nuk ishte një punë e lehtë. Por nuk dukej as e pamundur. Më pas, ai u bë me hënëz, dhe ky avaz ishte për ditë. Netëve nuk shkonte kurrë në shtrat, dhe ia fuste gjumit në mëngjes, për t’u zgjuar pasditeve vonë. Dhe nuk guxonte njeri ta zgjonte. As e shoqja nuk mund ta bënte këtë. Ishte kjo e fundit, Coppola dhe Fernando Signorini, instruktori personal i Maradonës në planin atletik, që na bënin një telefonatë dhjetë minuta para se të fillonte stërvitja, dhe na thoshin se “Diegoja nuk ndihej mirë”. Ky ishte justifikimi i përhershëm. Një ditë prej ditësh – ishte e hënë, e pas 48 orësh do të luanim në Champions League – na gjetën një justifikim tjetër: “Do të rrijë në shtëpi, sepse ka datëlindjen. Dhe jeni të gjithë të ftuar për të festuar tok me të”.
Shkuam. Datëlindja festohej në një restorant, dhe kaluam një mbrëmje të shkëlqyer. Në orën 23:00 u dhashë të gjithëve urdhër që të shkonin të shtriheshin. Por siç ndodhte zakonisht, ishte e pamundur që të çoje Diegon në shtrat në atë orë. E lamë të vazhdonte, ngaqë më premtoi se të nesërmen në mëngjes do të paraqitej në stërvitje. Nuk u paraqit. Na erdhi e njëjta telefonatë, por këtë herë Diego po tregohej më hileqar se sa normalisht. I thashë Coppolas se, nëse Maradona nuk vinte në stërvitje, të nesërmen nuk do të luante. “Direttore, rri i qetë! Diego më ka thënë që e do të hapur portën e Soccavos (Qendra sportive ku bënte stërvitje Napoli prej vitit 1977; në vitin 2004 u mbyll. M. N.), ngaqë do të vijë nga ora tre e natës për të bërë stërvitje”. Mendoi se ma hodhi. Unë porosita një prej bashkëpunëtorëve që të shkonte në qendrën sportive e të priste deri sa të vinte Maradona. Kuptohet, Maradona nuk e prishi gjumin. E bukura ish se në mes të natës më mori në telefon Coppola, e më tha se e kishin gjetur të kyçur qendrën sportive. U shtira sikur e hëngra rrengun. Të nesërmen, pak para ndeshjes, hyra në dhomat e zhveshjes dhe pashë Maradonën buzagaz, që kish veshur mbathjet e getat. Nuk e torra gjatë. “Diego, ti në këtë ndeshje nuk do të luash”, i thashë. Kaq. Ai e kish kuptuar se e kish bërë baltë. Nuk hapi gojë. U rivesh dhe zuri të ngjiste shkallët që të çonin në shkallët e tribunës, ku uleshin personalitetet.
Në Rusi, siç thashë, u zumë. Madje, keq. Por vazhdova ta konsideroja Maradonën një mik. Është shumë zemërgjerë. Është e pamundur të mos e duash atë njeri. Jemi ritakuar disa herë më pas. Hera e fundit ka qenë në Dubai, ku më tha: “Direttore, sikur t’jua kisha vënë veshin, aventura ime në Napoli do të kish përfunduar ndryshe”. Por çfarë është bërë, nuk zhbëhet më. Mua më kanë mbetur të pashlyeshme në kujtesë mrekullitë që ai bënte në fushë, dhe pasioni i tij për futbollin. E kam parë të bëjë gjëra të pabesueshme edhe në orët e stërvitjes. Kur intervali stërvitor bazohej te teknika, gjithçka ishte një spektakël: mbante me këmbë çdo gjë që i dilte përpara, një portokalle, një shishe plastike, një top tenisi. Ia dilte të na linte pa mend në të gjitha rastet. Një gjë ishte e sigurt: me topin bënte çfarë ia kish ënda. E paradoksalisht, kur vinte të stërvitej, nuk kish burrë nëne ta bënte që të kthehej në dhomat e zhveshjes. Me topin në këmbë, Diego shndërrohej në një fëmijë. Dukej qartë se ish i lumtur. Shumë i lumtur. E në ndryshim nga ajo që mund të mendohej, e kish shumë të lartë pragun e dhimbjes e të sakrificës. Luante edhe pse mund të ishte i lënduar. Në këto raste ishte e kotë të përpiqeshe t’i ktheje mendjen.
Maradona është edhe sot e kësaj dite mbret i Napolit. Mendoj se nuk ka për të dalë ndonjë njeri që ta shfronësojë. Sa për të bërë një ilustrim, Marek Hamsik është një idhull nën Vezuv, por mbetet vite dritë larg asaj që Maradona përfaqëson për napoletanët. Fytyra e tij është ende e vizatuar në shumë mure të qytetit. Dhe me ato vizatime nuk bëhet shaka. Askush nuk bën shkarravina mbi to.
Edhe shokët e skuadrës ishin të marrosur pas tij, dhe kjo nuk ndodhte thjesht ngaqë ai ish në gjendje t’i fitonte ndeshjet edhe i vetëm fare. Një ditë i ra në vesh rroga që merrte portieri Giuseppe Taglialatela. Sipas tij, kjo rrogë ishte e vogël. E kështu zuri të ushtronte presion mbi mua derisa ma mbushi mendjen që t’ia rrisja. Madje, ia dyfishova. Nga 60 milionë lireta që merrte për sezon, ia bëra 120 milionë.
Kur kish datëlindjen, organizonte darka të mëdha dhe i ftonte të gjithë, stafin teknik, magazinierët, masazhatorët etj. Dhe drejtuesit e klubit, kuptohet. Edhe në ato rrethana demonstronte të gjithë zemërgjerësinë e vet. Nuk pranonte dhurata. Ishte ai që ua bënte të tjerëve, s’ka gjë se datëlindja ishte e tij. Në jetën time nuk më kanë zënë sytë asnjëherë një gjë të tillë.
Lojtarëve të Napolit, me të mbërritur atje, u bëra të qartë një gjë. I mblodha në mes të fushës, dhe u shpreha një koncept timin. Vetëm një. “Nuk dua të dëgjoj kurrë, dhe kur them ‘kurrë’ dua të them ‘kurrë’, frazën se ‘e bëra këtë gjë, ngaqë e ka bërë edhe Maradona’. Nëse dikush ia lejon vetes të më thotë këtë gjë, ia tregoj unë qejfin pastaj. Dhe ma mbani vëth në vesh këtë që sapo ju thashë, të paktën për aq kohë sa unë do të jem në Napoli”.
Nuk kisha si t’ia bëja, ndryshe do të mbretëronte rrëmuja, dhe punët e skuadrës do t’i merrte lumi. Dhe të gjithë ranë në brazdë. Me përjashtim të një djali të ri, një djali shumë të zotë në të vërtetë, që i tha mendja se mund të ecte në gjurmët e Diegos. Por jo në fushën e lojës. Jashtë fushës. Fola me të atin, dhe ish ky që më dha një dorë për ta futur në brazdë edhe këtë.